Nga Klementin Mile*
A do e lëshojë Rama Tahirin? A po i bën Tahiri shantazh Ramës? A ka qenë Tahiri vërtet i lidhur në mënyrë kriminale me Habilajt? A ka patur një plan të opozitës për ta futur në burg Tahirin? A mund ta mbrojë Rama Tahirin përballë kërkesave në rritje të ndërkombëtarëve për t’i arrestuar “peshqit e mëdhenj”? A është Tahiri në burg bileta e Shqipërisë për të çelur negociatat e anëtarësimit me BE-në? Këto pyetje janë bërë tashmë të zakonshme në opinionin publik. Ato shprehin vetëm kuriozitetin e mendjes së shqiptarit, por aspak ndonjë habi a pështjellim lidhur me çështjen Tahiri.
Përpos kureshtarëve, politikani Tahiri ka mbështetës të fortë dhe kundërshtarë të fortë. Perspektiva e secilit prej kampeve, megjithatë, është më pak e rëndësishme se ajo e sistemit politik. Kjo ngaqë ekzistenca e kampeve kundërshtare dhe ekzistenca e objektit të tyre të debatit, Tahirit politikan, mundësohet nga ekzistenca e sistemit politik. Pyetja që duhet të shtrojmë në lidhje me Tahirin është se si dhe sa i vlen Tahiri politikës shqiptare? Në terma abstraktë jemi duke pyetur se sa dhe për çfarë qëllimi i vlen individi sistemit?
Së pari, politikani individual Tahiri i vlen politikës shqiptare për të eksperimentuar. Tahiri është eksperimenti për të testuar cilësinë e Reformës në Drejtësi, për të konkluduar nëse ndërhyrja e ndërkombëtarëve është apo jo vendimtare për stabilitetin e sistemit politik shqiptar, për t’i treguar sistemit politik rrugë të reja drejt së ardhmes. Asocimi i temave specifike si këto me njerëz individualë si Tahiri i mundëson sistemit politik të adresojë tema që nuk mund t’i përthithë plotësisht dhe që janë shumë komplekse për t’i përpunuar me premisa vendimmarrëse normale. Kështu personalizimi i çështjeve, duke i lidhur fenomenet negative (dhe ndonjëherë ato pozitive) me emra politikanësh individualë, funksionon si mekanizëm filtrimi për opsionet e reja ose për reagimet ndaj problemeve të reja. Fakti që politikanët janë persona dhe që ata identifikohen personalisht me ndonjë çështje, i lejon sistemit të ndryshojë shumë shpejt reagimin ndaj këtyre çështjeve duke humbur shumë pak nga legjitimiteti i vet. Problemet që rezultojnë mund t’i atribuohen politikanit individual në mënyrë që sistemi të vazhdojë aktivitetin i padëmtuar.
Sistemit politik shqiptar i duhet të evoluojë për të përballuar sfidat që i vijnë nga ambienti, siç është rasti tani me kërkesat gjithnjë në rritje si nga ndërkombëtarët ashtu dhe elektorati shqiptar për të bërë reformë të mirëfilltë në drejtësi. Politikës shqiptare, për aq sa është demokratike, i duhet të eksperimentojë nëpërmjet Tahirit, sepse kështu arrin të prodhojë një stabilitet të raportit ndërmjet redundancës dhe variacionit. Demokracia prodhon stabilitet duke lejuar disa shkallë destabiliteti: qeveritë ndryshojnë, por nëpërmjet kësaj sistemi mbetet i pandryshuar. Nëpërmjet mekanizmit të zgjedhjeve të përgjithshme partitë politike shpesh ndryshojnë vendet, duke kaluar nga qeveria në opozitë dhe anasjelltas. Por ky variacion balancohet nga redundanca, në kuptimin që partitë dhe kandidatët kryesorë mbeten të njëjtët përgjatë një periudhe kohe të konsiderueshme. Është me rëndësi të kuptohet që stabiliteti i sistemit politik varet nga balancimi i variacionit dhe redundancës. Demokracia mund të kalojë në kolaps si nga overdoza e variacionit, ashtu dhe nga overdoza e redundancës.
Së dyti, politikani individual Tahiri i vlen politikës shqiptare për të komunikuar të pamundshmen. Që sistemi politik të testojë vetveten duhet t’i komunikojë publikut jo vetëm çfarë mund të bëhet, por edhe çfarë është e pamundshme. Por në kushtet e një sistemi politik ku partitë kanë rol themelor, nuk mund të pritet që e pamundshmja të figurojë në programet elektorale të tyre. Kjo manovër do ishte me kosto të lartë për partitë që synojnë pushtetin, pasi gara për pushtet zhvillohet në bazë të premtimeve sa më tërheqëse dhe sa më pompoze dhe publiku rregullisht shpërblen me votë artikulimet e realizueshmërisë. Për këtë arsye premtimet programore të partive shprehen si zgjidhje perfekte të të gjitha problemeve. Por historia ka treguar që qeverisja nuk arrin t’i kthejë dot të gjitha premtimet në realizime. Në këtë mënyrë programet partiake nuk shërbejnë dot si test i sistemit politik për vetveten – ato nuk përfshijnë asgjë të pamundshme.
Zgjidhja e këtij problemi realizohet në një nivel tjetër: komunikimi i së pamundshmes merret përsipër nga persona të veçantë brenda partive, si Tahiri që foli për pamundësinë e bijve të nënave dhe atyre të kurvave për ta penguar në rrugën e tij për “drejtësi”, ose nga individë të pavarur prej tyre, siç ishte p.sh. rasti i Gjergj Bojaxhiut në zgjedhjet lokale 2015. Kështu sistemi politik mund të testojë tema të reja, zgjidhje të reja, por pa paguar një kosto të lartë në formën e humbjes së zgjedhjeve nga një parti për shkak të guximit për të eksperimentuar./Mapo.al/
Pedagog në UET*