Aktualitet

Sekretet e pasurisë/ Guida praktike e “Njeriut më të pasur të Babilonisë”







Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 18:17 - 29/09/20 |
Olgert Kapri

Nga Olgert Kapri


Si vihet pasuria? Si shumohet ajo? Si mund t`ia dalë një njëri që ka mbaruar një arsimim standard dhe del në treg për të punuar me një pagë, apo zotëron një zanat të akumulojë pasuri. E të bëjë që pasuria e tij apo e saj të lulëzojë me kalimin e viteve? Cilat janë ato mësime të pasurisë që shkollat jo vetëm në Shqipëri por edhe në mbarë botën nuk na i mësojnë?


Në këtë shkrim për MAPO iu sjellim guidën praktike të librit “Njeriu më i pasur i Babilonisë” nga George S. Clason të cilën mund ta gjeni në shqip. Një libër relativisht i vogël ndërtuar në forme tregimesh, pra i lehtë në lexim. Aty ku mund të gjenden 7 kurat e një “çante” të varfër dhe se si ta trashni atë.  Parime praktike që një individ duhet t’i ketë parasysh nëse ka dëshirën të zotërojë e gëzojë pasuri monetare gjatë jetës së tij në një vend ku ekziston sipërmarrja e lirë.



Dy fjalë rreth kontekstit të librit


Në qendër, libri ka siç kuptohet njeriun më të pasur të Babilonisë, Arkad. I cili nuk vinte nga një familje të pasurish, por që në rini kishte dëshirën të zotëronte pasuri. Ai punonte si gurgdhendës i tabelave të ligjeve në qytet dhe një ditë një njeri i pasur, Algamish i kërkon që të kryente një tabelë ligjesh. Në këmbim, Arkad i kërkon Algamishit se si të bënte pasuri. Ai ia rrëfen sekretet dhe Arkadi arrin që falë këtyre parimeve të grumbullonte pasuri si askush në qytet-shtetin e parë të civilizuar që ka njohur bota.


Më vonë këshilltarët e mbretit të Babilonisë i thonë se në qytetin e tyre glamoroz pasuria ishte grumbulluar në pak duar dhe se pjesa më e madhe kishte humbur mësimet se si të prosperonin në pasuri. Atëhere mbreti i kërkon Arkadit që t’ua mësojë edhe të tjerëve parimet që ai i kishte mjeshtëruar. Arkadi pranon me kënaqësi dhe u kërkon këshilltarëve të thërrisnin 100 vetë që të formonin një klasë ku ai të ndante me ta sekretet e pasurisë.

Këto janë 7 kurat për të trajtuar një “çante” të varfër.

Parimi nr.1

Filloni duke trashur “çantën” tuaj

Parimi është i thjeshtë, për çdo para që siguroni paguani veten të parin me 1 të dhjetat e asaj që fitoni, pas taksave sigurisht.

Pra nga të ardhurat tuaja mujore, një pjesë e tyre, le të themi 10% është e juaja ta mbani për ta çuar në “çantën” e pasurisë që të formoni thesarin tuaj.

Parimi nr.2

Kontrolloni shpenzimet Tuaja

Buxhetoni shpenzimet tuaja që ju të keni para për të paguar nevojat që keni, të paguani për kënaqësitë dhe të plotësoni dëshirat tuaja pa shpenzuar më shumë se 9 të dhjetat e të ardhurave që keni.

Shtrohet pyetja: Po si t’ia dalim që të ruajmë një pjesë të të ardhurave tona kur ato që fitojmë nuk na dalin për shpenzimet e nevojshme?

Kësaj pyetje njeriu më i pasur i Babilonisë, Arkad i përgjigjet duke na dhënë një të vërtetë të pazakontë, siç e quan ai, se: E gjithë ato që ne i quajmë “shpenzime të nevojshme” do të rritet gjithmonë në mënyrë të barabartë më të ardhurat tona vetëm nëse e kontestojmë këtë gjë. Mos konfuzoni shpenzimet tuaja të nevojshme me dëshirat tuaja.

Studioni me vëmendje zakonet tuaja të të jetuarit.

Parimi nr.3

Bëjeni floririn tuaj të shumëfishohet

Shikojeni çantën tuaj të trashet. Keni arritur të disiplinoni veten të lini veçmas 1 të dhjetën e asaj që keni fituar. Keni arritur të kontrolloni shpenzimet tuaja e të mbroni thesarin tuaj në rritje.

Hapi tjetër është të konsideroni mënyrat se si ta vendosni në punë thesarin që të rritet apo shumëfishohet.

Pasi të keni formuar thesarin tuaj, që mund t’ju duhen 1 vit ose disa prej tyre, pyetja shtrohet se çfarë do bëni me to. Pra, në çfarë metodash ta investoni. Një metodë është ta lëshoni si hua dhe të merrni interesat te një huamarrës i besueshëm.

Ju them ju, studentëve të mi që pasuria e një njeriu nuk qëndron te monedhat që ai mban te traseja e tij po tek e ardhura që ai ndërton, te rrëkeja e artë që rrjedh në çantën tuaj dhe që vazhdon të ndërtohet”, shprehet Arkadi ndaj klasës së tij.

Po nuk mbaron këtu duhet që edhe interesat që ju përfitoni t’i investoni përsëri, duke e vënë floririn në punë.

Parimi nr.4

Ruani thesarin tuaj nga humbja

Ruani thesarin tuaj nga humbja duke investuar vetëm aty ku principiali është i sigurt, aty ku mund të kërkohet mbrapsht nëse dëshirohet, dhe atje ku nuk dështoni të mblidhni një pagesë të drejtë. Konsultohuni me njerëz të ditur. Siguroni këshillat e atyre që janë me eksperiencë në mbajtjen dhe investimin e floririt. Lejoni që dituria e tyre të mbrojë thesarin tuaj nga investimet e pasigurta”.

Çdo zotërues thesari është i tunduar nga mundësitë afër tij që mund të duken se mund të bëjë shuma të mëdha. Shpesh familjarët dhe miqtë hyjnë në investime të tilla dhe na influencojnë që të ndjekim të njëjtën rrugë.

Studioni me kujdes, përpara se të bëheni pjesë me thesarin tuaj, çdo siguri që ai mund të rimblidhet.

Përpara se ju të besoni thesarin tuaj në një investim të çdo fushe, njihuni me çdo rrezik të cilin mund të paraqitet.

Parimi nr.5

Bëjeni banesën tuaj një investim fitimprurës

Asnjë familje nuk mund ta gëzojë plotësisht jetën nëse nuk kanë një copë tokë ku fëmijët e saj mund të luajnë dhe që gruaja e shtëpisë të rrisë fruta dhe perime për të ushqyer familjen e saj, kështu u drejtohet Arkandi nxënësve të tij, duke kuptuar kontekstin e kohës kur jetonte.

Ai shprehet se huadhënësit gjithashtu janë të prirur të japin hua për shtëpitë. Duke paguar interesat bashkë me huan për disa vite, në fund mund ta dispononi për vete këtë pasuri. Arkandi beson se kështu ulet kostoja jetesës së një familjeje. Pra parimi i pestë për mbledhur një thesar është të zotëroni banesën tuaj.

Parimi nr.6

Siguroni një të ardhur për të ardhmen

Duhet që një njeri të bëjë përgatitje për ditët që do vinë, kur ai nuk do jetë më i ri. Përgatitjet duhet të jenë të tilla që edhe familja e personit nuk do jenë në gjendje ta mbështetin atë.

Njeriu më i pasur i Babilonisë, sugjeron për këtë qëllim në investim te blerja e shtëpive ose tokave. Vlera e këtyre investimeve nuk bie me kalimin e kohës dhe fitimet ose shitja e tyre, kur të jetë momenti do të sigurojë mirë për nevojat.

Personi mund t’i japë një huadhënësi një shumë që ai ta lëshojë në hua dhe interesat e akumuluar do shërbejnë në kohën që ua kemi nevojën.

Asnjë njeri nuk mund të mos sigurojë një thesar për moshën e tij të tretë dhe për mbrojtjen e familjes së tij, pavarësisht se sa të prosperuara janë punët e tij.

Ky pra është parimi i gjashtë që kuron një trajse të varfër: Siguroni në avancë për nevojat e moshës tuaj të tretë dhe për mbrojtjen e familjes suaj.

Parimi nr.7

Rrisni aftësitë tuaja në përfitim

Dëshira është në thelb të arritjes së diçkaje. Dëshirat tuaja duhet të jenë të forta dhe të mirë përcaktuara. Fillimisht në shuma të vogla dhe më pas tek ato më të mëdhatë, teksa një njeri mëson se si të bëhet më i aftë.

Sa më shumë dituri ne përvetësojmë aq më shumë mund të fitojmë.

Ju inkurajoj, të gjithëve ju të jeni në pararojë të progresit në zhvillimin e aftësive tuaja, dhe jo të qëndroni në vend, sepse kush qëndron pezull në aftësi mbetet mbrapa,” u thotë Arkadi studentëve të tij.

Kështu parimi i shtatë është që të kultivoni dhuntitë tuaja, të studioni dhe të bëheni më të ditur, të bëheni më të aftë, në mënyrë që të silleni në respekt të vetes tuaj.

Shpresojmë që këto parime të kenë rezonuar me ju, dhe t’ju bëjnë që të reflektoni rreth tyre. Sigurisht jo t’i merri shabllon, qëllimi është t’ju nxisin që të lexoni jo vetëm këtë libër rreth të ardhurave, por edhe të tjerë në mënyrë që të vendosni në praktikë atë që është më e mira për ju.


Etiketa: , , , ,

CLOSE
CLOSE
Pas