Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji akuzon qeverinë dhe kryeministrin Edi Rama se kanë lënë në mëshirë të fatit banorët e prekur nga tërmeti tragjik i 26 nëntorit 2019. Ai i referohet situatës në Thumanë ku dhjetëra qytetarë kanë mbetur pa shtëpi, ndërsa nuk kanë marrë asnjë ndihmë nga shteti.
Salianji publikon videon nga vizita e Edi Ramës në zonën e shkatërruar nga tërmeti në Thumanë, ku dukej se po punohej me mjete të rënda për shembjen e banesave të dëmtuara rëndë dhe ndërtimin e të rejave, por në fakt, një ditë më pas del në pah krejt e kundërta, punimet kanë ndaluar dhe asnjë punëtor nuk duket aty.
Ajo që shfaqet në ekrane, thotë Salianji përmes një statusi në rrjetet sociale, është show i prodhuar nga ERTV, në një kohë kur qytetarët presin zgjidhje reale.
Postimi i Salianjit
Kamera, show, ERTV; vetëm kaq u ofron qytetarëve Edi Rama. Dje bën propagandë me fatkeqësitë e qytetarëve të Thumanës, të cilët që pas tërmetit shkatërrimtar kanë mbetur pa shtëpi, ditën tjetër asgjë nuk ndryshon. Asnjë tullë nuk vihet për muret e shtëpive të pabanueshme, asnjë tjegull për t’u siguruar një çati mbi kokë. Ndihmat nuk ekzistojnë dhe familjet vijojnë të enden rrugëve! Shqiptarët kanë nevojë për zgjidhje reale jo për të luajtur role të denja për teatër në kurriz të fatkeqësive të familjeve shqiptare!