Kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi e mbylli seancën pas votimit të ligjeve në rendin e ditës, por opozita vijon të qëndrojë duke folur përmes Facebook.
Sali Berisha e akuzoi qeverinë për lidhjet me krimin, teksa thotë se kryeministri Edi Rama ka zgjedhur drogën para Europës.
“Edi Rama ka zgjedhur drogën para Europës, sepse kur kishte marrë njoftime të përsëritura nga qeveria kolumbiane për 613 kg drogë në portin e Durrësit, bëri gjithçka që ta plaçkiste, ndërroi drejtorin e portit dhe çdo veprim tjetër. Pasi dështoi totalisht u kujtua se aty kishte drogë dhe thotë se e kapin pa ndihmën e askujt ndërkohë që agjencitë e ndryshme kishin dhënë njoftime”, tha Berisha.
“Rama është rilindësi për të cilën bënte fjalë në telefonatat me të dashurën e tij Met Kanani, Eskobari tjetër. Do fitojë rilindësi, i thoshte e dashura Met Kanani, Kanani mik kishte Gramozin, por në rilindës lartësonte vetëm Ramën”, tha Berisha.
Teksa deputetët e opozitës ishin në foltoren e Kuvendit kreu i grupit parlamentar socialist Taulant Balla kërkoi që të hiqej dorë nga diskutimet dhe të kalohej me një herë në votim.
“Shqiptarët nuk duan fjalë po vepra, votoni sepse në secilën për zonat nga keni ardhur mezi presin investime nga rrjeti vaditës. Zoti kryetar i Kuvendit dua t’u kërkoja të hiqnim dorë nga diskutimet dhe të kalojmë menjëherë në votim”, tha Balla.
Kreu i Kuvendit, Gramoz Ruçi pranoi propozimin e Ballës duke kaluar menjëherë në votim, teksa opozita vijonte të fliste në foltore. Pas votimit maxhoranca iku nga salla.