Alexis Sanchez nuk ka keqardhje nga vendimi për t’u bashkuar me Manchester United, por shton se u irritua, pasi nuk luajti rregullisht për “Djajtë e Kuq”. Pavarësisht se ishte një goleador i sprovuar në Premier League, Sanchez e pati të vështirë të linte shenjën e tij në “Old Trafford”, duke mos justifikuar thuajse asgjë nga paga stratosferike që merrte. 5 gola në 45 ndeshje të luajtura me Manchester United duken si një pikë uji në oqean… Kjo situatë bëri që të huazohet tek Interi në Serie A, me qëllim që të rizbulojë veten për të ardhmen afatgjatë.
Sulmuesi 30-vjeçar i tha “BBC Sport”: “Jam shumë i lumtur që shkova te Manchester United. Unë gjithmonë e kam thënë këtë se bëhej fjalë për klubin që ka fituar më shumë në Angli. Kur shkova tek Arsenali, ishte fantastike. Isha i lumtur atje, por Manchester United po rritej në atë kohë, po blinte lojtarë cilësorë për të fituar diçka. Doja të bashkoheha me të dhe të fitoja gjithçka. Nuk pendohem që shkova atje. Isha i lumtur edhe në Manchester, por gjithmonë u kam thënë miqve të mi: Dua të luaj. Nëse do të më lejonin të luaja, unë do të bëja çmos. Ndonjëherë luaja 60 minuta, pastaj nuk aktivizohesha fare ndeshjen tjetër. Dhe nuk e di akoma përse ndodhte kështu”.