Komisionieri për Zgjerimin Oliver Varhelyi, tha dje në një konferencë për shtyp me kryeministrin Rama, se BE ka në plan të investojë rreth 30 miliardë euro në Ballkanin Perëndimor. Zoti Varhelyi nuk dha më shumë detaje në lidhje me sektorët se ku do investohet dhe si do ndahen fondet, por nga eksperiencat e kaluara ka rezultuar që pjesën më të madhe e ka marrë Serbia. Në lidhje me procesin e hapjes së negociatave, Varhelyi u shpreh optimist kur tha se palët po punojnë dhe qershori është muaji i vendimeve.
Komisioneri Europian, Oliver Varhelyi, pas takimit me liderit e Ballkanit Perëndimor në konferencën e përbashkët me kryeministrin Rama është shprehur se BE ka në plan të investojë 30 miliardë euro në Ballkan. Sipas tij qershori dhe i gjithë viti mund të quhet koha e Ballkanit Perëndimor. Në konferencën për shtyp të mbajtur me kryeministrin Rama përpara Samitit të Vendeve të Ballkanit Perëndimor që u mbajt në Tiranë, Varhelyi ka bërë me dije se në takimin me Ramën është diskutuar në lidhje me mundësinë e kalimit lirshëm mes 6 vendeve të Ballkanit si një mundësi për të eliminuar vështirësinë e lëvizjes së qytetarëve dhe të mallrave.
Gjithsesi, zoti Varhelyi nuk dha më shumë informacion, se si do ndaheshin fondet mes vendeve të Ballkanit, dhe kujt do i përkiste pjesa më e madhe. Zakonisht, përfituesi më i madh ka qenë Serbia. “Jam i kënaqur të shoh që ndoshta ky do jetë fillimi i fundit të krizës së pandemisë dhe se do të fillojmë që t’iu rikthehemi mënyrave të mëparshme dhe të kryhen takime të tjera kaq të rëndësishme në formë fizike dhe të shtyjmë përpara punën.
Ne e shohim një angazhim dhe përkushtim të udhëheqësve për të krijuar tregun e përbashkët rajonal, nuk kemi arritur aty ku dëshirojmë, por duhet të arrijmë atje deri në korrik, kur të kemi samitin e radhës. Po shikojmë rezultatet e para që po ndryshojnë jetën e qytetarëve me marrëveshjen për lëvizjen pa tarifën Roaming, kjo është një arritje e madhe, do ketë të tjera që të lëvizin me ID, njohja e diplomave, heqja e lejes për punë, pra të gjithë këto gjëra do të bëjnë që bashkëpunimi në Ballkanin Perëndimor t’iu shërbejë qytetarëve. 30 mld euro në formë investimesh në rajon, ky nuk ka për të funksionuar nëse rajoni nuk funksionon si një i tërë, ky plan investimesh do japë rezultatet e veta nëse ky rajon punon në këtë treg rajonal.
Nga ana ime, ne kemi një marrëveshje në BE për financimin e këtij plani, kemi arritur marrëveshje me Këshillin dhe PE për programin e fondeve të paraaderimit, mekanizëm që do të financohet ky plan. Ne po hyjmë në muajin qershor, një muaj kritik për BE, ne duam që të organizohen konferencat ndërqeveritare me Malin e Zi dhe Serbinë, po ashtu të zhvillohen konferencat e para për Shqipërinë dhe Maqedoninë. Ky do të jetë muaji dhe viti i Ballkanit Perëndimor”, -tha Varhelyi.
Negociatat
Por përgjatë konferencës për shtyp me kryeministrin shqiptar, nuk mbeti pa u prekur dhe çështja e hapjes së negociatave. Pyetjes nëse Shqipëria do të penalizohet sërish në këtë proces kryeministri Edi Rama iu përgjigj duke thënë se nga ana jonë nuk ka asnjë minutë të humbur në këtë proces dhe në lidhje me këtë duhet pritur vendimi i Këshillit të Europës. “Për sa më takon përgjigjja ime mbetet po ajo që ka qenë. Ne e para ka rëndësi që detyrat tona t’i bëjmë plotësisht. Nuk i bëjmë se na i kërkon Brukseli apo Haga, por sepse na i kërkon detyrimi ndaj fëmijëve tanë dhe brezave të ardhshëm. Detyrat e shtëpisë së BE janë rruga për të modernizuar shtetin tonë dhe për ta bërë Shqipërinë europiane në sistemin e saj të drejtësisë, të përgjithshëm demokratik në sensin në çdo element. Për sa kohë Komisioni Europian prej tri vitesh na ka thënë se detyrat i keni bërë si duhet dhe i ka kërkuar Këshillit Europian të pranojë dhe të hapë më tutje fazën tjetër të procesit.
Këshilli ka pasur arsyet e veta që nuk kanë lidhje me ne. Sot nuk ka kontestim për detyrat tona por ky është një rast për të mësuar Europën dhe rrugën e futjes në këtë familje të madhe. Ka një ngërç mes Maqedonisë dhe Bullgarisë dhe mënyra si funksionon sistemi kërkon që ky ngërç të zgjidhet para se të vazhdojë procesi”, -tha Rama. Ndërsa Oliver Varhelyi deklaroi se palët po punojnë fort për të gjetur zgjidhje. “Ky muaj është kritik. Është qershori i vendimeve. Ne po punojmë fort. Kjo është periudha e diplomacisë së heshtur që ne të gjejmë zgjidhje. Presidenca e BE është e përkushtuar për të gjetur zgjidhje. Ne jemi të angazhuar dhe duam që kjo gjë të ndodhë”, tha komisioneri.
Kurti, mesazh Serbisë nga Tirana: Distancohuni prej regjimit të Millosheviçit
Nga Tirana, kryeministri i Kosovës Albin Kurti i dërgoi një mesazh Serbisë për të njohur pavarësinë e saj. Kurti theksoi se Serbia duhet të shkëputet duke u distancuar nga regjimi i Millosheviçit duke qenë se nuk ka zgjidhje tjetër veçse të njihet pavarësia e Kosovës. Kurti deklaroi në një konferencë për gazetarët jashtë dyerve të Pallatit të Brigadave ku dje u mbajt takimi i liderëve të rajonit të Ballkanit Perëndimor, se Serbia duhet të distancohet nga regjimi i Millosheviçit duke theksuar se Serbia po mban peng veten duke mos njohur pavarësinë e Kosovës. “Meqenëse isha në një konferencë tjetër në Selanik përmes Zoomit nga Pallati i Brigadave, nismat e ndryshme i bëjnë bashkë liderët e Ballkanit për të sjellë frymën e integrimeve europiane. Në fjalën time fillova duke konstatuar se përderisa 6 shtetet e BE janë në Europë, BE nuk është Europë pa u anëtarësuar edhe këto shtete.
Shteti i Kosovës është shteti më pro europian në Europë dhe jemi të vendosur për të zbatuar reformat tona. Nismat rajonale po ngecin për shkak se mungon njohja e Kosovës nga Serbia. Njohja do bënte që vendet të bashkëpunonin më shumë. Nuk mjafton vetëm tregu i përbashkët, por që vlerat e BE të vendosen në raportet mes shteteve. Në fund dhashë një propozim si mund të ecim para. Kjo është marrëveshje e tregut. Për të organizuar samite të përbashkëta çdo tre vjet dhe në fund të kësaj dekade të ishim të gatshëm për integrim në BE. Ajo që është më e rëndësishme është që Serbia të njohë pavarësinë e Kosovës për të pranuar aktualitetin real. Nuk ka më minishengen. Ajo iniciativë më shumë ka qenë e lidhur me Novi-Sadin. Tashmë është një çështje që trajtohet nga procesi i Berlinit me emër tjetër dhe koordinata të tjera. Kosova dhe Shqipëria nuk kanë nevojë për shumë mundim që të jenë të koordinuara.
Nuk shoh të ketë dallime sa i përket politikës së jashtme. Tregu i përbashkët rajonal është tashmë pjesë e procesit të Berlinit. Qeveria e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë me qeverinë e ardhshme do kenë komunikim të dendur dhe strategji të përbashkët në shumë fusha, jo vetëm atë të politikës së jashtme. Ka ekzistuar një lloj polemike. Serbia duhet të shkëputet duke u distancuar nga regjimi i Millosheviçit duke qenë se nuk ka zgjidhje tjetër veçse të njihet pavarësia e Kosovës. Pavarësia e Kosovës nuk është e mirë vetëm për Kosovën, por edhe për Serbinë se po mban edhe veten peng. Para 13 vitesh Kosova e ka shpallur pavarësinë nga Serbia. Të kalohet nga Cefta në Sefta, Sefta është sipas modelit. Kjo është zgjidhja e duhur, duke ngritur ambiciet tona dhe bashkëpunimin rajonal”, u shpreh Kurti.