Deputeti demokrat Ervin Salianji tha se sot është vendosur një standard i zi në drejtësi me vendimin e gjykatës së Tiranës për 11 protestuesit e Unazës së Re dhe personin që gjuajti me këpucë kryeministrin Edi Rama.
Në një prononcim pas seancës ku gjykata vendosi të lërë në detyrim paraqitje 10 prej 11 të arrestuarve, Salianji u shpreh se Gjykata dënoi pa prova.
“Sot është vendosur një standard i zi. Nëse je trafikant bëhesh deputet, por nëse proteston për të mbrojtur familjen, dinjitetin, pronën dënohesh pa prova pa ligj duke shkelur themelet e së drejtës. Provat e prokurorisë ishin në mënyrë të turpshme, 5 bidona dhe materiale plastike. Prova tjetër ishin dy ristela mbajtëse të protestës, prova tjetër 2 pankarta me mbishkrime.
Të gjithë janë me detyrim paraqitje sot. Nuk është vetëm çështja e protestuesit në burg. Janë dënuar të gjithë. Me urdhër të Arta Markut dhe Edi Ramës”, deklaroi Salianji./BW/