Mapo Letrare

Sandalja e njelmët le gjurmë shenjti, e na ndjek nga pas si hije e vetmueme














Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 06:00 - 04/09/21 |
Halit Shamata

Poezi nga Halit Shamata






1. Vdekje me numër të madh


Na vijnë gjithnjë e më të mëdha këto vdekje
postume, të faluna, të shtërnguara
në radhë kryeneçe monumentesh,
që provokojnë zeje të shogëta,
rrobaqepës, këpucarë, kapelendreqës që përditë
msyjnë me na marrë masën e krahërorit( joskënderbejan)
masën e këmbës duke u nisur nga (de) forma dykrenore
e kokës. Rrobaqepës, kundraxhinj, kryendreqës kumarxhinj,
të gjithë alkmistë, që kthejnë veset e përditshme ne virtyte
bronxi për ngrehina të sheshta. Vdekje të faluna me numër të madh
këpucësh, të mbathunash, postumesh…







2. Mesdheu



Sandalja e njelmët le gjurmë shenjti
E na ndjek nga pas si hije e vetmueme
Në çdo dritare mund të shohësh detin
Dhe në çdo hap shkel tokën e premtueme



Dal nga rropullia e një guacke
të virgjër-vejushë e kahmoçme deti
Krejt i shveshur prej vetes gjer në skaje
Në përgjim të zërit prej asketi

është po ai zë i njelmët, zë që pak
më parë doli nga mesdheu i një deti
pa formë, pa brigje e krejt endacak
me gjeste gjurmësh të pathëna profeti

Në mes të dalldisë fatesh të zbuara
palmat përkulen në shenjë adhurimi
këmbët shkelin tokën me gjeste rrugësh
duart rrëmojnë detin me gjeste kthimi

Gjurmët e palëna mbeten të pashlyeme
Në athëtinë e gjuhëve të palimpsestueme
Qe shfletohen si hije jetësh të këmbyeme
Me djerrinat e tokës së sapo premtueme

3. Ti bie thikë tek unë

Ti bie thikë tek unë
Kokëposhtë
Si një shelg i kërrusur
që kërkon të arrijë
shijen e gjatë të lumit

Frymëmarrjet janë kopje të njëra-tjetrës
Dhe zëra tëë panevojshëm
Për të më ftuar
Drejt e në sytë e tu,
Që bien thikë tek unë.

4. Natyre e qetë përgjysmë

Kafshata e një molle të ngrënë përgjysme
dhe përciptas,
si një i papunë
që e tmerron pushimi i drekës

e gdhendur me dhëmbë të lodhur
e anonimë, të nginjur me kërcëllima
që tregojnë të njëjtën anekdode
bajate lotësh të përdorur,
që i ndërsejnë vetes
modelin e fqinjit që fle i mbuluar
me lëkurën e tij
përciptas si një i pastrehë
që e tmerron gjumi i drekës

Kafshatë e një jete të ngrënë përgjysmë
dhe përciptas

5. Kam kollitur dritën

Kam kollitur dritën
Dhe pastaj gjërat i kam lënë të zbardhin,
në fillim majat që pagëzojnë heshtjen me sendet
aty rrotull, bie fjala me hingëllima kuajsh të vesuar,
kali i zi ka zbardhur tërësisht, pothuaj,
Dhe unë kam thënë, s’më kujtohet së në ç’vend dhe në ç’gjuhë
ka ndodhur, por unë kam qenë aty rrotull dhë kam thënë
se kjo është mundësia ime e vetme për të qenë mamuze
e pashpirt në anën lindore të barkut
dhe në të dy anët e rrugës që ka lëshuar bark.
Koka që dhemb shkruhet ndër veset e mia kronike,
Patkonj që bien rastësisht në rrugën e fatit, jam i pafat
atëherë kjo është me shumë një pasion. Domethënë
llotari që e bie të gjithëve si një dhëmballë syu.
Hingëllima e gjatë e dritës vjen duke u shuar në mbrëmje.
Si një përshpirtje monotone mbi derën e shtëpise
ku një patkua i lodhur tregon orët e mbetura vejusha.
Rrethinat e një qeni përreth, duhma e frymës, frymëmarrjet
binjake. Dashuria ves i përditshëm si rrobat që kundërmojnë
herët, pa shkak kundërmojnë dhe jam gati të zë hundët,
ngaqë na mjaftojnë sendet tona në garderobën e veseve,
që na ngjiten nudo pas trupave kronikë, gardianë të plogësht,
qe mëngjezin e shoqërojnë me të kollitura
dhe vese të blera lirë.
Kollë e bardhë në të zezë dhe më vonë gri.

6. Gji deti

Unë hidhem përpjetë
Brenda syve qe bien ne det

Deti ndjek ritualin e tij të gjirit të Durrësit,
që nis tek gjinjtë mbretërorë të Teutës
të hapur për publikun.

Gjinjtë rrinë ngjeshur
pas trupit dhe pas detit.

7. Menu

Menuja e pamundësisë sonë luhatet
nga thonjtë e njomë të gishtrinjve
tek kafshimi i palëkundur i buzës së poshtme,
që e sorrollasim midis dhëmbëve
si një dhelpër rë zbutur

Menuja jonë është larmi
e mërzisë sonë të përditshme,
nga këmbët që ndjehen të zbathura,
sepse këpucët prodhohen më të njëjtin
numër manekinësh.
Numër këmbë përmbi këmbë,
për dekurajuar simbolikën e të ndenjurave,
që ripërtypin të folurit e përditshëm më vete.

Dhe pastaj ngado, të dhjera mizash që marrin rrogë të majme,
stiva gojësh dhe enësh të palara
në fund të tabelës së Mendelejevit.

8. Enigme

Dikush që ishte nisur herët pa zgjim
Kishte aguar orët e vona të ngujueme
Zgjimi i të pagjumëve është vegim
Si një ditë e panisur bahet e shkueme

Dikush nën këpucë sajoi rrugën
Dhe humbi të ecurit nën hapa të mekur
Enigmë dikush që kishte shpikur veten
Si rrëmihje e kotë në xhepat e vdekur

me të njëjtat hapa të pahedhura askund
si të marrësh të njëjtat plagë të porositura
duke u rrekur lehtas me u ndie përfund
pengjesh të mplakur, jetësh të panisura.

3


Etiketa:

CLOSE
CLOSE
Pas