Aktualitet

Rrugëtimi drejt majave të pushtetit dhe deklarata e fundit qeveritare e Merkel














Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 22:50 - 24/06/21 |
mapo.al

Në Bundestag mbizotëron fryma e lamtumirës. Për herë të fundit kancelarja Angela Merkel foli para deputetëve përpara samitit të BE-së






Në pamjen e jashtme zonjës, që del në pultin e referuesit, nuk i dallohet asgjë, që ky fjalim do të jetë ndryshe, një fjalim krejt i veçantë.


rreth katër herë në vit jep deklaratën qeveritare përpara Bundestagut, gjithsej ajo ka mbajtur 64 fjalime të tilla. Por ky është i fundit, Merkel nuk rikandidon në shtator dhe as nuk do të jetë më pjesë e parlamentit të ri.





Këtë të premte nis sezoni i pushimeve të verës, ndoshta Merkel pas zgjedhjeve do të vazhdojë të ushtrojë funksionet në formë komisare në kancelari, por në rrethana të tilla deklaratat qeveritare janë të pazakonta. Merkel gjatë gjithë këtyre viteve ka dhënë deklarata për financat, politikën e Euros, mbrojtjen e klimës, shkëputjen nga energjia bërthamore, për Brexit-in, politikën ndaj refugjatëve. Gjithmonë në të njëjtin stil. Qartë, profesionalisht dhe me fakte.



“Pandemia ende nuk ka marrë fund”
E pra kështu është, kjo do të jetë sivjet edhe tema e samitit të BE-së në Bruksel brenda së njëjtës ditë. Merkel vlerëson përparimin me vaksinimet dhe situatën aktuale me numrin e ulët të infeksioneve, por: “pandemia ende nuk ka marrë fund e aq më keq në vendet më të varfëra të botës. Por edhe ne në Gjermani e në Europë vazhdojmë të lëvizim në një terren të brishtë. Ne duhet të vazhdojmë të jemi të kujdesshëm. Veçanërisht variantet e reja që po shfaqen të virusit si ai Delta na paralajëmrojmë të vazhdojmë të jemi të kujdesshëm.”



Një refuzim të prerë jep Merkel lidhur me diskutimet, kryesisht në SHBA, për zbutjen pjesërisht të mbrojtjes së patentimit për vaksinat. Zhvillimi i mëtejshëm i vaksinave do të arrihet, vetëm nëse ruhet e drejta për mbrojtjen e pasurisë intelektuale.

Përballje kërcënimeve hibride
Edhe arenat ndërkombëtare të luftës do të jenë temë në Bruksel, e për këtë arsye fjalimi i Merkelit merr një notë si një amanet i saj. BE-ja duhet më në të fund të japë një përgjigje të përbashkët ndaj “kërcënimeve hibride” nga Rusia, Kina dhe Turqia. E njëkohësisht duhet të vazhdojë të bashkëpunojë në mënyrë pragmatike me këto vende. Mbrojtja e të drejtave të njeriut dhe demokracisë nuk duhet të jetë vetëm detyrë e SHBA-së. Paaftësia për veprim e Europës që vërehet në shumë çështje e preokupon Merkelin, kjo ndihet në fjalimin e saj. Përndjekja e opozitarëve në Rusi, politika e disinformimit në të gjithë botën: Ndaj këtyre duhet një përgjigje e qartë, sipas Merkelit, sepse “ngjarjet e muajve të fundit, e jo vetëm në Gjermani, kanë treguar qartë, që nuk mjafton kur ne reagojmë të pakoordinuar ndaj provokimeve ruse. Vetëm kështu ne do të mësojmë t’i kundërpërgjigjemi sulmeve hibride nga Rusia.” Më e përqendruar se herë të tjera duket Merkel, fjalimi i saj është dukshëm më i shkurtër dhe më konçiz se zakonisht.


Kandidatët për kancelar Annalena Baerbock e ekologjistëve dhe Armin Laschet i kristiandemokratëve me kancelaren Angela Merkel në Bundestag

Scholz falenderon personalisht Merkelin
Meqënëse deklarata e fundit qeveritare e gruas, që ka drejtuar fatet e Gjermanisë për një kohë që duket si e pafund, tërheq kaq shumë vëmendje, pas fjalës së saj nxitojnë në pultin e referuesit pasueset e pasuesit e mundshëm të saj. Kandidati kristiandemokrat për kancelar Armin Laschet e merr fjalën, po ashtu edhe kandidatja për kancelare e ekologjistëve, Annalena Baerbock. Ndërkohë që socialdemokratët përmes një truku ia kanë dalë që edhe kandidati i tyre për kancelar Olaf Scholz, i cili nuk është pjesë e parlamentit, ta marrë fjalën. Grupi parlamentar i socialdemokratëve ia ka kaluar atij të drejtën e fjalës, sepse Scholz është ministër i Financave, e formalisht është e pazakontë që ai të mbajë fjalim.


Zëvendëskancelari dhe ministri i Financave, socialdmeokrati Olaf Scholz, i cili kandidon për kancelar

Kjo tregon, se të gjithë duan të dalin në fokus për t’u shkëputur nga hija e Merkelit. Scholz është i pari, që përmend, se me shumë gjasë kjo është deklarata e fundit qeveritare e Merkelit: “Eshtë për mua një rast i veçantë për të dhënë një mesazh: Dua të falenderoj kancelaren për bashkëpunimin në politikën për Europën gjatë këtyre viteve. Ne kemi arritur shumë përparime për Europën. Kjo nuk ka qenë e vetëkuptueshme. Unë besoj, që kjo është mirë për Gjermaninë dhe për Europën.”

E qetë gjatë pyetjeve kritike në adresë të qeverisë
Edhe të enjten (24.06) kishte mjaft për t’u miratuar në parlament. Për herë të fundit Merkel u pozicionua në Bundestag lidhur me pyetjet në adresë të qeverisë. Këtë ritual parlamentar në fakt Merkel nuk e ka pasur asnjëherë për zemër, por ky rregull është ruajtur në marrëveshjen e koalicionit me insistimin e socialdemokratëve kur u krijua qeveria më 2018.


“Kur kam kaq shumë mendime në kokë, më duhet të jem e përqendruar, që të mos ngatërrohem.”

Me argumenta bindëse Merkel u përgjigjet pyetjeve lidhur me përparimin në procesin e vaksinimit, mbi gjendjen e buxhetit, të ardhmen e pensioneve, si dhe mbi pajisjen e mjerueshme të Bundesweher-it. Për secilën pyetje ajo ka një minutë kohë të japë përgjigje, por ajo e vë në pah që e ka të vështirë të shohë orën: “Kur kam shumë mendime në kokë më duhet të jem e përqendruar, që të mos ngatërrohem.” Disa deputetë e fotografuan kancelaren nga celulari, sikur të ishin turistë. Por edhe kësaj here Merkel ishte ajo që ka qenë gjithmonë. Asnjë fjalë personale nuk konsumoi ajo lidhur me paraqitjet e saj të fundit. Një gjë e tillë nuk është pjesë e stilit të saj, as pas 16 vjetësh.

********

UDHËTIMI I MERKELIT DREJT MAJAVE TË PUSHTETIT


Një femër hyn në skenën e politikës gjermane…
Një femër nga Gjermania Lindore pa lidhje politike, në fillim ngjitet në majë të partisë konservatore dhe më pas bëhet liderja e Gjermanisë. Ajo është rizgjedhur katër herë deri tani dhe është në vitin e saj të katërmbëdhjetë si Kancelare. Edhe pse pa fëmijë, shkrimtarja gjermane Juli Zeh e ka quajtur atë “Mutti” – nëna e sigurisë gjermane.


Kur ‘Mutti’ ishte ‘Angie’
Kur Angela Dorothea Kasner e vogël ishte duke u rritur, kush mund të mendonte se ajo do të bëhej një nga personat më të fuqishëm në botë? Shumë punë, praktike, strikte – Angie e vogël u rrit në një shtëpi protestante në qytetin Templin në Gjermaninë Lindore. Babai i saj ishte prift dhe mamaja kujdesej për të dhe tre vëllezërit e motrat më të vegjël.


Rrënjë polake
Gjyshja Greta dhe gjyshi Ludwig në fotografi me djalin e tyre Horst Kazmierczak , babain e Angela Merkel. Familja Kazmierczak jetonte në Poznan, një qytet polak nën pushtimin prusian. Në vitin 1930, kur emigruan në Berlin ata e ndryshuan mbiemrin në Kasner. Në vitin 2013 kur u bënë publike rrënjët polake të Kancelares u bë një zhurmë e madhe.


Pushime në Gjermaninë Lindore
Pasi mbaroi gjimnazin në vitin 1973 pothuajse me nota perfekte, Angie bëri pushime në kamping. Ajo shkëlqeu në rusisht dhe matematikë dhe ishte pjesë e lëvizjes komuniste “Rinia e Lirë Gjermane”. Merkel është liderja e parë gjermane që vjen nga Gjermania Lindore.


Fizikë kuantike
Angela studioi fizikë në Lajpcig, qyteti ku takoi edhe bashkëshortin e saj, Ulrich Merkel. Ai më vonë e cilësoi si “si një vajzë shumë miqësore, të hapur dhe e natyrshme”. Ajo pëlqente të udhëtonte, si këtu në Pragë (e treta nga e djathta ) në vitin 1982. Pas përfundimit të studimeve ajo punoi në Akademinë e Shkencave të Gjermanisë Lindore dhe bëri doktoraturën në kimi kuantike.


Mësuesi
Merkel u bë aktive në politikë e u bashkua me opozitën në Gjermaninë Lindore, kur Perdja e Hekurt ishte duke rënë në vitin 1989. Partia e saj u bashkua me Unionin Kristian Demokrat (CDU) pas bashkimit të Gjermanisë. Kancelari Helmut Kohl e mori Merkel në krahun e tij dhe e bëri pjesë të kabinetit edhe pse ajo nuk kishte lidhje dhe eksperiencë.


Forcë e pandalshme
Merkel në fillim u bë sekretare e përgjthshme e CDU dhe më pas lidere e partisë. Kur partia formoi një koalicion të gjerë me social demokratët pas zgjedhjeve të vitit 2005, ajo u bë Kancelarja e parë femër në Gjermani. Më2018 ajo u tërhoq nga posti i kryetares së CDU-së duke vazhduar drejtimin e qeverisë si kancelare.


Ajo që qesh e fundit…
Merkel ka reputacion të fortë në një botë politike të dominuar nga meshkujt. Si liderja e vendit me ekonominë më të fortë në Europë, zëri i saj ka patur peshë gjatë krizës financiare dhe ka luftuar për interesat e Gjermanisë. Kritkët e akuzojnë se ajo bën shumë manovra politike dhe se nuk reagon në kohë.


Jetë modeste
Merkel u divorcua nga burri i saj i parë: “Një ditë ajo bëri gati valixhet dhe u largua”, tha ai. Më pas ajo u martua me Joachim Sauer, një profesor kimie. Edhe pse ajo nuk ka fëmijë të sajët, Sauer ka dy djem nga martesa e mëparshme. Merkel dhe Sauer jetojnë në një apartament modest në Berlin (fotoja më sipër) dhe kanë në pronësi një dyqan.


Pushime italiane
Merkelit i pëlqen t’i kalojë pushimet në ishullin italian të Iskias, ku noton dhe bën hiking me bashkëshortin e saj. Ndërsa në dimër ajo preferon skitë.


Një mbrëmje në Opera
Merkel rrallë herë bie në sy me veshjet e saj. Këtu merr pjesë në hapjen e Operas së Oslos në krah të ish-kryeministrit të atëhershëm norvegjez , Jens Stoltenberg. Kjo veshja atëherë shkaktoi shumë diskutime në Gjermani. Merkel pëlqen muzikën klasike dhe është një vizitore e rregullt e Festivalit Wagner në Bayreuth.


Histori suksesi gjermane
Merkel ndjek nga afër kombëtaren e futbollit të Gjermanisë në ndeshje të rëndësishme. Pas fitores së Kupës së Botës më 2014, së bashku më Presidentin Joachim Gauck, ajo vizitoi skuadrën në dhomat e zhveshjes.

Autor: Christina Ruta / Amarildo Topi

Burimi: Deutsche Welle

2


Etiketa: ,

CLOSE
CLOSE
Pas