Eurostat publikoi të dhënat në lidhje me çmimet e energjisë në vendet e Europës, ku përfshihen edhe të dhënat e vendeve kandidate dhe aspirante për anëtarësim në Bashkimin Europian.
Sipas asaj që thotë Eurostat, Shqipëria renditet e dyta, pas Malit të Zi për çmimin më të lartë të energjisë elektrike në rajon për konsumatorët familjarë.
Tek të dhënat e Eurostat, konsumatorët familjarë malazezë paguajnë 10 euro për 100 Kw/h, ndërsa shqiptarët janë të dytët duke paguar 8.56 euro për 100 Kw/h, ose me kursin aktual të këmbimit valutor, rreth 10 mijë e 800 lek të vjetra.
Shqipëria është i vetmi vend që Eurostat në statistikat e veta nuk publikon të dhëna për çmimin e energjisë elektrike për bizneset, duke e lënë bosh këtë kategori.
Por, OSHEE e kundërshton. Sipas Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike përllogaritja e Eurostat është e gabuar. OSHEE mesatarizon çmimin e energjisë elektrike mes konsumatorëve familjarë dhe biznesit dhe thotë se çmimi mesatar është 11 mijë e 400 lek të vjetra për 100 Kw/h.
Konsumatorët familjarë përbëjnë 55 për qind të energjisë së shitur nga OSHEE me çmimin 950 lek për 100 Kw/h.
“Në këto kushte, çmimi mestar i shitjes së energjisë për kategorinë familjarë është 7.1 euro për 100 Kwh”,- thotë OSHEE.