Aktualitet

Rusia e do prapa hekurave – Navalny: Të dielën kthehem në shtëpi








Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 16:22 - 13/01/21 |
mapo.al

Kritiku kryesor i Kremlinit, Alexei Navalny, tha të mërkurën se do të kthehet në Rusi gjatë fundjavës, me gjithë njoftimin e shërbimit rus të burgjeve se do ta hedhë prapa grilave nën pretendimet për shkeljen e rregullave të dënimit të tij me kusht.



Zoti Navalny, i cili po kurohej në Gjermani nga një helmim i muajit gusht me një agjent nervor, për të cilin ai e ka fajësuar Kremlinin, akuzoi presidentin rus Vladimir Putin se po përpiqej ta pengonte për t’u kthyer në shtëpi me veprime të reja ligjore.


Kremlini ka mohuar vazhdimisht të ketë pasur ndonjë rol në helmimin e udhëheqësit të opozitës.



“Putini po ngulë këmbë duke kërkuar të bëjë gjithçka në mënyrë që unë të mos kthehem në shtëpi,” tha Navalny, duke treguar një kërkesë të Shërbimit të Burgjeve Federale ruse bërë gjykatës që të zëvendësojë dënimin e tij me kusht me një dënim më burgim.



Ai tha se do të fluturojë të dielën nga Gjermania për në shtëpi.


Në fund të dhjetorit, Shërbimi Federal i Burgjeve kërkoi që Navalny të paraqitej në zyrat e tij në përputhje me kriteret e një dënimi me kusht që iu shqiptua atij në vitin 2014 nën akuzat e përvetësimit dhe pastrimit të parave, të cilin zoti Navlany e cilësoi si të motivuar politikisht. Shërbimi paralajmëroi se ai do të përballet me burgun nëse nuk do të paraqitet.

Navalny thotë se dënimi i tij me kusht përfundoi më 30 dhjetor.

Ai gjithashtu vuri në dukje se Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut e kishte cilësuar të paligjshëm dënimin e vitit 2014.

Zoti Navalny ra në koma ndërsa ishte në fluturim e sipër nga Siberia për në Moskë më 20 gusht. Ai u transferua dy ditë më vonë në një spital në Berlin.

Laboratorët në Gjermani, Francë dhe Suedi si dhe testet nga Organizata për Ndalimin e Armëve Kimike, vërtetuan se ai i ishte ekspozuar agjentit nervor Novichok të epokës sovjetike.

Autoritetet ruse këmbëngulën se mjekët që trajtuan zotin Navalny në Siberi para se të transferohej në Gjermani, nuk gjetën asnjë gjurmë helmi dhe sfiduan zyrtarët gjermanë që të sigurojnë prova të helmimit të tij. Ata nuk pranuan të hapnin një hetim të plotë penal, duke përmendur mungesën e provave që zoti Navalny ishte helmuar.

Muajin e kaluar, zoti Navalny publikoi regjistrimin e një telefonate që ai tha se i bëri një burri që ai e përshkroi si anëtar të supozuar të një grupi oficerësh të Shërbimit Federal të Sigurisë, ose FSB, i cili me sa duket e helmoi atë në gusht dhe më pas u përpoq ta mbulonte veprimin.

FSB-ja e hodhi poshtë regjistrimin si të rremë./VOA/


Etiketa: , ,

Pas