Rezultati paraprak në 108 qendrat e votimit për zgjedhjen e kryetarit të Partisë Demokratike, tregon se Sali Berisha kryeson bindshëm përballë kundërshtarit të tij Ibsen Elezi, me mbi 93 përqind të votave.
Komisioni i Organizimit dhe Kontrollit të Operacioneve Elektorale pranë Partisë Demokratike në një konferencë për media deklaroi mbrëmjen e kësaj të diele se pjesëmarrja ishte i lartë, ndërsa procesi ishte i qetë dhe transparent.
“Në përfundim, në total kanë votuar për kryetarin e PD 43 680, ndër të cilët 40 820 kanë votuar për zotin Sali Berisha, ose 93 përqind të votave. Komisioni shpall zotin Sali Berisha fitues të garës dhe kryetar të PD”, tha Vokshi.
Vetë Sali Berisha mbajti një fjalë, pas rezultatit paraprak që e nxjerr atë fitues në garën për kryetar të PD, me mbi 93 përqind të votave.
Teksa e cilësoi këtë proces “mrekullia e vërtetë shqiptare e Shqipërisë në shekullin e 21”, Berisha tha se ky besim i jashtëzakonshëm i demokratëve është një detyrim i madh për të.
Mirënjohje shprehu në veçanti për të rinjtë dhe tha se betimi i tij para tyre dhe para shqiptarëve ishte se do bëjë gjithçka që ëndrrat e tyre më të bukura të bëhen realitet në këtë vend.
“Duhet ta pranoj, ishin të rinjtë promotorët kryesorë të kësaj lëvizje, ndaj dhe betimi im para tyre dhe mbarë shqiptarëve është se do bëj gjithçka që ëndrrat e tyre më të bukura të bëhen realitet në këtë vend. Ai që realizon ëndrrat e tij, ai është pafundësisht i detyruar të bëjë gjithçka për realizimin e ëndrrave të të tjerëve, Do t’i them sonte çdo të riu të reja shqiptarë, “never say never” (Kurrë mos thuaj kurrë) ne do fitojmë!“
Një përshëndetje të veçantë Berisha e pati edhe për rivalin e tij në këtë garë, Ibsen Elezin.
Ish-Kryeministri Sali Berisha rikthehet kështu pas 9 vitesh në krye të drejtimit të Partisë Demokratike. Kryetarja e Komisionit të Organizimit dhe Kontrollit të Operacioneve elektorale, Albana Vokshi në një deklaratë për mediat tha se Berisha mori 93.45% të votave, kundrejt 5.8% që mori kandidati tjetër Ibsen Elezi. Në të gjitha degët e Partisë Demokratike, rezultuan 328 vota të pavlefshme.
108 qendrat e votimit u hapën prej orës 8:00 të mëngjesit dhe nuk u raportua për parregullsi apo incidente. Votimi ishte parashikuar të mbyllej në orën 18:00, por u shty për orën 20:00. Edhe numërimi u krye po në qendrat e votimit./Liberale.al/