Kryeministri Edi Rama në një deklaratë për mediat nga samiti i Poznan në Poloni, ku marrin pjesë liderë të Ballkanit Perëndimor dhe shteteve kryesore të Bashkimit Europian, u shpreh se nuk janë të pakta arritjet e këtij samiti, i cili po konsolidohet vit pas viti.
Më tej, Rama ka deklaruar se më e rëndësishme është se ajo që është planifikuar për të nesërmen është më e sigurt se ajo që është lënë pas. Sipas kryeministrit Rama, e vetmja rrugë, qe doli edhe ne punimet e këtij samiti, është forcimi i Bashkimit Europian.
“Nuk është samit për lajme, por për punë dhe për të bërë një bilanc të ecurisë së punëve në tërësi në rajon, të marrëdhënieve shtetërore në rajon dhe të raportit të rajonit si i tërë. Pas diskutimesh shumë intensive, interesante, të hapura, është me shumë rëndësi që procesi i Berlinit është një proces që konsolidohet vit pas viti, pa diskutim edhe arritjet nuk janë pak, por më e rëndësishme është se ajo që është planifikuar për të nesërmen është më e sigurt se ajo që është lënë pas. Ne kemi vetëm një rrugë, forcimin e BE. Në këtë aspekt BE, Gjermania, por edhe Franca së fundi, janë në mbështetje”, ka thënë Rama.
Të pranishëm në këtë samit të rëndësishëm përveç kryeministrave dhe ministrave të jashtëm të rajonit, janë edhe liderët e Gjermanisë, Polonisë dhe Mbretërisë së Bashkuar.