Të ftuar specialë në programin “Dua të të bëj të lumtur” për prindërit që vite më parë kishin humbur djalin e tyre të vogël në një aksident rrugor ishin Sabri dhe Ermal Fejzullahu.
Sabriu dhe Ermali të dy të emocionuar dhe me lot në sy iu drejtuan prindërve me këto fjalë: “Jeta është ndonjëherë shumë e mirë dhe shumë e keqe. Çfarë të vijë prej Zotit mirë se të vijë. Tani ju keni vajzat dhe këto kanë nevojë që ju t’i dhuroni dashuri. E dimë që është e vështirë, por ju jeni të rinj dhe keni jetën përpara. Dera e shtëpisë së Ermalit dhe e imja është e hapur për ju në çdo moment”.
Kur Ermali filloi të fliste nuk mundi t’i përmbante dot emocionet. Ai madje kërkoi falje që nuk po i përmbante lotët dhe i tha prindërve: “Më vjen shumë mirë që takova dy vajza shumë të edukuara, një meritë që i takon dy prindërve. Ajo që dua t’i them është që të bëhen të fortë dhe të qëndrojnë stoik siç i ka hije malsorëve”.
Sabri dhe Ermal Fejzullahu për t’i bërë të lumtur prindërit i dhuruan një udhëtim në Greqi. Në fund për herë të parë babë e bir kënduan në dy versione këngën “Fshatarja ime”.