Në një koment të tij mbi fitimtarët dhe humbësit e Samitit franko-gjerman, ish-ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani, thotë se në Berlin fituan politikanët, por paguan shqiptarët. Politikanët fituan pa dyshim, sipas Manjanit, sepse: “1. Rama fitoi një takim të nivelit të lartë pas shumë kohësh injorim. 2. Thaçi konfirmoi rolin e tij udhëheqës në Kosovë. 3. Haradinaj konfirmoi drejtësinë e vendimit të tij për taksën me Serbinë. 4. Opozita Shqiptare konfirmoi drejtësinë e qëndrimeve të saj anti-qeveri”, shkruan ai.
Nga ana tjetër, Merkel dhe Macron vendosën rolin e tyre drejtues mbi Ballkanin, pas humbjes së dukshme të interesit amerikan në rajonin tonë, shkruan Manjani. Por pse shqiptarët dolën të humbur nga ky samit, sipas Manjanit? “1. Nuk ka negociata dhe aq me pak anëtarësim në BE. 2. Kosova ende nuk ka fituar të drejtën të lëvizë lirisht në BE”, shton ish-ministri i Drejtësisë.
Manjani thekson se Samiti i ofroi shqiptarëve edhe njëherë lugën bosh të “perspektivës europiane”, me të cilën duhet të ngopen. “Pra shqiptarët janë realisht humbësit, sepse vetëm paguajnë kostot e udhëheqësve megallomanë, të papërgjegjshëm dhe që punojnë thjesht për karierat e tyre politike.P.S. Ah, fituan pak hapësirë mediatike edhe ca “pleshta” si G. Cakaj; E. Spiropali e B.Haxhiu, të cilët ishin shoqëruesit zyrtarë të Mr. Leader…” thekson ndër të tjera Ylli Manjani.