Arkiva 2

Samiu nuk mund të rilindë dot me Ramën








Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 09:09 - 11/09/20 |
Mirela Karabina

Gjimnazi 60 vjeçar “Sami Frashëri”, që si për ironi mban emrin e rilandasit të madh e patriot, u shemb barbarisht në kohë pandemie nga Edi Rama, një pseudorilindas delirant, i cili la pa shkollë 1700 nxënës. Edhe pse u premtua se punimet për rindërtimin e shkollës do të fillonin gjatë verës, lënia e inerteve në mes të lagjes së vjetër tiranase si për të të kujtuar dhunën e pushtetit, tregon se shkolla nuk ka gjasa të jetë gati  dhe për shumë kohë. Pra, nxënësit e Samiut janë pa shkollë, pikërisht, në këtë fillim viti të vështirë pandemik.


Pritej, njeriu që prej 8 vitesh i vuri kazmën arsimit nuk mund të ringrejë shkolla! Dhe sot, qëndron si gjeli majë gërmadhave, me një bilanc tragjik të largimit të të rinjve, të eksodit të trurit jashtë vendit sepse i mungon shkollimi cilësor, punësimi dhe jetesa e mirë. Nuk kishte si të ndodhte ndryshe, pasi ky kopjac rilindas dhe qeveria zullumqare e tij listojnë veç dështime në arsim. Kështu, më 2013-ën, nën ethet e marrjes së pushtetit dhe frikës për ta pasur gjatë atë, ky i vetëshpallur rilindas dhe qeveria e tij do të ndërmerrte reforma, të cilat shumë shpejt do ta fusnin arsimin në një rrugë pa krye.


Më një buxhet të ulët, të cilin premtoi që do e rrisë, por e la në nivelin 3%  të PBB (Prodhimit të Bredshëm Bruto) dhe nuk  arriti ta afrojë as me vendet e rajonit, arsimi është zhytur në një çorganizim të organizuar drejt shkatërrimit pa kthim të tij.


Reforma Kurrikulare në Arsimin Parauniveristar, që si kopjac i keq e mori nga Kosova dhe e “plasi” në shkolla pa e vrarë mendjen, u aplikua në kushtet e pamundësisë; mësues jo të trajnuar por të shpërfillur dhe të pa paguar nga pushteti; infrastruktura mjerane e shkollave, pa ajër dhe hapsirë, pa ujë e higjenë, pa mjete, laboratore  dhe amjente funksionalë nuk mundëson realizimin e reformës; teknologjia e munguar pasi investimi prej 3.5 ml euro për klasat digjitale  shpërdoruar është nga pushteti; buxheti i munguar në shkolla pamundëson aktivitete mësimore dhe investime në shërbim të dijes. Nxënësit tanë në vlerësimin ndërkombëtar për 15-vjeçarë, Testi PISA, dolën përsëri në fund të klasifikimit, sepse kanë mangësi në orientim dhe përpunim informacioni. Pra, rezultati i reformës një zero me xhufkë! Por, asnjë raport studimi dhe vlerësimi nga qeveria për këtë reformë të dështuar me kosto të lartë financiare.


Arsimi i Lartë është në ditët e qametit.  Reforma  dhe Ligji klientelist i Arsimit të Lartë, autonomia universitare në duart e pushtetit kanë rrënuar universitetin duke e kthyer atë në jo cilësor dhe me probleme të rënda funksionimi dhe vazhdimësie. Thirrën e bërtitën studentët në dhjetor 2018, u derdhën rrugëve dhe treguan se ishin në hall të madh, se nuk mësoheshin mirë, se diplomat nuk kishin vlerë, se punësimi për to ishte i pamundur, se kushtet ishin mesjetare, se pagesat e shkollimit ishin të larta, se ishin larg bashkëmoshatarëve të tyre europianë.


Po kush i dëgjoi?!  Pushteti arrogant i ktheu mbrapsh në auditore, i gënjeu, i shantazhoi dhe i mjeroi akoma më shumë. Shpenzimi për studentë nga kjo qeveri është 500-800 euro, ndërsa në vendet e hapsirës europiane 18 mijë euro për student. Tarfiat e shkollës rriten, ndërsa të ardhurat për familjet shqipatre, veç ulen, duke vështirësuar shkollimin e fëmijëve.

Pra, mungon interesi për të rinjtë dhe studentët nga kjo qeveri. Ndaj, sot jemi në këtë gjendje alarmi, ku studentë të pashpresë nga politikat qeverisëse, të gënjyer dhe të mashtruar nga ajo, vrapojnë të largohen nga sytë këmbët, një orë e më parë nga vendi i tyre. Ja dhe mësuesit, kjo armatë e rëndësishme pa të cilët shkolla nuk mund të ekzistojë, pushteti i Edi Ramës i ka denigruar si asnjëherë më parë. Të shpërfillur dhe pa vendimarrje, të ngarkuar me përgjegjësi pa fund dhe të papaguar, ato sot, renditen në shtresat më të dobëta të shoqërisë. Dhe qershia mbi tortë është se, që të bëhesh dhe të jesh mësues, sot, duhet të kalosh testin e partisë së rilindjes socialiste. Kështu, pasi diplomohen në universitete, pasi lincensohen si mësues ato nuk mund të punësohen pa u “falur” tek portali rilindas socialist “Mësues për Shqipërinë (partinë)”. Një model i kopjuar keq nga Italia, duke ia ndryshuar thelbin. Qeveria italiane, asokohe kur e aplikoi, kërkonte mësues në shërbim të Italisë, ndërsa rilindja socialiste kërkon mësues në shërbim të partisë dhe jo të Shqipërisë. Ndryshim i madh, qasje të kundërta! Pra, ky pushtet urren dijen dhe ka marrë përsipër ta shkatërrojë atë.  Dhe këtë po e bën me shtyllën e kombit, me shkollën, me mësuesin dhe arsimin. Paradoksi është se Edi Rama, ky kopjac dështak, emrin dhe lavdinë tentoi t’ia “vidhte” Rilindasve tanë por mendjen, punën dhe përkushtimin ndaj atdheut, jo. Rilindasit e mëdhenj luftuan me pushkë e penë, shkrinë pasurinë e tyre për gjuhën shqipe, mësuesin, shkollën dhe atdheun, ndërsa “rilindasi me bojna” dhe banda e tij në pushtet, i kanë hyrë me kazmë e fadroma shkollës dhe arsimit, duke rrëmbyer gjithçka gjejnë. Ndaj, Naimi dhe Samiu nuk mund të rilindin dot me Ramën. Ato dhe të tjerë do rilindin, po! Por, pas 25 Prillit 2021, kur dielli për shqiptarët do lindë nga perëndimi dhe, ditë më të mira do të vijnë…


Etiketa: ,

Pas