Aktualitet

Rusia: Bisedimet mbi Ukrainën, në një rrugë pa krye. Polonia paralajmëron mbi rrezikun e një lufte














Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 17:03 - 14/01/22 |
mapo.al

Rusia: Bisedimet mbi Ukrainën, në një rrugë pa krye. Polonia paralajmëron mbi rrezikun e një lufte

Ministri i Jashtëm i Polonisë tha të enjten se Evropa po rrezikonte të futej në luftë. Komentet e tij vijnë ndërsa Moska thotë se përpjekjet për zgjidhje diplomatike do të vazhdojnë, duke bërë të ditur njëkohësisht se ekspertët e saj ushtarakë po përgatisnin alternativa nëse tensionet mbi Ukrainën nuk shuhen.






Ambasadori amerikan në OSBE Michael Carpenter tha pas bisedimeve me Rusinë në Vjenë, se Perëndimi duhet të përgatitet për një rritje të mundshme të tensioneve me Moskën. “Daullja e luftës po bie fuqishëm dhe retorika është bërë mjaft e mprehtë“, u tha ai gazetarëve.


Rusia tha se dialogu do të vazhdonte, por po shkonte drejt një rruge pa krye, duke iu referuar përpjekjeve të saj për të bindur Perëndimin që të mos lejojë anëtarësimin e Ukrainës në NATO-n si dhe të zhbëjë dekada të tëra zgjerimi të aleancës në Evropë, kërkesa këto që Shtetet e Bashkuara i kanë quajtur të papranueshme.







Në këtë fazë (që jemi) është vërtet zhgënjyese“, u tha gazetarëve ambasadori rus Alexander Lukashevich pas një takimi të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), përpjekja e tretë në një seri bisedimesh Lindje-Perëndim këtë javë.




Ai paralajmëroi për ‘pasoja të mundshme katastrofike’ nëse të dyja palët nuk mund të bien dakord për atë që Rusia e ka quajtur ‘vijë e kuqe’ lidhur me sigurisë. Ai shtoi se megjithatë Moska nuk kishte hequr dorë nga diplomacia dhe madje do ta përshpejtonte atë.



Komentet e zyrtarëve rusë pasqyrojnë një model të njohur Moskës, e cila thotë se dëshiron të vazhdojë me përpjekjet diplomatike, por që refuzon thirrjet për të ndalur grumbullimin e trupave ushtarake të saj pranë Ukrainës ndërsa paralajmëron për pasoja, të cilat nuk i ka specifikuar, mbi sigurinë perëndimore nëse kërkesat e saj nuk merren parasysh.

Më herët, Ministri i Jashtëm polak Zbigniew Rau tha në forumin e sigurisë me pjesëmarrjen e 57 vendeve se: “rreziku i luftës në zonën e OSBE-së duket të jetë aktualisht më i madh se kurrë në 30 vitet e fundit”.

Komenti i tij nënvizoi nivelin e ankthit evropian rreth rritjes së pranisë ushtarake të Rusisë në kufi me Ukrainën. Moska ka vendosur aty rreth 100,000 trupa.

Zoti Rau nuk njoftoi asnjë përparim pas takimit, që pasoi një takim Rusi-SHBA mbajtur në Gjenevë të hënën dhe mbledhjen e këshillit Rusi-NATO në Bruksel të mërkurën.

Diferencat në qasje

Zëvendësministri i Jashtëm rus Sergei Ryabkov tha se takimet e mëparshme kishin treguar se kishte një “ngërç apo ndryshime në qasje” dhe se ai nuk shihte asnjë arsye për t’u ulur sërish në ditët në vijim për të rifilluar të njëjtat diskutime.

Ai tha për televizionit RTVI se specialistët ushtarakë rusë po i ofronin alternativa Presidentit Vladimir Putin në rast se situata rreth Ukrainës përkeqësohej, por shtoi se diplomacisë i duhej dhënë një mundësi. “Duhet të ritheksoj se dialogu është ende duke u zhvilluar në shumë nivele dhe në shumë drejtime”, tha zoti Ryabkov.

Monedha ruse, rubla, ra me më shumë se 2% kundrejt dollarit nga komentet e zotit Ryabkov, gjë që shkaktoi gjithashtu shitjen e obligacioneve qeveritare. Një përfaqësues i një banke të madhe ruse i tha agjencisë ‘Reuters’ se tregu kishte reaguar pjesërisht ndaj një komenti të zotit Ryabkov, në përgjigje të një pyetjeje, i cili as nuk e konfirmonte dhe as e përjashtonte mundësinë se Rusia mund të dislokonte “infrastrukturë ushtarake” në Kubë dhe Venezuelë.

Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken i tha rrjetit televiziv MSNBC se “nuk dihet se cilën rrugë do të zgjedhë Vladimir Putin. A do të zgjedhë rrugën e diplomacisë dhe dialogut, për të zgjidhur disa nga këto probleme, apo do të ndjekë rrugën e konfrontimit dhe agresionit?”

Sekretari amerikan i Mbrojtjes Lloyd Austin, zhvilloi një telefonatë me homologun e tij ukrainas, Oleksii Reznikov, për të diskutuar rreth rritjes se pranisë ushtarake ruse. Pentagoni vlerëson se rreth dy të tretat e forcave ruse pranë Ukrainës kanë ardhur nga pjesë të ndryshme të vendit.

Ministri i Jashtëm i Ukrainas Dmytro Kuleba tha se: “besoj se e vetmja mënyrë që rusët të konfirmojnë se nuk kanë si synim t’i zgjidhin problemet me forcë është që të vazhdojnë diskutimet, sipas formateve të vendosura, veçanërisht në OSBE”.

Rusia i ka hedhur poshtë komentet se po planifikon një sulm ndaj Ukrainës, por dislokimi i trupave ushtarake ka detyruar Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj të ulen në tryezën e bisedimeve.

Moska thotë se ndihet e kërcënuar nga zgjerimi i NATO-s drejt kufijve të saj, duke u zgjeruar me 14 anëtarë të rinj nga Evropa Lindore që nga përfundimi i Luftës së Ftohtë. Ajo dëshiron të përcaktoje “vijat e kuqe” për të ndaluar aleancën të pranojë Ukrainën si anëtare apo që të dislokojë raketa atje.

Uashingtoni i ka hedhur poshtë këto kërkesa, por thotë se është i gatshëm të bisedojë mbi çështjen e kontrollit të armëve, dislokimin e raketave dhe masat për ndërtimin e besimit për të tejkaluar një nga momentet më të vështira në marrëdhëniet Lindje-Perëndim që nga Lufta e Ftohtë.

Eleminimi i kërcënimeve

Ambasadori Lukashevich tha gjatë takimit në kuadër të OSBE-së se nëse Moska nuk merr një përgjigje konstruktive: “ne do të detyrohemi të nxjerrim përfundimet e duhura dhe të marrim të gjitha masat e nevojshme për të siguruar ekuilibrin strategjik dhe për të eliminuar kërcënimet e papranueshme për sigurinë tonë kombëtare“.

Ai vazhdoi duke thënë se: “Rusia është një vend paqedashës. Por ne nuk kemi nevojë për paqe me çdo kusht. Nevoja për të marrë këto garanci sigurie të zyrtarizuara ligjërisht për ne është e pakushtëzuar“.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg tha pas bisedimeve me Rusinë të mërkurën se vendet duhet të jenë të lira të zgjedhin marrëveshjet e tyre të sigurisë.

Zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov kritikoi një projektligj sanksionesh të prezantuar nga demokratët në Senatin amerikan të mërkurën, sipas të cilit nëse Rusia do të sulmonte Ukrainën do t’u vendoseshin sanksione zyrtarëve të lartë të qeverisë ruse e ushtarakëve, përfshirë edhe Presidentin Vladimir Putin, e institucione bankare.

Zoti Peskov tha se vendosja e sanksioneve ndaj zotit Putinit do të ishte e barabartë me ndërprerjen e marrëdhënieve.

Ne e shohim paraqitjen e dokumenteve dhe deklaratave të tilla një zhvillim jashtëzakonisht negativ në sfondin e një serie negociatash në vazhdim, megjithëse të pasuksesshme“, tha ai.

Zoti Peskov u citua nga agjencia e lajmeve TASS të ketë thënë se zoti Putin po merrte përditësime të rregullta mbi bisedimet dhe se Kremlini ishte i qartë për rezultatet, por po priste përgjigje nga pala tjetër me shkrim.

Zoti Carpenter tha në takimin e OSBE-së se: “Ndërsa përgatitemi për një dialog të hapur se si të forcojmë sigurinë për të mirën e të gjithëve, ne duhet të refuzojmë me vendosmëri shantazhet dhe të mos lejojmë kurrë që agresioni dhe kërcënimet të shpërblehen“.

Rusia ka thënë se do të vendosë mbi lëvizjet e saj të ardhshme pas bisedimeve të kësaj jave dhe kërcënoi me “masa ushtarako-teknike”, të cilat nuk i specifikoi, nëse kërkesat e saj refuzohen.

Zëvendës Sekretarja amerikane e Shtetit Wendy Sherman tha të mërkurën se nëse Rusia tërhiqej (nga përpjekjet diplomatike), ky do të ishte një tregues se ajo nuk e ka marrë me seriozitet diplomacinë që në krye të herës./REUTERS

2



CLOSE
CLOSE
Pas