Alketa Vejsiu ka rrëfyer kalvarin e pengesave dhe vështirësive që ka hasur përgjatë rrugëtimit si moderatore dhe më tej ka ndarë me ndjekësit e saj edhe parimet që nuk e kanë lënë kurrë në “baltë”.
Pyetjes së një komentuesi në “Instagram”, sesi ia ka dalë të jetë kaq e suksesshme, Alketa i është përgjigjur se në fillimet e saj është hasur me mjaft persona që i kanë mbyllur derën, mirëpo, kjo gjë nuk e ka bërë kurrë të dorëzohet përpara gjërave që ia kishte vendosur si qëllim vetvetes.
“Sa dyer janë përplasur, sa jo më kanë thënë, sa bërryla më kanë spostuar, sa shumë njerëz janë përpjekur të më trajtojnë herë si kukull e herë si papagall…Nuk dorëzohem kurrë unë për gjërat që dua. Pastaj, kam ndjekur dritën që kisha brenda, ma ka falur Zoti që më ka udhëhequr. Kam zgjedhur të besoj në këto gjëra që sot në gjuhën dixhitale moderne mund të tingëllojnë patetike, por unë them që kanë qenë një filozofi e mirë ku kam mbështetur jetën”, ka shkruar fillimisht moderatorja.
“1) Kam qenë vajzë shumë e mirë dhe vazhdoj të jem. S’kam xhelozuar kurrë pse dikush ka pasur më shumë se unë, s’kam bërë kurrë keq, një intrigë dhe asnjëherë me qëllim s’kam lënduar njerëz. 2) Puna! Kam punuar shumë. Njerëzit edhe mund të thonë që isha me fat, kisha këtë apo atë. Besoj që çdo njeri pavarësisht lehtësirave, fatit dhe njerëzve që takon në jetë, është produkt i punës dhe vizionit të tij. 3) Sistemi i vlerave. S’kam bërë kurrë kompromise që shembin vlerat. Kështu mendoj. 4) Ti je shumë e vogël, por për këdo që lexon këto rreshta; familja do të jetë për mua ekuilibri dhe prioriteti më i madh. Familja që më lindi dhe ajo që kam krijuar“, e ka përmbyllur ajo.