Eseisti Rudolf Marku vjen me librin e tij të fundit që do të promovohet sot në orën 18:00, në Universitetin Europian të Tiranës, si botim i UET-Press.
“Një letër që na vjen pas vdekjes” e titullon librin e tij me ese të botuara në gazetën MAPO.
“Rudolf Marku i ka propozuar që herët lexuesit shijen e lirë, antikonformizmin dhe mendjen e hapur, për ta çliruar nga frenimet e tabuve. Në realitetet që sjell, as sot ai nuk është entuziast, por mbetet optimist në kërkimin e së vërtetës”, shkruan Zija Çela në një shënim të shkurtër në hyrje të librit.
Ndërsa Remzi Lani në parathënien e librit e cilëson një “libër për librat, aq sa është një libër për njerëzit”.
“Refuzues dhe kontestues, autori i shmanget ‘gropave të festave’, siç do të thoshte Majakovski.
Ai mendon se shqiptarët e vitit 2014 ndodhen prapë në udhëkryq”, shkruan Lani më tej.
Për ata që janë dashamirës e lexues të rregullt të publicistikës së Markut në gazetën MAPO, do të kenë mundësinë që krijimet e tij t’i kenë të gjitha bashkë në bibliotekën e tyre.