Garës për vaksinën kundër Covid-19 është shtuar edhe Rusia, që edhe synon të fitojë. Specialistët rusë kanë dyfishuar përpjekjet duke shpresuar se do të prodhojnë, në pak muaj trajtim efektiv për koronavirusi i ri.
Kjo hyrje e re që i shtohet garës së ekspertëve amerikanë dhe evropiane, të cilët po ashtu janë thellësisht të angazhuar në këtë punë, të kujton rivalitetin e Luftës së Ftohtë. Rusët po shfrytëzojnë një laborator trashëguar nga BRSS që ndodhet afër Novosibirsk, në Siberi.
Është një qendër e fshehtë, e quajtur “Vektor”, unike në llojin e vet, e krijuar fillimisht për përgatitjen për një luftë bakteriologjike. Informacionet për të janë fare të pakta.
Këtë javë, Rinat Maksyutov, menaxher i përgjithshëm i këtij laboratori, që njihet zyrtarisht si Qendra Kërkimore Shtetërore për Virologji dhe Bioteknologji, njoftoi se ata janë në fazën e provave klinike prej tre vaksinat të mundshme, dhe se më 29 qershor do te testohen në 180 persona vullnetarë.
Këto teste do paraprihen nga testet e përshpejtuara në kafshët laboratorike, tha shefi i “Vektor”, gjatë një videokonference me Putin. Maksyutov tha se teknologjia dhe përvoja që ka “Vektor”, që tashmë ka prodhuar dhjetë vaksina, do ta lejojnë atë për të minimizuar fazat paraprake para testimit klinik, duke shpresuar për një përgjigje të besueshme për virusin në disa muaj.
Aksidentet në “Vektor”
E vendosur 30 kilometra nga Novosibirsk, qendra ultra e sigurtë “Vektor” rrethohet nga mure të lartë betoni, mbi të cilët janë vendosur tela me gjemba, dhe mbrohet nga kamera monitorimi. Fotot e rralla të bëra Brenda saj tregojnë shkencëtarë të veshur me uniforma mbrojtëse të ngjashme me ato të kozmonautëve. Ish qendra e zhvillimit të armëve biologjike e epokës sovjetike, është një nga vetëm dy strukturat e këtij lloji në botë, tjetri është në Atlanta, SHBA.
Por aty ka patur të paktën dy aksidente fatale që janë raportuar. Në 2004, një asistent laborante, Antonina Presnyakova, u infektua gjatë një manipulimi. Ajo u varros në një arkivol zinku për të shmangur ndotjen. Të njëjtin fat tragjik pati edhe Nicolas Ustinov, disa vite më parë. Shkencëtari i ri aksidentalisht u shpua në gisht me një gjilpërë ndërsa merrte gjak në një derr i infektuar. Para se të vdiste, Ustinov kishte mbajtur ditar. Pas vdekjes së tij, fletorja nuk iu kthye vejushës, por u dogj.
Teoritë e konspiracionit
Edhe shtatorin e kaluar në sitin “Vektor” ndodhi një shpërthim dhe një zjarr. Aksidenti që u shkaktua nga një bombol gazi, zyrtarisht pati vetëm të dëmtuar. Ngjarja megjithatë ktheu frikën e ndotjes,por ajo u mohua menjëherë nga agjensia e specializuar qeveritare. Me këtë reputacion dhe i rrethuar nga misteret, laboratori “Vektor” nuk ndalet kurrë së prodhuari edhe thashetheme.
Javën e kaluar, blogeri rus Alexander Thorn hodhi në llogarinë e tij në Tëitter një njoftim se po hetohej zyrtarisht për “Informacion të rremë”, pasi kishte postuar një video satirike me të cilën ai pretendonte se koronavirusi u krijua në të famshmin Laboratori i Siberisë.
Ai tha se me atë video po tallej me teoritë e konspiracionit që qarkullojnë në Rusi, në të cilat pretendohet se epidemia Covid-19 ka dalë nga “Vektor”. Kjo është bërë tashmë një çështje shumë e ndjeshme. Rusia miratoi në mars një ligji që parashikon deri në pesë vjet burg, për ata që shpërndajnë informacion të rremë në lidhje me koronavirusin. /Le Figaro
/Përktheu: Mapo.al/