Presidenti rus Vladimir Putin dhe homologu francez Emmanuel Macron bëjnë thirrje për armëpushim të menjëhershëm midis forcave etnike armene në Nagorno-Karabak dhe Azerbajxhanit. Kështu deklaroi Kremlini në një deklaratë për mediat.
“Vladimir Putin dhe Emmanuel Macron u bënë thirrje palëve ndërluftuese të ndalojnë zjarrin plotësisht dhe sa më shpejt të jetë e mundur, të de-përshkallëzojnë tensionet dhe të tregojnë përmbajtje maksimale”, tha Kremlini duke shtuar se udhëheqësit diskutuan për “parametrat konkretë të bashkëpunimit të metejshëm” në një bisedë telefonike.
Por këto thirrje nuk kanë dhënë asnjë ndikim në dy vendet luftuese, shkruan Aljazeera, duke iu referuar rritjes së numrit zyrtar të të vdekurve në Nargorno-Karabak, si dhe deklaratave të Azerbajxhanit dhe Armenisë.
Presidenti i Azerbajxhanit, Ilham Aliyev premtoi se ushtria e tij do të vazhdojë luftimet derisa trupat armene të tërhiqen plotësisht nga Karabaku. “Nëse qeveria armene përmbush kërkesën, luftimet dhe gjakderdhjet do të marrin fund dhe paqja do të vendoset në rajon”, tha ai ndërsa vizitoi ushtarët e plagosur të mërkurën. Nga ana tjetër, kryeministri armen Nikoll Pashinyan tha se nuk ishte “shumë e përshtatshme” të flitej për negociata “në një kohë të armiqësive intensive”.
Në kryeqytetin armen, Jerevan, dhjetëra burra u mblodhën përpara një zyre rekrutimi për t’u bashkuar me luftën. Udhëheqësi i Karabakut, Arayik Harutyunyan tha të mërkurën: Ne duhet të përgatitemi për një luftë afatgjatë.
Konflikti i ka rritur tensionet midis aleatëve të NATO-s, Francës dhe Turqisë. Ministri i Jashtëm turk, Mevlut Çavusoglu akuzon Francën për mbështetje të forcave armene në Azerbajxhan. ( Franca është shtëpia e shumë njerëzve me origjinë armene ndërsa Turqia ka mbështetur shtetasit e saj turk në Azerbajxhan.)