Kreu i Kuvendit, Gramoz Ruçi nuk ka ngurruar të bëjë një krahasim mes besimtarëve dhe politikanëve në konferencën “Feja si Instrument për Paqen”. Ai u shpreh se vija e tyre ndarëse është se politikanët besojnë më shumë partitë sesa ndjenjat, ndërsa besimtarët orientohen më shumë tek dashuria në Zot sesa tek anëtarësimi në një bashkësi fetare.
Më tej, u ndal edhe tek refuzimi i Këshillit Evropian për çeljen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, duke u shprehur se në të ardhmen ky vendim do të marrë ngjyrime fetare.
“Në fjalën time do të ndaj disa mendime se përse harmoninë fetare, si një nga krenaritë tona, nuk kemi mundur ta shtrijmë në marrëdhëniet politike, sepse ne politikanët jemi më pak tolerantë, ose jo tolerantë. Hipoteza ime lidhet se si janë ndërtuar institucionet fetare dhe ato politike. Këtu është një rrënjë problemi. Besimtarët tanë janë më besimtarë të fesë, sesa anëtarë të institucioneve; idetë dhe ndjenjat mbizotërojnë mbi anëtarësinë e tyre në institucion.Kjo ka bërë që të gjejnë pika të përbashkëta.
Nga ana tjetër, në politikë, kemi simpati e anëtarësi që mbizotërojnë mbi ndjenjat. Besimtarët besojnë në Zot, politikanët besojnë më shumë tek partitë. Institucionet fetare kanë bërë thirrje për tolerancë. Besimi dhe vlerat fetare janë zhvilluar në lidhje të ngushtë. Kam bindjen se vendimi i Këshillit Evropian është i gabuar. Por qëndrimi i tyre ndaj Ballkanit Perëndimor, do të marrë në të ardhmen ngjyrime fetare. Ballkani Perëndimor është për integrimin evropian”-u shpreh Gramoz Ruçi.