Një tjetër funksionar i lartë i PS-së, duket se është përfshirë në skandalin e madh të shitblerjes së votave, dalë në përgjimet e dosjes së famshme “339”. Bëhet fjalë për Safet Gjicin, Presidentin e ekipit të Kukësit, njëherësh kandidat i PS-së për deputet në zgjedhjet e 2017-ës. Gjici ishte i dyti në listë, por PS në qarkun e Kukësit nxorri vetëm një deputete, Mimi Kodhelin.
Lajmin për përfshirjen e Gjicit në skandalin e blerjes së votave e bëri të ditur, nënkryetari i PD-së, Edi Paloka. I ftuar në emisionin “Kjo javë” në News 24, Paloka deklaroi: “Po e them për ju për herë të parë. Safet Gjici në Kukës ka dalë në përgjimet e shërbimeve të huaja për blerje votash. Janë 400 CD të tjera që nuk janë zbardhur tek dosja 339. A do i zbardhi kjo Prokurori? Kush t’i hetojë kjo prokuroi që është sot? Këtyre CD-ve nuk do u dihet fati nëse vazhdohet me këto prokurori”.
Kujtojmë se pjesë e dosjes 339, bashkë me shumë trafikantë droge janë dhe dy ish-deputetë të PS-së, Arben Ndoka dhe Arben Çuko. Ky i fundit ka qenë dhe drejtor Burgjesh.
Po kështu Zëri i Amerikës ka publikuar dokumente për përfshirjen e Vangjush Dakos në përgjime me bandën e Avdylajve, por ndryshe nga dy të parët, Dako nuk është duke u hetuar nga prokuroria.
Gjithashtu dhe Safet Gjici nuk është ende person nën hetim, edhe pse burimet thanë se për të ka një dokument që verteton përfshirjen në aferën e madhe të shitbelrjes së votës.
/Mapo.Al