Deputetja e PD, Rudina Hajdari nuk ka dorëzuar ende mandatin, duke refuzuar t’i bashkohet vendimit të opozitës së bashkuar. Edhe pse është rikthyer nga SHBA disa ditë më parë, ajo nuk ka bërë asnjë koment dhe s’ka marrë asnjë vendim për këtë çështje, ndryshe nga sa u shpreh kur ndodhej jashtë vendit.
Në një kohë kur KQZ ka zëvendësuar deputetët e parë nga opozita, mes të cilëve edhe kryedemokratin, Lulzim Basha, me pasuesit në listë, vajza e “Heroit të Demokracisë”, Azem Hajdari, gëzon ende mandatin parlamentar. Kur të gjithë presin vendimin e Rudinës, sot ajo ka bërë një postim në rrjetet sociale, por jo për tematikën për të cilën po flasim.
11 marsi është ditëlindja e babait të saj, Azemit dhe ajo ka bërë një dedikim për këtë rast përmes një postimi në rrjetet sociale. “Sot në ditën e lindjes së tij kujtojmë me krenari dhe përulje kontributin dhe sakrificen e tij të pakufij për Shqipërinë dhe Kosovën”, shkruan Rudina.
Vendimi përfundimtar i Rudinës pritet me mjaft interes. Nga ana tjetër PD ka paralajmëruar se do përjashtojë Rudina Hajdarin njësoj si Myslim Murrizin nëse vendimi i saj do jetë mbajtja e mandatit të deputetes.