Rama foli në emisionin ‘Open’ edhe për skandalin në spitalin Covid 2 me sanitaren. Ai e konsideroi rast të veçuar dhe ndryshe nga herët e tjera që ka sulmuar mediat, bëri thirrje që të gjithë qytetarët t’i drejtohen emisioneve investigative për të zbuluar skandalet.
Rama tha se emisioni nuk tregon se ka të implikuar edhe të tjerë, por pasi u kundërshtua nga gazetari Rakipllari i cili i tha se mund të ndikonte prokurorinë me këtë deklaratë, tha se të gjithë duhet të mbajnë përgjegjësi për veprimet që kryejnë.
Ndër të tjera, Rama tha me mburrje se “nëse ka një qeveri në historinë e këtij vendi për të dëgjuar ankesat është kjo qeveri.”
Rama: Secili mban përgjegjësi për veprimet e veta dhe unë kam një standard. Kur shoh një abuzim dhe që merr përgjigjen e duhur nga strukturat e shtetit, nuk më vjen mirë që ka ndodhur, por më vjen mirë që iu dha përgjigja. Nuk mund të lejoj që një sanitare të hedhë poshtë punën e 18 mijë bluzave të bardha.
Vasili: Nëna e vajzës ka akuzuar edhe mjekët e infermierët për neglizhencë?
Rama: Spitalet tona kanë bërë punë heroike. Nuk e përjashtojë faktin që mund të ketë dhe gjëra që nuk shkojnë. Unë me këtë punë merrem ditën dhe natën dhe i ndjek të gjitha.
Rakipllari: Një mjek i Urgjencës Kombëtare Ilir Allkja ka denoncuar sistemin nga brenda. Ka thënë nuk kemi pajisje, nuk kemi asgjë. Por shteti e përzë këtë nga puna.
Rama: Standardi im thotë që një Gjeneral, një Kolonel, një Major, një mjek i spitalit që është brenda sistemit në frontin e luftës dhe përhapin panik e dizinformacion nuk mund të jetë në sistem.
Kanë marrë masë për të dhe kanë bërë shumë mirë. Nëse ka një problem, ka një hierarki. Nëse ka një qeveri në historinë e këtij vendi për të dëgjuar ankesat është kjo qeveri. Ato që ka thënë ai janë verifikuar nga Ministria e Shëndetësisë dhe rezulton që kemi të bëjmë me një person që nuk e përmbush dot detyrën.