Ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri ka mbërritur këtë mesditë në Gjykatën për Krime të Rënda, ku pritet të zhvillohet seanca paraprake dhe të merret një vendim për dosjen. Së bashku me Tahirin, pjesë e dosjes në seancën paraprake, janë edhe 3 ish-punonjësit e policisë, Jaeld Çela, Gjergji Kohila dhe Sokol Bode.
Ashtu si ishte deklaruar edhe më parë sot është “përballja” e radhës së ish-ministrit me Prokurorinë, e cila e ka marrë të pandehur për akuzat e trafikimit të lëndëve narkotike dhe grup kriminal.
Vetëm pak ditë më parë është zgjedhur Miliana Muca si gjyqtare e dosjes në fjalë. Mësohet se dosja përbëhet nga 50 fashikuj dhe brenda këtyre 10 ditëve, gjykata të marrë në shqyrtim dosjen dhe të dalë me një vendim.
Më herët, avokati i Tahirit, është shprehur se do të kërkojnë pushimin e çështjes, me pretendimin se akuza nuk ka prova për akuzat e ngritura.