Komandanti kryesor ushtarak i NATO-s, gjenerali Philip Breedlove, ka paralajmëruar se militarizimi i Rusisë në Gadishullin e Krimesë, të aneksuar prej tyre, mund të përdoret për të zgjeruar kontrollin në të gjithë Detin e Zi.
Duke folur në Kiev, gjenerali Breedlove tha se asetet ushtarake ruse, të instaluara në Krime, mund të kenë efekt në thuajse të gjithë Detin e Zi.
Breedlove është në Ukrainë për bisedime të nivelit të lartë me liderët ukrainas.
Rusia e aneksoi Krimenë nga Ukraina në mars të këtij viti.
Ministria e Mbrojtjes e Rusisë bëri të ditur të mërkurën se ka dërguar 14 avionë ushtarakë në Krime si pjesë e një flote prej 30 avionësh që do vendosen aty.
Breedlove kishte thënë më herët se një numër i madh trupash ruse janë brenda në Ukrainë duke trajnuar dhe këshilluar rebelët separatistë.
Rusia i ka mohuar këto akuza.
Konflikti në Ukrainë ka shkaktuar më shumë se 4317 viktima.
Në një tjetër zhvillim, kancelarja gjermane, Angela Merkel ka lëshuar një sulm të fortë ndaj veprimeve të Rusisë në Ukrainë.
Duke folur në parlamentin gjerman, ajo tha se asgjë nuk e justifikon pjesëmarrjen direkte ose indirekte të Rusisë në luftimet që po zhvillohen në lindje të vendit.
“Rusia po vënë në pikëpyetje paqen në Europë”, tha ajo.