Evakuimi i së premtes shënon fundin e rrethimit më shkatërrues të luftës, cuke lënë pas Mariupolin nën rrënoja të plota.
Ministria ruse e Mbrojtjes tha se qyteti dhe fabrika e tij e çelikut tani janë “çliruar plotësisht” pasi 531 trupa ukrainase u larguan nga vendi.
“Objektet e nëndheshme të ndërmarrjes, ku fshiheshin militantët, u vunë nën kontrollin e plotë të forcave të armatosura ruse”, shtoi ajo në një deklaratë.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha se mbrojtësit e fundit të mbetur të zonës kishin marrë leje të largoheshin.
“Sot djemtë morën një sinjal të qartë nga komanda ushtarake se ata mund të dalin dhe të shpëtojnë jetën e tyre,” i tha ai një kanali televiziv ukrainas më herët të premten.
Për javë të tëra, zona e Azovstal ishte e rrethuar plotësisht.
Një autobus transporton trupat ukrainase të dorëzuar në Azovstal më 20 maj, nën shoqërimin ushtarak
Forcat ruse bllokuan hyrjen e të gjithë ndihmave humanitare, bombarduan vendin nga ajri dhe kërkuan që mbrojtësit e mbetur të ulnin armët.
Shumë prej të bllokuarve brenda ishin civilë, duke përfshirë gra, fëmijë dhe të moshuar. Në fillim të këtij muaji ata u evakuuan plotësisht pas negociatave të mundimshme të koordinuara nga OKB-ja dhe Kryqi i Kuq, që zgjatën për javë të tëra.
Por refuzimi i vazhdueshëm i mbrojtësve ukrainas të zonës për t’u dorëzuar, nënkuptonte se Rusia nuk ishte në gjendje të kishte kontroll të plotë mbi qytetin strategjik.
Për shumë ukrainas, mbrojtësit e Azovstal u kthyen në heronj kombëtarë që simbolizonin rezistencën kokëfortë të vendit.
Qindra ushtarë të strehuar brenda ishin marinsa, pjesëtarë të Gardës Kombëtare (duke përfshirë regjimentin Azov), rojet kufitare, policinë dhe njësitë e mbrojtjes territoriale.
Me furnizime ushqimore të pakësuara dhe pa ujë, ata jetuan për javë të tëra në bunkerë dhe tunele nëntokësore pa parë dritën e ditës.
Kompleksi i shtrirë prej katër miljesh katrorë është një labirint tunelesh të krijuar për t’i mbijetuar një lufte bërthamore.
Komandanti i tyre tha se të gjitha trupat e plagosur tani ishin marrë nga autobusët dhe ambulancat ruse.
Fati i mbrojtësve ukrainas
Sipas zyrtarëve të Moskës, evakuimi i sotëm do të thotë se gjithsej 2,439 luftëtarë ukrainas janë dorëzuar. Moska nuk ka dhënë asnjë informacion se ku po evakuohen ushtarët që u larguan sot, por autobusët e mëparshëm janë dërguar në territoret e kontrolluara nga Rusia.
Rusia thotë se 531 ukrainasit e mbetur në fabrikën e çelikut, u dorëzuan të premten
Një video e publikuar nga ministria ruse e mbrojtjes, tregon një varg burrash të paarmatosur që iu afrohen ushtarëve rusë jashtë uzinës dhe japin emrat e tyre. Më pas, rusët kontrollojnë me kujdes çdo njeri dhe çantat e tyre.
Zyrtarët ukrainas shpresojnë se ata mund të lirohen si pjesë e një shkëmbimi të të burgosurve, por kjo nuk është konfirmuar nga Moska.
Presidenti rus Vladimir Putin tha se ushtarët do të trajtohen “në përputhje me ligjet përkatëse ndërkombëtare”, por ka shqetësime se çfarë do të ndodhë me ta nëse ata mbeten në paraburgimin rus.
Megjithatë, të martën ligjvënësit rusë parashtruan plane për t’i shpallur luftëtarët e regjimentit Azov “kriminelë nazistë”, të cilët nuk duhet të jenë pjesë e asnjë shkëmbimi të të burgosurve me Ukrainën.
Regjimenti Azov, i krijuar si një milici vullnetare në vitin 2014, por tani një njësi e Gardës Kombëtare, dikur kishte lidhje me të djathtën ekstreme.
Ndërkohë, zyra e prokurorit të përgjithshëm të Rusisë i ka kërkuar Gjykatës së Lartë të vendit që ta shpallë njësinë një “organizatë terroriste”, në një përpjekje të dukshme për të parandaluar që luftëtarët e saj të trajtohen si të burgosur konvencionalë lufte./BBC- Liberale.al