fbpx

Aktualitet

Salianji: Ish-drejtues me pushtet në PD refuzuan të japin kontribut





               Publikuar në : 18:37 - 09/09/19 |
mapo.al

Kreu i demokratëve, Lulzim Basha firmosi në korrik të këtij viti urdhrin për organizimin e brendshëm të partisë, por thirrjes së tij për t’iu rikthyer jetës aktive politike dhe kontributeve për të sjellë Partinë Demokratike në pushtet nuk iu përgjigjën të gjithë ish-funksionarët.


Koordinatori i caktuar nga Basha për Qarkun e Gjirokastrës, Ervin Salianji sqaron se një pjesë e zërave më kritikë të demokratëve vijojnë të jenë në nivelin e inateve personale, duke refuzuar të japin kontribut në forumet e demokratëve.



“Të gjithë ish-funksionarët e PD-së janë kontaktuar. Një pjesë e madhe e funskionarëve nuk kanë ardhur menjëherë që të flasin dhe besoj që janë edhe këta që janë më të zëshmit në publik, pavarësisht se kanë të njëjtin funksion si unë në Këshill, nuk i kam parë në ndonjë mbledhje. Nuk është sekret të thuash që deri më tani kanë inate, nuk kanë ide”, tha Salianji.


Demokratët nuk do të presin vendimin e 18 Tetorit për çeljen e negociatave për Shqipërinë për të thirrur protesta. Salianji thekson se demonstratat paqësore nuk e pengojnë këtë vendim, madje tregojnë vullnetin e qytetarëve për të kundërshtuar qeverisjen që kanë.

“Vendimi për dhënien ose jo të dakordësisë për hapjen e negociatave nuk ka të bëjë me protestat. Për 50 vite Shqipëria nuk ka pasur asnjë protestë, por nuk ka pasur asnjë negociatë. Protestat shërbejnë se tregon që ka demokraci. Janë kushtet e qarta dhe të mirëfillta të partnerëve europianë për hapjen e negociatave dhe ato janë lufta ndaj krimit të organizuar, lufta ndaj korrupsionit dhe padyshim në kushtet e sotme, zgjedhje të lira”, tha Salianji.

Pas organizimit të brendshëm të partisë, demokratët sipas ish-deputetit Partia Demokratike është e gatshme për të marrë pjesë në zgjedhje duke mos qenë e papërgatitur si në disa situata të mëparshme.

“Ne mendojmë që jemi gati për zgjedhje të parakohshme në çdo moment që ato zhvillohen duke mos na gjetur të papërgatitur siç mund të ketë ndodhur në momente të caktuara për të mos pasur asnjë alibi për pjesën strukturore të partisë”, u shpreh ish-deputeti.

Partia Demokratike ka premtuar se javët e ardhshme do të dalë me një platformë kombëtare për zgjidhjen e krizës. Lulzim Basha ka theksuar se kjo platformë do të jetë edhe oferta e demokratëve për qytetarët shqiptarë./ABC NEWS


Etiketa: , ,

CLOSE
CLOSE
Pas