Në Ukrainë është dita e 59-të e luftës, ndërsa pashkët ortodokse duket se nuk do të ndalin forcat ruse, pavarësisht apeleve të vazhdueshme.
Synimi i Moskës është që të marrë kontrollin e Donbasit dhe jugut të Ukrainës. Ndërkohë fotot satelitore kanë zbuluar praninë e varreve masive në Mariupol.
Autoritetet lokale kanë bërë publike pamjet e një varri masiv në fshatin Vynohradne me gjatësi rreth 45 metra ku mund të varroseshin deri në 1 mijë civilë.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky ka paralajmëruar se pushtimi i Ukrainës është vetëm fillimi dhe Putin nuk do të ndalet pasi dëshiron të pushtojë vendet e tjera.
Në fjalimin e tij mbrëmjen e kaluar, Zelensky tha: “Pushtimi i Ukrainës është vetëm fillimi, ata duan të pushtojnë edhe vende të tjera. Ne do të mbrohemi për aq kohë sa të jetë e nevojshme për të thyer këtë ambicie të Rusisë”.
Ndërsa këshilltari i Zelenskyt, me anë të një reagimi në Twitter thotë se objektivi i radhës i Moskës është Moldavia.
Ndërkohë BE po përgatitet të zbatojë paketën e gjashtë të sanksioneve kundër Moskës javën e ardhshme. Masat e reja mund të përmbajnë ndalimin e importit të naftës, edhe nëse po punohet për modalitetet. Gjithashtu është planifikuar zgjerimi i listës së bankave ruse të përjashtuara nga sistemi Sëift.
Britania e Madhe, në përditësimin më të fundit mbi situatën në Ukrainë në ditën e 59-të, ka deklaruar forcat ruse nuk kanë bërë shumë përparim në 24 orët e fundit pasi kundërsulmet ukrainase vazhdojnë të pengojnë përpjekjet e tyre.
Breshëri raketash kanë rënë mbi Odessa në ndërtesa dhe subjekte ushtarake. 5 persona, me të cilëve edhe një foshnje kanë humbur jetën, ndërsa siç raportohet 18 të tjerë janë plagosur nga sulmet ruse pasdite e sotme.
Ndërkohë sipas zyrtarëve të lartë nga Mariupoli, rusët dëbojnë ukrainasit nga qytetet e tyre, nëpër vende si Siberia.