Intervistoi: Mirgen Çela
Është ndër aktorët e preferuar të publikut shqiptar ndër vite. Shfaqjet e tij të para ishin brilante dhe vazhdojnë të jenë të tilla. Në moshë shumë të re arriti të bënte publikun për vete. Plot pasion dhe vullnet arriti të korrë sukses duke depërtuar jo lehtë në tregun artistik shqiptar. Gëzon shumë vite eksperiencë, plot shfaqje humori, komedi, shfaqje teatrale të panumërta dhe ende idetë e tij nuk shuhen. Gjithmonë krijues i një gjëje të re, gjithmonë krijues me ide ndryshe e bën të jetë pranë atyre që e duan. Përveçse një profesionist i zoti, është dhe një familjar i denjë, dhe siç thotë ai: “ Për mua familja është e shenjtë”. Në një intervistë ekskluzive për Gazetën Mapo, aktori Romir Zalla tregoi fillimet e tij, vështirësitë dhe se si arriti deri në ditën e sotme duke mos iu ndarë publikut për asnjë moment. Ndër të tjera nuk la pa përmendur çështjen e shumëpërfolur për Teatrin Kombëtar, një ngjarje e cila bëri të gjithë artistët dhe qeverinë të reagojnë.
Rikthehemi pas në kohë, si ishin fillimet e Romir Zallës?
Gjithmonë njeriu duhet të shohë pas që të jetë i vetëdijshëm si ka nisur, pse është aty ku është. Unë e kam nisur që fëmijë pasionin për të aktruar. Sigurisht pas diplomimit në Akademinë e Arteve në 1997 nisi dhe rrugëtimi si profesionist. Fillimet kanë qenë të vështira. Një i ri e ka të vështirë të gjejë vendin që i takon. Vetëm këtë nuk ta mësojnë në shkollë. Duhet të punosh shumë, të jesh i përulur në punë, të provosh gjithçka, të besosh te profesioni mbi të gjitha. Kanë qenë kohë më të bukura, më të sinqerta, me shumë pasion.
Si nisët të merreni me aktrim?
Kam pasur gjithmonë dëshirë të aktroj por gjithmonë kanë qenë rastësi fatlume që më kanë ndihmuar të arrij të shfaqem. Për herë të parë në skenë kam dalë rastësisht. Isha fëmijë, ishte një aktivitet, prezantuesi ishte sëmurë, më nxorën mua të prezantoj. Ose pas tentativës së parë pa sukses për të fituar konkursin e Akademisë së Arteve kam rihyrë një vit më pas në konkurs për të ndihmuar një shok që konkurronte, unë jo, dhe unë hyra në shkollë, shoku jo. Në përgjithësi të gjithë hyjnë nga dera, unë hyj nga dritarja.
E kishit të vështirë për të depërtuar në tregun artistik shqiptar?
Pas diplomimit shpesh thoja se nuk do pranoja kurrë të punoja në televizion. Por kurrë mos thuaj kurrë. Një vit më pas fillova të punoj në televizion, në teatër ishte e vështirë, në film edhe më e vështirë. Megjithatë ishte fat për mua që në atë kohe u rihap Teatri i Akademisë së Arteve ku unë mora rolin e parë si profesionist. Apo eksperienca me një rol në një film kanadez që xhirohej në Shqipëri.
Cila ishte vështirësia më e madhe?
Vështirësia më madhe është të zgjedhësh një lloj ekuilibri midis; thjesht një punë për të fituar të ardhura dhe realizimit të vetes si profesionist në sfida të njëpasnjëshme dhe eksperienca të reja. Unë e urrej të bëj punë duke i rënë shkurt. Dua që çdo gjë që bëj të jetë profesionalisht e arrirë. Të ardhurat vijnë vetë.
A mendoni se komedia, teatri, filmi, aktrimi në tërësi vlerësohet në vendin tonë?
Mendoj që po. Kam besuar gjithmonë që një aktor është shembull frymëzimi në shoqëri. Është një pikë referimi si të flasësh, si sillesh, si vishesh, si ha dhe mbi të gjitha si mendon. Mbi të gjitha një artist duhet të jetë shembull kulture dhe qytetarie. Edhe në Shqipëri mendoj përtej Instagramit një artist vlerësohet shumë nga publiku si pjesë e elitës intelektuale. Shoqëria jonë gjithmonë e më shumë ka nevojë për pika referimi të shëndetshme. Dhe artisti pikërisht për këtë mendoj vlerësohet shumë nga publiku.
Çfarë kërkon më shumë publiku shqiptar?
Publiku shqiptar është shumë kërkues. Relativisht i ri në moshë ai kërkon gjithmonë diçka të re, të guximshme, moderne. Shpesh ne i keqkuptojmë kërkesat e publikut, e paragjykojmë, p.sh. themi ka halle publiku do që të qeshë. Dhe pa dashje shkojmë ne drejt shijeve të deformuara. Në fakt duhet të jetë e kundërta. Duhet që arti ynë të jetë një hap para publikut. Duhet që ne të kultivojmë shije të reja.
Keni qenë pjesë e shumë filmave, shfaqjeve teatrale, pjesë e emisionit të humorit “Portokalli”, në cilën prej tyre e gjeni veten më mirë?
Kam provuar shumë qasje të ndryshme drejt publikut. Ndihem i vlerësuar shumë prej tij. Për mua e rëndësishme është ngritja profesionale dhe sfidat e reja dhe të vështira me të cilat kërkoj të përballem çdo ditë. Teatër, Film apo Televizion kjo pak rëndësi ka.
Pse Romirin nuk e shohim më prej kohësh në “Portokalli”? Çfarë ndodhi, u larguat apo ju larguan? Pse?
Nuk mendoj se kjo përbën ende interes për publikun. Tashmë ka kaluar kohë nga shkëputja ime dhe më bëhet qejfi kur akoma në rrugë më pyesin: Kur do fillojë Portokallia? Për publikun unë vazhdoj të jem atje. Di të them që unë në jetë kam bërë gjithmonë atë që kam dashur të bëj. Çdo gjë në kohën e vet.
Marrëdhëniet me kolegët si janë, ka përplasje mes jush?
Kam marrëdhënie të shkëlqyera me të gjithë. Me disa i kam marrëdhëniet më të afërta. Përplasjet i kemi me publikun gjithsecili me atë që ka zgjedhur të bëjë në jetë. Kolegëve ju uroj që puna t’ju shkojë mbarë e mirë.
Cila prej shfaqjeve tuaja ju ka lënë më shumë mbresa?
Ndoshta do veçoja “Don Kishot”. Ka qenë një shfaqje ku publiku më ka falur shumë emocion.
Cilët prej aktorëve ke më shumë miq?
Unë kam shumë miq kolegë. Me të afërt janë Marin Orhanasi, Gentian Zenelaj, Erand Sojli, Ervin Bejleri.
Sa e lodhshme ka qenë për ju të arrinit këtë sukses që keni sot?
Suksesi shkon bashkë me lodhjen. Nuk di sa sukses kam arritur me punën time, por di që jam shumë i impenjuar këto kohë. Vetëm këtë vit pas shfaqjeve te “Komedia që shkon për dreq” me regji të Driada Dervishi, “Tri gra dhe Misugi” me regji të Suela Bako shfaqur në Prishtinë dhe Prizren, shfaqjeve të “Jashtë derës” punuar nga regjisori lituanez Mantas Janciauskas dhe “Antigona” punuar nga regjisorja franceze Andréa Brusque, jam duke punuar me komedinë greke “Nuk shoh, nuk dëgjoj, nuk flas” me regji të Donard Hasani dhe Drini Hasani dhe “Jul Qesari” të Shekspirit me regjisorin kroat Ivica Buljan. Eksperiencë e veçantë ishte dhe pjesëmarrja në edicionin e dytë të “Shkupi Up Fest” në Maqedoninë e Veriut, me shfaqjen time Stand Up “Sa je shnosh?”. Sa u përket roleve në kinema, pas filmit “Elvisi kthehet në shtëpi” me regji të Fatmir Koçit që po merr pjese në shumë festivale ndërkombëtare, këtë vit kishte premierë në Shkup filmi “Pranverë e paharruar në fshatin e harruar” me regji të Kushtrim Bekteshi dhe filmi i shkurtër “The van” me regji të Erenik Beqiri që konkurron për Palmën e Artë në edicionin e 72-të të Festivalit të Kanës, event i rrallë ky për kinemanë shqiptare. Janë në postproduksion filmi i shkurtër “Një ditë si kjo” me regji të Suela Bako dhe filmi “Cirku fluturues” me regji të Fatos Berisha, që besoj shumë shpejt do kenë premierat e tyre. Dhe ndërkohë sapo mbylla xhirimet e filmit të shkurtër “Besa” me regji të Dhimitër Ismailaj. Sa i përket televizionit, pas dy sezonesh të Late Night Show “ Gardërob’” së shpejti filloj punën me një sezon të ri në një ekran tjetër.
Duke qenë se jeni një ndër aktorët më të preferuar dhe me më shumë eksperiencë, sipas vlerësimit tuaj çfarë duhet të ndryshojë në kinematografinë shqiptare? A kemi ne pasuri kinematografike?
Financa. Për mendimin tim duhen financuar zhvillimet e skenarëve të mirë. Mbështetje më të madhe produksioneve dhe bashkëproduksioneve dhe në fund por jo për nga rëndësia financim i fuqishëm për promovimin, distribuimin dhe pjesëmarrjen nëpër festivale ndërkombëtare. Ne kemi dhe kinema shumë të mirë, por jo të financuar siç duhet nga shteti.
Prej kohësh por dhe së fundmi ju aktorët pohoni vështirësi dhe probleme në lidhje me Teatrin Kombëtar, si do ta komentonit, çfarë mund të ndodhë në të ardhmen?
Lajmi i mirë është që më në fund po flitet edhe për teatrin. Teatri është bërë kryefjalë te të gjithë. Sa më pak të kenë pushtet njerëzit që e urrejnë teatrin, aq më mirë do bëhet, për të gjithë, paçka se nuk bëhen dy shqiptarë në një mendje. Politika është e përkohshme. Teatri është i përjetshëm.
Bashkëshortja juaj është regjisore, si ka ndikuar në marrëdhënien tuaj duke qenë se profesionin e keni të afërt ose më saktë të njëjtë?
Fat i madh që kam Suelën në krah. Falë iniciativës dhe energjisë së saj edhe unë arrij të kem energji për projekte të reja. Shfaqja “Tri gra dhe Misugi” është shembulli se si arritëm të koordinohemi për të finalizuar një produkt të suksesshëm në skenë që vazhdon të jetë në turne përveç Shqipërisë dhe Kosovës së shpejti dhe në Mal të Zi dhe Maqedoninë Veriore.
Përtej jetës profesionale, si është një ditë e Romirit me familjen?
Ditë me vrap. Përveç impenjimeve të mia jam gjithmonë me fëmijët duke i shoqëruar në shkollë apo në kurset që ndjekin. Fundjavave “arratisemi” familjarisht ku të mundemi.
Mendoni se jeni një familjar i denjë?
Për mua familja është e shenjtë. E kam aq të shtrenjtë sa në disa raste për hir të familjes kam hequr dorë dhe nga karriera. Në familjen tonë jemi të gjithë të barabartë dhe unë përpiqem të jem gjithmonë aty pranë në çdo moment. Në fund të fundit për mua nuk ka shumë rëndësi puna përpara familjes.
Dëshironi që dhe fëmijët të trashëgojnë profesionin tuaj?
Zgjedhjen jua kam lënë atyre në dorë. Ne nuk ndërhyjmë fare në dëshirat e tyre.
Çfarë është gjëja që s’e keni arritur ende në jetë?
Ato quhen ëndrra dhe ëndrrat nuk thuhen me zë, se pastaj nuk dalin.
Nëse do të ktheheshit pas në kohë, çfarë do të ndryshonit?
Nuk do të ndryshoja asgjë. Jam i bekuar nga Zoti me këto që kam dhe kam zgjedhur në jetë.
Një këshillë për të rinjtë që duan të hedhin hapat e parë drejt aktrimit; a duhet të ndihen të sigurt për atë çka vendi ynë ofron në këto kushte?
Nëse e duan profesionin që kanë zgjedhur të bëjnë në jetë atëherë duhet të luftojnë, të punojnë shumë, me modesti, respekt dhe mirënjohje për publikun dhe punën. Mund të jesh i pasur edhe me art.