Deputetja Rudina Hajdari duke folur në Komisionin e Posaçëm për Reformën Zgjedhore, ku është bashkëkryetare me Damian Gjiknurin deklaroi se kandidatët për deputetë për të hyrë në parlament duhet të paguajnë 1 milionë euro.
“Kemi arritur në një pikë ku një mandat nga një deputet kushton gati 1 milion euro. Kjo tregon që jemi në një pozitë të vështirë, sepse tregu i zgjedhjeve është kthyer në një treg të zi të shitblerjes së votës. Mendoj se një nga obkjektivat e këtij komisioni është që duhet të arrijmë një konsensus politik që t’i japë mundësi shqiptarëve të përfaqësohen në zgjedhje dhe në mënyrë që njerëzit më të mirë e më të ndershëm të jenë pjesë e Parlamentit”, tha Hajdari.
Më tej ajo tha se kjo reformë kërkon vullnet të gjerë politik. “Zgjedhjet kanë qenë problematike dhe janë përdorur shumë nga partitë e mëdha, dhe sistemi aktual ka qenë gracka e kësaj, duke mos i dhënë prioritet popullit”, tha ajo.
Kujtojmë se pjesë e këtij komisioni janë deputetë të PS dhe deputetë të rinj që dolën nga listat e PD-LSI, pasi opozita dogji mandatet.