Aktualitet

Seksiste dhe të zhbalancuara, faqet ‘online’ u fokusuan te liderët burra














Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 08:00 - 15/07/21 |
Besar Likmeta | BIRN

Gjatë fushatës së 25 prillit, faqet online të mediave audiovizive, gazetave dhe portalet i dhanë më shumë hapësirë kryeministrit Rama dhe PS, duke lënë në hije partitë e vogla dhe kandidatet femra.






Me zgjerimin e shpërndarjes së internetit me brez të gjerë dhe të telefonave të zgjuar celularë gjatë viteve të fundit, konsumi i lajmeve nëpërmjet faqeve ‘online’ të medias audiovizive, gazetave dhe portaleve ka shënuar rritje eksponenciale. Ky konsum, sipas vëzhguesve të medias, arrin pikun gjatë periudhave zgjedhore dhe fushata e fundit për zgjedhjet parlamentare të 25 prillit u pasqyrua gati në kohë reale në faqet ‘online’ të mediave.


Por pasqyrimi i zgjeruar i deklaratave politike dhe aktiviteteve zgjedhore në faqet online të mediave nuk do të thotë që mediat kanë qenë të balancuara në mbulimin e tyre, duke publikuar lajme për të gjitha subjektet politike në garë dhe duke mbajtur një baraspeshë midis hapësirës që u jepet kandidateve për deputete gra dhe vajza, kundrejt kolegëve të tyre burra. Nga data 26 mars deri më 24 prill, BIRN monitoroi lajmet e botuara në lidhje me zgjedhjet nga 30 faqe interneti të televizioneve kryesore në vend, gazetave të përditshme dhe portaleve online.





Analiza e të dhënave të përftuara nga indeksimi nëpërmjet një databaze i dhjetëra mijëra artikujve, tregon se mbulimi i fushatës u përqendrua kryesisht te liderët kryesorë partiakë dhe kandidatët për deputetë burra, ndërkohë që koleget e tyre gra dhe vajza, si dhe partitë e vogla që garonin në zgjedhje u lanë në hije. “Këto të dhëna tregojnë se mbulimi i medias gjatë fushatës elektorale i aktorëve të ndryshëm politikë dhe i kandidateve gra dhe vajza nuk ka qenë i balancuar,” -tha Kristina Voko, drejtoreshë ekzekutive e BIRN Albania.



“Media gjatë fushatave zgjedhore duhet t’i japë publikut informacion të saktë dhe të balancuar, në mënyrë që ata të bëjnë një zgjedhje të informuar ditën e votimit,” theksoi ajo. Në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit në Shqipëri garuan 10 parti politike, 2 koalicione zgjedhore dhe 5 kandidatë të pavarur – në Dibër, Gjirokastër, Lezhë, Shkodër dhe Tiranë. Në total në garë morën pjesë më shumë se 1840 kandidatë për deputet.



Media i dha më shumë hapësirë PS dhe Edi Ramës
Gjatë fushatës zgjedhore, çdo subjekt zgjedhor ka të drejtë të bëjë propagandë zgjedhore në çdo mënyrë të ligjshme. “Rregullat, kushtet dhe kufizimet e përcaktuara në këtë ligj kanë qëllim garantimin e barazisë së subjekteve zgjedhore në garë, sigurimin e paanësisë së operatorëve radiotelevizivë në raport me fushatën dhe subjektet e veçanta zgjedhore, si dhe mbrojtjen e subjekteve zgjedhore nga praktikat e deformimit të mesazhit zgjedhor, censurës dhe përdorimit të kundërligjshëm të medies,” thekson neni 78 i Kodit Zgjedhor.

Marrëdhënia e partive ose kandidatëve është e rregulluar për sa u përket mediave audiovizive, por kufizimet dhe monitorimi që Autoriteti i Mediave Audiovizive, AMA, iu bën entiteteve të ndryshme mediatike nuk shtrihet online, qofshin këto televizione, gazeta apo portale. Pasi analizoi më shumë se 110 mijë artikuj të publikuar gjatë fushatës zgjedhore nga 30 mediat online të përzgjedhura, BIRN identifikoi rreth 34,445 artikuj të lidhur drejtpërdrejt me mbulimin e fushatës dhe procesit zgjedhor në vend. Nëpërmjet një kampioni gjysmë rastësor, 20% e këtyre artikujve u koduan nga monitorues të trajnuar për të vlerësuar mbulimin mediatik të subjekteve dhe aktorëve të ndryshëm politikë.

Duke analizuar të dhënat e përftuara nga baza e të dhënave, BIRN arriti në përfundimin se më shumë se gjysma e artikujve të publikuar (54.2%) janë në formatin e deklaratave politike, 7.6% fokusohen në mbulimin e takimeve elektorale të partive politike, 7.5% janë lajme rreth aktiviteteve të ndryshme administrative të funksionarëve publikë, 10.7 % lajme mbi procesin zgjedhor dhe pjesa e mbetur janë komente, lajme mbi debatet televizive ose rezultatet e sondazheve. Të dhënat e analizuara nga BIRN tregojnë se Partia Socialiste në pushtet ka qenë subjekti politik që mori më shumë hapësirë nga media në raportimin e tyre online gjatë fushatës elektorale. PS ka marrë 37.2% të mbulimit mediatik, e ndjekur nga Partia Demokratike me 32.5% dhe Lëvizja Socialiste për Integrim me 12%. Sa iu përket aktorëve politikë, 23.8% e deklaratave të botuara i përkasin kryeministrit Edi Rama dhe 18.6% liderit të opozitës, Lulzim Basha, i ndjekur nga Presidenti Ilir Meta me 12% dhe kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi me 4.8%. Ndërsa pjesa e mbetur e deklaratave të botuara ndahet midis kandidatëve të tjerë në zgjedhje dhe përfaqësuesve të partive politike.

Ndërkohë, në artikujt që janë në formatin e lajmeve mbi takimet e partive dhe kandidatëve me zgjedhësit gjatë fushatës, mbulimi është më i balancuar midis dy partive të mëdha – por anon sërish nga PS. Nga këta artikuj, 44.8% kanë qenë mbulim për Partinë Socialiste, 39.8% për Partinë Demokratike, 8.2% për LSI-në dhe vetëm 7.1% për të gjithë subjektet e tjera politike garuese. Edhe në këtë format, Edi Rama është sërish aktori politik më i pasqyruar me 32.7% të totalit, i ndjekur nga Lulzim Basha me 25.2% dhe Monika Kryemadhi me 5.7%.

Përveç publikimit të një numri të lartë artikujsh mbi deklaratat elektorale të Partisë Socialiste, media online i ka dhënë dhe një mbulim të gjerë aktiviteteve administrative të kryeministrit dhe ministrave të kabinetit qeveritar, të cilët gjatë fushatës janë përqendruar në fushatën e vaksinimit kundër COVID-19. Gati 46.4% e artikujve mbi aktivitetet administrative kanë si subjekt ministrat e kabinetit qeveritar, 30.6% kanë si subjekt vetë kryeministrin Edi Rama dhe vetëm 8.3% e lajmeve administrative kanë si subjekt Presidentin Ilir Meta. Sa u përket lajmeve që lidhen me mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, Komisioni Qendor i Zgjedhjeve është institucioni më i pasqyruar me 30.2% të totalit, i ndjekur nga përfaqësuesit ndërkombëtarë me 26% të mbulimit, ndërkohë që 10% e lajmeve mbi procesin zgjedhor kanë si subjekt partitë politike.

Të dhënat e mbledhura nga BIRN përfshijnë lajmet e botuara nga 8 faqe online televizionesh, 7 faqe gazetash të përditshme dhe 15 portale. Mbulimi i subjekteve dhe aktorëve të ndryshëm politikë nuk ka qenë i njëtrajtshëm midis faqeve në internet të televizioneve, gazetave dhe portaleve. Faqet online të gazetave i kanë dhënë më shumë hapësirë Lëvizjes Socialiste për Integrim në krahasim me televizionet ose portalet. Ndërkohë, televizionet iu kanë dhënë më shumë hapësirë deklaratave të përfaqësuesve të PS-së, në shumicën e rasteve të kryeministrit Edi Rama, në krahasim me faqet e portaleve dhe të gazetave.

Hendeku gjinor në internet
Studimet e ndryshme kanë treguar se burrat dhe gratë trajtohen ndryshe nga media dhe në të njëjtën kohë, ata kanë eksperiencë shumë të ndryshme kur marrin pjesë në procesin politik duke garuar në zgjedhje. Nga 1841 kandidatë për deputetë që morën pjesë në zgjedhje, vetëm 732 ose 39.7% ishin gra. Nga ky grup kandidatesh, në legjislaturën e ardhshme janë zgjedhur 48 deputete, që përbëjnë rreth 34% të parlamentit me 140 deputetë, duke shënuar një rritje nga legjislatura e mëparshme që kishte vetëm 41 deputete gra. Megjithë rritjen e përfaqësimit të grave deputete në legjislaturën e re që fillon punë në shtator, të dhënat e mbulimit mediatik në internet të analizuara nga BIRN, tregojnë që gjuha seksiste dhe përçmuese ndaj grave dhe vajzave kandidate vazhdoi të ishte pjesë e fushatës zgjedhore.

Gjithashtu, mbulimi mediatik i fushatës zgjedhore të grave kandidate ishte shumë më i ulët, nëse krahasohet me kolegët e tyre burra. Analiza e më shumë se 6900 artikujve të kampionuar nga BIRN nga faqet online të 30 mediave kryesore në vend gjatë zgjedhjeve, tregon ekzistecën e një hendeku të qartë gjinor. Të dhënat e monitorimit tregojnë se vetëm 15.3% e deklaratave politike të publikuara nga media në faqet e tyre online iu përkasin kandidateve femra, ndërsa 84.7% janë dhënë nga kolegët e tyre burra. Ndër mediat e monitoruara, faqet online të televizioneve kishin hendekun më të thellë gjinor në mbulimin e kandidatëve gjatë zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit, të ndjekura nga portalet online dhe faqet në internet të gazetave.

Të dhënat e analizuara tregojnë se mediat jo vetëm ishin të pabalancuara për sa u përket gjinive gjatë fushatës, por portretizimi i kandidateve gra ishte shpesh peng i steriotipeve gjinore, në mënyrë të hapur ose të nënkuptuar.

14


Etiketa: , , , ,

CLOSE
CLOSE
Pas