Editorial

Ruleta e fundit e Ramës








Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 09:30 - 12/09/20 |
Mapo.al

Vendimi për rikthimin e kazinove me zulmë e me drita mu në mes të Tiranës, është treguesi më i qartë se Rama dhe qeveria e tij, janë duke bërë ato nderet e fundit, përpara ikjes. Sak, kap ça të kapësh. E megjithatë, asgjë nuk e justifikon këtë kthim pas.


Vetëm Edi Rama ndihet aq shumë mbi qytetarët e vendit, sa vendos të kthejë me një të rënë të lapsit industrinë e vesit, pa dhënë kurrfarë sqarimi.


Vetëm pak vite më parë u shfaq si mesia në ekran, që po shpëtonte shoqërinë e familjet nga kumari i zi.


Ai madje shkoi deri atje sa tha, që për festën e vitit të ri, po bënte më të madhen dhuratë që një kryeministër mundet të bëjë për popullin e tij, duke u kthyer burrat e djemtë në shtëpi, nënave e grave.


Një heshtje totale tani që vendosi ti rikthejë. Rama edhe kësaj here u soll sikur nuk ka detyrim ndaj askujt.

Ky është vendi që ai sundon, është tryeza e tij e lojës, është kazinoja dhe ruleta e tij, dhe i hedh zaret si të dojë.

Sigurisht nuk ndihen as ata altoparlantët e tipit balla-brace që ka vërdallë, të cilët kur ai gjasme mbylli lojërat e fatit, i bënë aq shumë jehonë aktit.

Pas tronditjes nga tërmeti, pas shkundjes nga pandemia, ekonomia jonë është totalisht në zgrip.

Dhe kur çdokush pret nga qeveria masa, stimuj, programe, vizione për të çliruar investimet, për të hapur vende pune, për të ndihmuar biznesin e sipërmarrjen, Edi Rama sjell kazinotë.

Mesazhi i këtij vendimi është i qartë. Secili të provojë fatin, se rrugë tjetër nuk ka.

Ramës nuk i ka dalë keq. Ruleta e tij ka funksionuar mirë këto 22 vite.

Problemi është se njerëzit janë jo pak të tronditur nga kriza e thelluar në çdo drejtim, dhe vetëm një kurs i mirëmenduar, një zgjidhje e thellë së pari politike, do të sillte dritë në fund të tunelit. Dritat e kazinove janë thjesht një tjetër fasadë që fsheh erozionin e madh anekënd.

Po padyshim ato janë edhe një instrument i mirë për pastrimin e parave të krimit dhe korrupsionit. Njihen në çdo literaturë si mënyra më efikase pas artefakteve.


Etiketa:

Pas