Orët e para të së martës u hapën me lajmin e operacionit të nisur nga Prokuroria Speciale Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, e cila lëshoi 22 masa sigurie në kuadrin e hetimeve të dosjes 339.
Me shumë gjasë, të gjithë ata që u njohën me lajmin kanë hamendësuar se pas shumë kohësh në rrjetën e drejtësisë kishin rënë peshqit e mëdhenj, in primis Vangjush Dako, non grata në SHBA për raste madhore korrupsioni. Zhgënjimi ishte i menjëhershëm.
Nuk ishin peshq të mëdhenj, por sardele. Tre grupe komisionerësh, 22 vetë, të cilët akuzohen për vjedhje votash në zgjedhjet e vitit 2017 në zonën e Shijakut. Ndonëse zbardhja e mëtejshme e dosjes do të thotë më shumë për secilin prej të arrestuarve, mungesa e përfituesve nga ky krim, e bën krejt të pamjaftë operacionin e fundkorrikut.
Nga ana tjetër, kryeministri, pasi u njoh me përkatësinë partiake të secilit prej të ndaluarve, bashkë me taborët e tij mediatikë, nisi përpjekjen për relativizimin e cështjes së ngritur nga prokuroria katër vite më parë, natyrisht për të zbehur kauzën e opozitës.
Megjithatë, nuk ka nevojë për një trajnim pranë strukturave të specializuara të FBI-së për të kuptuar sesi është e vërteta; mjafton një retrospektivë e ngjarjeve të lidhura me dosjen 339. Kjo e fundit nisi si një hetim ndaj krimit të organizuar, me indicie të ardhura nga Gjermania dhe Kosova mbi një rrjet të trafikimit të drogës.
Ndërkohë që hetimet dhe përgjimet e grupit kriminal vijonin, në tabulatet e të hetuarve u shfaq Vangjush Dako, atëbotë Kryetar i Bashkisë së Durrësit, dhe një grup funksionarësh publikë të kësaj njësie vendore. Sikurse u bë e qartë nga përgjimet e publikuara si fillim nga Voice of America dhe më vonë nga Bild, organizatorët e laboratorit të heroinës së Hasit dhe banda e Shijakut kishin një partner politik në qarkun e Durrësit.
“Cui prodest scelus, is fecit” (“ai të cilit krimi i sjell përfitime, ai e ka bërë atë), shkruante Seneka në veprën e tij Medea.
Dhe përfituesi i aktivitetit elektoral të bandës së Shijakut nuk mund të jenë komisionerët e arrestuar ditën e martë, që afërmendsh nën trysninë e të fortëve, kanë shkelur bashkarisht ligjin kur kanë lejuar votimin e atyre që atë ditë ndodheshin përtej kufijve, por është z. Vangjush Dako, emri i të cilit mungon në listën e fletarresteve të lëshuara nga SPAK.
Dicka që ngre mjaft dyshime për rezultatin e deritanishëm të super prokurorisë, e cila nuk ndodhet vetëm nën trysninë e opinionit publik vendas, por edhe të atij ndërkombëtar, pasi bashkë me dosjen e Dibrës, ajo e Durrësit është një kusht i qartë për vijimin e integrimit europian.
Ky zhvillim u përshëndet në Twitter nga ambasadorja e Shteteve të Bashkuara, znj. Kim, e cila pa te këto arrestime, fillimin e zbulimit të lidhjes midis krimit të organizuar dhe korrupsionit. Qartësisht është kështu, sepse dosja mbledh bashkë trafikantët e drogës dhe politikanët, vecse në qeli sot mungojnë politikanët dhe, si përherë në Shqipëri, vendin e tyre e kanë zënë një tufë fakirësh.
Dhe nëse prangat e hedhura mbi komisionerët do të shënojnë edhe fundin e dosjes 339, do të jemi përballë provës se paratë e takasapguesve amerikanë për reformimin e drejtësisë, kanë shkuar dëm.
Që kjo mos të ndodhë, dhe drejtësia e re shqiptare të tregohet e pavarur nga politika, do të duhet që përfaqësuesja e shtetit që ka kontribuuar kaq fort në këtë reformë, të kërkojë që zbatuesit e këtushëm të kenë të njëjtin kut që Departamenti Amerikan i Shtetit ka përdorur në shpalljen non grata të z. Dako. Çdo standard tjetër, me hije të forta politike, do të meritonte vetëm një togfjalësh: Business as usual!