Nga Albert P. Nikolla
Pa kurrfarë droje mundemi me thënë se 10-dhjetori i vitit 1948 ka qenë një ndër ngjarjet më të jashtëzakonshme të shekullit të kaluar. Shënjimi i cakut, të paktën në kartë, se dinjiteti i njeriut është i pacenueshëm e se njerëzit lindin të lirë e të barabartë në dinjitet e të drejta solli një frymë kundër çdo forme dhune që njerëzimit i kishte rënë për hise me provue. Tronditja prej dhunës së Luftës së Dytë Botërore ishte ende e freskët, nuk kishin kaluar as tre vjet prej mbarimit të saj me rreth 50 milionë viktima e ndoshta, kur përvoja e konflikteve preku bash fundin, kjo deklaratë ishte një shpagim i fortë kundër dhunës, skllavërimit, poshtërimit që iu bë njerëzimit, sidomos me dy luftërat e fundit botërore!
Filozofi N. Bobbio pohon se të drejtat e njeriut kanë dhënë kontribut sidomos në krijimin e një “ndërgjegjeje morale globale” që është kundër mohimit të tyre. Megjithëse kjo ndërgjegje nuk është e mjaftueshme për mbrojtjen faktike të të drejtave, pasi kjo e fundit varet fort nga qëndrimi politik dhe historik i një vendi të caktuar, ajo përgatit një ecje kulturore e cila krijon premisat autentike për respektimin e tyre. (N. Bobbio, Sul fondamento dei diritti umani).
Pak të drejta kanë njohur shqiptarët ndër shekuj, qoftë si persona, qoftë si bashkësi etnike, si komb apo si shtet. Si persona dihet se kishin pak të drejta, sepse ishin nën perandorinë osmane e për rrjedhojë aty ato mohoheshin, sidomos për shqiptarët, ishin dramatikisht më të kufizuara përkundrejt grupeve të tjera etnike të perandorisë. Mjafton të përmendim pengesën e së drejtës për shkollim në gjuhën shqipe, që ishte një ndër gjëmat më orëzeza shpirtërore që na shkaktoi ajo perandori. Në fakt nuk është për t’u habitur që të drejtat e njeriut kanë lindur në një areal kulturor e politik të tharmuar kulturalisht e politikisht nga një kulturë hebraiko-kristiane, që ishte një lloj antiteze kulturore e shpirtërore e perandorisë osmane!
Veç perandorisë osmane edhe periudha nga Pavarësia deri në fillimin e Luftës së Dytë Botërore nuk ka xixa që të dëshmojnë për një politikë serioze në mbrojtje të të drejtave të njeriut. Mbreti ishte aq injorant dhe i dhunshëm saqë ishte e pamundur të pritej prej tij një politikë e ndjeshme ndaj këtij argumenti të rëndësishëm. Të mendojmë vetëm për një fakt: në gati 20 vjet të pushtetit të tij prej ministër në mbret nuk ka as dy rreshta të shkruara prej tij për mendimin e vet politik. Përveç kostumeve të prera në Austri, shpenzimet e të cilave sipas Çatin Saraçit shkonin deri në 25% të buxhetit të shtetit, gjithçka tek ai personazh ishte tribale!
Për një kulturë të të drejtave të njeriut deri në kohën e regjimit komunist kanë dhënë një kontribut të madh meshtarët katolikë, publicistët shqiptarë të viteve ’20 e ’30 dhe intelektualët në mërgim, si Mustafa Kruja, Sami Repishti dhe Ernest Koliqi e mjaft të tjerë sivëllezër të tyre. Mjerisht, në rastin e Shqipërisë krijimi i një ndërgjegjeje të thellë në mbrojtje të të drejtave të njeriut ishte e pamundur, sepse në vitin e shpalljes së deklaratës universale të vitit 1948 vendi ynë ishte nën kthetrat e një diktature të egër, prandaj ndodhi krejt e kundërta: u mohuan të drejtat dhe u ndërgjegjësua dhunshëm nëpërmjet provës së formimit të “njeriut të ri” mohimi i lirive të njeriut! Censura komuniste i kishte veshët pipëz e çdo fjalë që vinte nga jashtë kufijve e që kishte të bënte me të drejtat e njeriut duhej hequr nga librat, shkrimet, fjalorët, kumtesat. Të drejtat e njeriut për regjimin komunist ishin një “krijesë borgjeze”, e për rrjedhojë e rremë! Populli shqiptar ishte zot i vetes e nuk kishte nevojë për të drejta, pasi ishte në pushtet (diktatura e proletariatit!).
Është me interes të vërejmë se çështja e respektit të të drejtave të njeriut në Shqipëri ka filluar me një mashtrim publik të përmasave ndërkombëtare. Pas lirisë së vendit prej ushtrisë naziste, diktatori E. Hoxha organizon një konferencë shtypi me gazetarë të huaj më datë 3 dhjetor 1945 dhe deklaron e bën be e rrufe se të drejtat e njeriut për shqiptarët janë të konsakruara me ligj:
Në Shqipërinë e re as ka pasur, as ka, as do të ketë terror e shtrëngim, se ne jemi kundër këtyre. Regjimi ynë është një regjim nga më demokratikët, nga më të përparuarit dhe ligjet tona, që dihen botërisht, janë model ligjesh të një demokracie të përparuar. Të drejtat e njeriut në vendin tonë janë të konsakruara me ligj. Të gjithë kanë të drejtën e fjalës, të mbledhjeve dhe të besimit. Prona private respektohet. Çdo gjë këtu bëhet me ligje dhe mbrohet nga ligji. Ata që thonë të kundërtën, gënjejnë dhe shpifin. Në Shqipërinë e re po ngrihet një jetë e re për gjithë demokratët e ndershëm, për gjithë ata që punojnë drejt. (Gazeta «Bashkimi, Nr. 288, 4 dhjetor 1945)
Koha vërtetoi se E. Hoxha ndoqi pikë për pikë bash të kundërtën e kësaj deklarate. Gjëma e madhe e mosrespektimit të të drejtave të njeriut nga regjimi komunist u shoqërua me kulturën e dhunimit të të drejtave edhe pas rënies së komunizmit. Të drejtat e njeriut, veç aspektit ligjor, përmbajnë një ngarkesë të fortë morale që bazohet në vlerat që ato të drejta përfaqësojnë. Janë pikërisht këto vlera që ngarkojnë një përgjegjësi të madhe morale përveçse politike për ata që drejtojnë shtetin.
Papërgjegjësia politike e morale e një pjese të madhe të politikanëve që kanë pasur peshë të madhe politike pas ‘90-s qëndron në dy pika kryesore: e para ka të bëjë me faktin se të drejtat e njeriut si koncepte morale dhe filozofike e paraprijnë shtetin si të tillë e për rrjedhojë shteti ka tagër vetëm t’i respektojë ato dhe jo të krijojë apo të mohojë të drejta. Vetë ekzistenca e shtetit nënkupton mbrojtjen e të drejtave të njeriut ndërkohë që shumica e këtyre politikanëve kanë mbrojtur “të drejtat e veta”; e dyta ka të bëjë me faktin se këta politikanë dëshmuan se janë skllevër të pashpresë të mendësisë enveriste të të përbetuarit se punojnë për liritë e të drejtat, ndërkohë që me bëmat e tyre shkaktuan aq të këqija sa për nga intensiteti kohor mund të garojnë me të këqijat e regjimit komunist. Në katër muaj të trazirave të vitit 1997 janë vrarë aq persona sa ç’ishin viktimat e regjimit komunist në 40 vjet!
Sa i përket kësaj mendësie, mjafton të përmendim disa raste që dëshmojnë mendësinë antidemokratike të politikanëve paskomunistë. Kryetari i partisë më të madhe opozitare në vend trumbeton se sa të vijë në pushtet partia e tij do të rivendosë dënimin me vdekje; ish-presidenti dhe njëherazi kryeministër për 8 vite radhazi pati quajtur në vitin 2011 presidentin e republikës horr bulevardi, kryeprokuroren e përgjithshme lavire, pati kërcënuar kryetarin e opozitës se nëse do të organizonte demonstrata do ta qëllonte me snajper! Ndërkohë sot e kësaj dite u bën thirrje pa ndalur ndjekësve të tij që ta kapin kryeministrin aktual e ta hedhin në Lanë! Ish-kryetarja e parlamentit në vitin 2011 pati thënë se “kryeministri ka bërë gabim që nuk i vrau me plumb në lule të ballit të gjithë demonstruesit para kryeministrisë”! Më shumë se një kryetare parlamenti e një vendi demokratik, ngjante me ndihmësen e kryekmerit të kuq kamboxhian Pol Poti! Ish-kryeministri i parë i Shqipërisë demokratike pati deklaruar para zgjedhjeve të vitit 2009 se kishte 11 vjet që nuk shkonte për të votuar! Mendësia e dhunës e këtyre politikanëve është një ndër kundërthëniet më dramatike që lidhet me mohimin e lirisë autentike të qytetarëve.
Këta pra janë personat që kanë pasur peshë tejet të lartë në politikëbërjen e 28 vjetëve të fundit! Këtyre u ishte besuar ruajtja dhe respektimi i Kushtetutës! Gjithë drama e politikës se keqe mbështetet te kultura e mbrapshtë politike dhe mungesa e aftësisë për të dalluar të mirën nga e keqja. Jo më kot H. Arendt thoshte se i nënshtruari më i përkryer i një regjimi totalitar nuk është nazisti apo komunisti i bindur, por personi për të cilin ndryshimi ndërmjet së vërtetës dhe rrenës nuk e ekziston.
Mungesa e thellë e një morali politik autentik në vitet e pas-komunizmit në Shqipëri ka krijuar atë që mund ta quajmë “arkitektura e së keqes institucionale”, e cila është bërë pengesë serioze e zhvillimit dinjitoz të shtetit shqiptar. I referohem kohës pas-komuniste dhe jo asaj komuniste, sepse në komunizëm nuk mund të flitet për moral politik në kushtet e mungesës së lirisë! Pra, në këto kohë të tranzicionit të pafund, nën petkun institucional, shpesh të shndërruar në maskë me natyrë institucionale, janë fshehur e fshihen persona të cilët nuk kanë asnjë lidhje, të asnjë lloj natyre me ligjin apo me institucionet. Institucioni publik për ta është si një cofëtinë gjahu ku munden me i shky ndonjë copë mishi. Besoj se është kjo “arkitekturë e së keqes institucionale” që ka krijuar bindjen te strukturat e BE-së se duhet shembur kjo mynxyrë që fshihet nën fasadën e institucionit dhe duhet kryer vettingu’ ose pastrimi prej të korruptuarve të kudondodhur në çdo skutë të shtetit.
Mirëpo kjo “arkitekturë e së keqes” ka lënë një gjurmë të thellë në indin shoqëror pas-komunist në Shqipëri duke krijuar “njeriun antiinstitucional”, i cili e trajton institucionin si plaçkë! Njeriut antiinstitucional në thelbin e tij është tribal dhe ligji është krejt i huaj për të! Ai shfaqet në disa forma, e para është ajo që përmendem më lart duke iu drejtuar krerëve të institucioneve me fjalë fyese që tejkalojnë çdo fjalor rruge. Forma tjetër është më interesante në dukje, por në thelb e njëjtë me të parën. Në rastin e dytë “njeriu antiinstitucional” bën be e rrufe se vdes për respektimin e Kushtetutës, ndërkohë që ai nuk e respekton Kushtetutën. Kjo për faktin se ai nuk kërkon të mirën publike! Pas çdo ligji në një shoqëri formalisht demokratike qëndron përherë e mira publike. Është pikërisht kjo e fundit që mohohet kur nuk respektohet Kushtetuta.
Përshkrimin më të përkryer të “njeriut antiinstitucional” e ka bërë poeti dhe mendimtari italian Xhakomo Leopardi këtu e gati 200 vjet më parë në përmbledhjen me reflektime “Zibaldone”. Megjithëse e shkruar në vitin 1820, vepra e plotë u botua në vitin 1898.
“Nëse ideja e së drejtës dhe e së gabuarës, e së mirës dhe e së keqes morale nuk është e pranishme në mendjen e një politikani, ligjet që ai bën dhe veprimet e tij nëpërmjet ligjit nuk përfillin asnjë princip moral edhe atëherë kur nga ana formale duket se po respekton ligjin”! (Zibaldone. G. Leopardi)
“Njeriu antiinstitucional” nuk është vetëm politikan. Ai është shpesh edhe gazetar, analist, aktor, studiues, e sidomos jurist për të justifikuar çdo shkelje ligji në rrugë formale. Sapo u bë publike mosdëshira e kreut të shtetit për emërimin formal të ministrit të brendshëm, një lukuni e pambarim analistësh u turr të mbështeste “respektimin e Kushtetutës” në rastin e vonesës së emërimit si ministër të Gjeneral Lleshit. Madje, për mjerimin tonë, një ish-president i vendit kërkoi që të hetohej Gjenerali për abuzim me fondet publike në rastin e shpërblimit të dhënë nga gjykata për fajin e presidencës! Deri në këtë pikë arriti guximi i mandatarëve të politikës. Në vend që të akuzohet presidenca për shkeljen ligjore të largimit të padrejtë nga puna të Gjeneralit, fakt i njohur nga gjykata, kërkohet të dënohet Gjenerali pse i është dhënë shpërblimi!
As karikaturistët nuk munguan në garën e shfrenuar të sulmit ndaj Gjeneralit. Kjo mund të shpjegohet me faktin se Gjenerali përfaqëson një lloj tjetër “frymori politik” që është paksa i rrallë në skenën politike shqiptare. Lukunia e analistëve dhe e karikaturistëve është mësuar me modelin kulturor tribal që jep një farë kënaqësie me natyrë orientale sipas të cilit gjithkujt në atë mjerimin e vet i duket vetja pasha që bën ligjin në portalin e vet, në karikaturën e vet, në shkrimin e në marrinë e vet! Sidoqoftë ky rast i emërimit të Gjeneral Lleshit si ministër paraqiti një krisje interesante dhe shpresëdhënëse kundër “arkitekturës të së keqes institucionale”, pasi çdo krizë, paradoksalisht, shënon edhe fillimin i një shprese për më mirë.
Ky përvjetor po shoqërohet edhe me manifestimet studentore që ndokush nga opozita po përpiqet t’i krahasojë me lëvizjen studentore të dhjetorit të ’90-s. Çdo manifestim, kur është në mirëbesim, dëshmon shpirtin demokratik të një shoqërie. Edhe kjo lëvizje përderisa nuk do të keqpërdoret politikisht, sidomos nga ndonjë grupim parapolitik nga jashtë Shqipërisë, do të japë impulse mjaft domethënëse në demokratizimin e jetës universitare. Por në një shoqëri demokratike menaxhimi i institucioneve ka natyrë të decentralizuar, për rrjedhojë do të ishte më e udhës që studentët të protestonin së pari pranë katedrave, fakulteteve dhe universiteteve përkatëse dhe jo direkt te ministria e arsimit. Protesta direkt te ministria i jep asaj natyrë politike pavarësisht se ata që drejtojnë protestën e mohojnë një gjë të tillë. Nga ana tjetër, që një manifestim të ketë impakt në jetën universitare nuk mund të reduktohet vetëm tek përmasa financiare. Kryefjala e protestës është “tarifa”! Lëvizja më e madhe studentore e shekullit të njëzetë, në vitin 1968, nuk u mor me çështje financiare por pushtoi katedrat e universiteteve duke kërkuar reformim të plotë të sistemit universitar pasi e keqja buronte nga aty e jo vetëm nga politika.
U takon njerëzve vullnetmirë e intelektualë të ndershëm që çdo krizë ta përdorin për mirë për një reflektim politik e moral në mënyrë që mundësia që jep kriza të shndërrohet në veprim pozitiv. E shkruante bukur Sami Repishti, intelektual dhe veprimtar i shquar i të drejtave të njeriut, se “janë mendjet fisnike që e transformojnë tragjedinë tonë kolektive në nji kryqëzatë kundër Torturës; në çdo vend e në çdo kohë”. Kjo krisje do të kërkojë patjetër një rikonceptim në drejtimin e institucioneve themelore të shtetit, ku përparësia do të jetë respektimi dhe jo përdorimi i institucioneve! Përparësia duhet t’i jepet përherë personit njerëzor dhe dinjitetit të tij, pasi këto përbëjnë edhe thelbin e të drejtave të njeriut të cilat nuk rrinë në ajër: ato konkretizohen te çdo veprim që ka të bëjë qoftë edhe me një person të vetëm.