Shëndeti

Sa i rrezikon diabetikët vapa, 8 këshilla për të frenuar ndërlikimet





Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 15:25 - 30/05/20 |
mapo.al

Personat me sëmundje kronike, përfshirë këtu edhe diabetin e sheqerit, si dhe personat që mjekohen për hipertension arterial, apo sëmundje zemre (shpesh si ndërlikime kronike të diabetit), janë në rrezik të shtuar gjatë ditëve të nxehta të verës, sidomos nëse nuk janë të informuar rreth këtyre rreziqeve. Kjo pasi temperaturat e larta mund të prishin ekuilibrin e glicemive.


Prishja e këtij ekuilibri varet dhe nga mënyra si një person me diabet ushqehet, mban trupin të hidratuar dhe aktiviteti fizik që bën. Temperaturat e larta dhe aktiviteti fizik mund të nxisin djersitjen e madhe të trupit, duke favorizuar dehidrimin dhe për pasojë rritjen e glicemive. Glicemitë e larta do nxisin urinimin e shpeshtë dhe në vazhdim thellimin e dehidrimit, për pasojë glicemitë do rriten më shumë.


Nëse personi me diabet mjekohet me insulinë, dehidrimi do pakësojë volumin e gjakut, duke çuar në më pak fluks gjaku në lëkurë, për pasojë përthithje më të pakët të insulinës dhe prishje të ekuilibrit të glicemive. Në vijim të shkrimit gjenden të detajuara disa nga këshillat që një diabetik nuk duhet t’i neglizhojnë përgjatë javëve në vijim, ku temperaturat do vijnë në rritje. Vetëm në këtë formë mund të shmangen ndërlikimet që kjo sëmundje mund të shkaktojë te këta pacientë.


1) Mbani trupin të hidratuar
Dehidrimi ose humbja e lëngjeve të trupit është një situatë e shpeshtë gjatë ditëve të nxehta të verës. Kjo gjë mund të ndodhë si te personat me diabet dhe tek ata pa diabet, por te personat me diabet të paekuilibruar, glicemitë e larta favorizojnë dehidrimin. Për të parandaluar dehidrimin, këshillohet të konsumohen sa më shumë lëngje pa kafeinë, pa sheqer (me preferencë ujë, apo çajra pa sheqer).


Ushqimi të shpërndahet 5-6 herë në ditë. Konsumoni sa më shumë perime, pasi ato janë të pasura me ujë, lëndë antioxidante, vitamina, fibra dhe kanë shumë pak sheqer (1-5 për qind). Konsumoni frutat e freskëta si nënvakte, por kujdes në sasinë e tyre sepse përmbajnë sheqer (15-25 për qind). Ata që përdorin alkool duhet ta kufizojnë sa më shumë atë, pasi alkooli favorizon dehidrimin.

2) Parandaloni goditjen nga të nxehtit
Personat me diabet, nëse punojnë, apo bëjnë aktivitet fizik në ambientet jashtë shtëpisë, e që për një kohë të gjatë duhet të qëndrojnë në temperatura të larta, janë të rrezikuar për goditjen nga të nxehtit, pasi humbja e lëngjeve të trupit është më e madhe se lëngjet që merren, prodhimi i nxehtësisë në trup është më i lartë se ajo që eliminohet nga trupi. Shenjat që tregojnë për këtë gjë janë: Marrje mendsh ose këputje trupi, djersitje të theksuar të trupit, dhimbje të muskujve, lëkurë e ftohtë e lagësht, dhimbje koke, rrahje të shpeshta të zemrës, si dhe nauze. Nëse një person me diabet ka ndonjë nga këto shenja, menjëherë duhet të shkojë në një ambient më të freskët, të konsumojë sa më shumë lëngje pa kafeinë (ujë, çajra pa sheqer). Nëse situata nuk përmirësohet duhet të kërkohet menjëherë ndihma e specializuar mjekësore.

3) Aktivitet fizik duhet të bëhet në vende të freskëta
Për të parandaluar dehidrimin, personat me diabet duhet të bëjnë aktivitet fizik në ambiente të freskëta si për shembull në orët e para të mëngjesit, apo orët e pasdites kur temperaturat janë më të ulëta, si dhe në ambiente sportive, siç janë palestrat me ajër të kondicionuar. Duhet të jeni të kujdesshëm me intensitetin e të ushtruarit, është mirë që të këshilloheni me mjekun tuaj në lidhje me ushtrimet dhe llojin e aktivitetit fizik që duhet të kryeni.

4) Kontrolli i glikemisë duhet bërë të paktën 4 herë në ditë
Përgjatë ditëve të nxehta duhet të bëhet shumë kujdes edhe me matjen e shpeshtë të glicemisë. Duhet të bëhet kontrolli i glicemisë 4 herë apo dhe më shumë nëse nuk ndiheni mirë. Kujdes, temperaturat e larta mund të prishin ekuilibrin e diabetit.

5) Parandaloni hypogliceminë
Mbani me vete gjithmonë sheqer për të korrigjuar hypogliceminë nëse ndjeni shenjat e saj. Ruani glukometrin, fishat e glukometrit, dhe penat e insulinës në vende të freskëta dhe të thata. Temperaturat shumë të larta, apo shumë të ulëta mund t’i dëmtojnë si insulinën dhe fishat matëse të glikemisë, apo dhe glukometrin. Asnjëherë mos të vendoset insulina në ngrirje, apo të ekspozohet në rreze të diellit apo në vendet e nxehta të makinës me të cilën mund të udhëtoni rrugës. Gjithashtu duhet të kontrollohet insulina para se të injektohet. Insulinat e tejdukshme duhet të jenë të tilla, ndërsa insulinat e turbullta duhet të jenë të njëtrajtshme, në të kundërt nuk duhet të përdoren.

6) Këshillat për personat me diabet që përdorin pompe insulinike:
Për përdoruesit e pompës insulinike, djersitja e theksuar mund të jetë një problem në ditët e nxehta të verës, apo gjatë aktivitetit të theksuar fizik. Kjo mund të ketë pasojë dëmtimin e ngjitëses që lidh pompën insulinike me trupin. Nëse djersitja e theksuar përbën një problem, mund të provohet të përdoret një spraj antidjersë në vendin e futjes së kanjulës pas përgatitjes tuaj rutinë të lëkurës.

Vetë pompa insulinike është e mbrojtur ndaj nxehtësisë, por nëse keni shqetësim nga temperaturat e larta, ju mund të përdorni një xhep mbrojtës duke vendosur një xhel ftohës nga brenda tij, si një mënyrë për të mbrojtur insulinën nga të nxehtit. Nëse qëndroni gjatë në diell, mbulojeni pompën me një peshqir për ta mbrojtur nga efekti direkt i rrezeve të diellit. Mund ta shkëpusni pompën deri në 1 orë, si një tjetër alternativë, por nëse e shkëpusni për një kohë të gjatë, ju nevojitet të rregulloni ritmin e infuzionit të insulinës për të zëvendësuar dozat e insulinës të pa aplikuar, ose mund të kalohet në mjekim me insulinë 4 herë në ditë (në konsultim me mjekun endokrinolog).

7) Shmangni djegien nga dielli
Djegia e lëkurës nga dielli është një stres për trupin dhe mund të shkaktojë rritje të glicemisë. Shmangni daljen në diell në orët e nxehta (11.00-17.00), përdorni krem kundër diellit, syze dielli, veshje të lehta dhe me ngjyrë të çelët.

8) Shmangni ecjen zbathur në plazh
Rëra e nxehtë mund të dëmtojë lëkurën e këmbës dhe të shkaktojë plagë që vështirë të mbyllen me pasoja të rënda deri në prerje të këmbës.

Dy analizat që duhet të kryeni
Diagnoza e diabetit kërkon kryerjen e dy analizave laboratorike siç janë: Matja e glukozës, sheqerit në gjak para ngrënies (esëll) në mëngjes dhe testi i tolerancës së glukozës, ku mbasi merret nga goja 75 gram sheqer, matet niveli i sheqerit në gjak çdo 2 orë, ose një ripërsëritje mbas një dite e matjes së glukozës në gjak esëll.

Ndërsa matja e hemoglobinës së glukozuar, Hba1c, përdoret kur është diagnostikuar diabeti dhe përdoret për të kontrolluar atë në 2-3 muajt e fundit. Rezultati mund të quhet pozitiv nëse glicemia në gjak para ngrënies është e barabartë, ose më shumë se 126 mg/dl, ose testi i tolerancës së glukozës është i barabartë, ose më shumë se 200mg/dl dhe nëse glicemia para ngrënies është midis 110-125 mg/dl bëhet fjalë për Pre-diabet, apo Tolerancë e dëmtuar e glukozës.
Diabeti manifestohet me simptoma të tilla:
• Etje e shtuar.
• Urinim i shpeshtë dhe në sasi si ditën, ashtu edhe natën.
• Tharje goje.
• Shtim oreksi, por që shoqërohet me humbje peshe.
• Lodhje më tepër se zakonisht.
• Dhimbje stomaku.
• Shikim i mjegullt.
• Mungesë e theksuar përqendrimi.
• Mpirje e duarve ose e këmbëve.
• Plagë të ndryshme që mezi mbyllen.

Rëndësia e të ushqyerit
• Që të shfaqet diabeti duhen të kombinohen dy faktorë, si trashëgimia dhe faktorët që rrisin rrezikun për t’u bërë diabetikë. Moshën apo trashëgiminë ne nuk mund t’i ndryshojmë, por faktorët që rrisin rrezikun për t’u bërë diabetikë, si: mbipesha, obeziteti, duhanpirja, jeta sedentare, ushqyerja me shumë kalori etj., mund të bëhet shumë. Diabeti duke qenë sëmundje kronike nuk shërohet, por kurohet. Nëse kontrollohet mirë të lejon të bësh jetë normale.

• Dieta është një ndër elementet e rëndësishme në mbarëvajtjen e diabetit. Rreth saj janë krijuar aq shumë paragjykime, dhe shtrembërime, sa për shumë të sëmurë ajo përbën një ankth më vete. Praktikë kjo e gabuar, pasi diabetiku nuk është i privuar nga asnjë lloj ushqimi. Mjekët thonë se diabetiku mund të hajë njësoj si të gjithë njerëzit e tjerë, pa pasur nevojë as për peshore, e as për gatime më vete. Një diabetik mund të ndryshojë dhe të përshtatë çdo ditë dietën e tij, sipas kushteve të punës e të jetesës, sipas sezonit, gjendjes së trupit, ose shijes që ai dëshiron.

• Përparësi duhet t’i jepet konsumimit të ujit, vajrave bimore nё vend tё yndyrave shtazore, drithërave të plota integrale, si dhe perimeve. Personat që janë të diagnostikuar tashmë me këtë sëmundje, si dhe ata në risk, duhet të dinë që të zgjedhin ushqimet që kanë përmbajtje më të ulët të kripës, si dhe të shmangin në çdo rast konsumin e alkoolit me stomak bosh. Një person me diabet duhet ta ndajë ushqimin në 6 vakte, tre kryesore dhe tre vakte të vogla të ndërmjetme. Mjekët shpjegojnë se kjo ndarje e vakteve, lejon që të pakësohet uria e papritur dhe përmirëson gliceminë, duke shmangur luhatjet e saj në gjak.

• Mos kapërceni asnjë vakt. Duhet të dini që vakti i mëngjesit është shumë i rëndësishëm për mbajtjen nën kontroll të sëmundjes së diabetit. Endokrinologët vënë theksin te tri shtyllat e vakteve ideale që do të thotë: “3 vakte të plota, plus 3 tre vakte të vogla të ndërmjetme, 3 përbërës në pjatë, 3 orë midis çdo ngrënieje”. Ushqimet e vakteve duhet të përmbajnë: “Prodhime drithi, ose me përmbajtje niseshteje (bukë, oriz, brumëra, bishtajore, patate etj.), në të tria vaktet kryesore, fruta të freskëta dhe mundësisht tё konsumohen me lëkurë, mish ose peshk, vezë dhe djathë si burim proteinash e yndyre, si dhe perime të ziera, të gjalla, sallatë apo supë”. Gjithashtu këshillohet që të bëni kujdes, pasi duhet vetëm një karbohidrat niseshteje nё vakt, ose bukë, ose makarona, ose oriz etj.


Etiketa: , ,

CLOSE
CLOSE
Pas