SPAK përmes një deklarate për mediet ka bërë të ditur sot përfundimin e hetimit pasuror mbi pasuritë e Ylli Ndroqit, mes të cilave dhe mediet RTV Ora dhe Ora News.
Pas një procedure që zgjati më shumë se 10 muaj dy përfaqësuesit e akuzës kanë ngritur pretendimin se rreth 27 për qind e shpenzimeve nuk janë mbuluar nga të ardhurat, duke paraqitur dhe një tabelë duke renditur edhe vitet.
Një vendim i tillë do t’i hapë rrugën përballjes në gjykatë mes avokatëve të Ylli Ndroqit si dhe dy prokurorëve.
Pas marrjes së njoftimit, përfaqësuesit ligjorë të Ndroqit shprehen se SPAK nuk ka respektuar procedurat pasi nuk i kanë njoftuar më parë për këtë vendim.
Po ashtu ata shtojnë se janë të gatshëm për përballjen dhe se diferenca e pretenduar nuk qëndron dhe se për këtë kanë faktet dhe argumentet e plota të cilat do ti paraqesin në gjykatë ku dhe do të nisë përballja ligjore.
Po ashtu si avokati Jordan Daci dhe Besnik Muçi do të jenë sot në ekranet e TV Ora dhe Ora News edicionet qëndrore të lajmeve në orën 19:00 dhe 20:00 për të sqaruar opinionin publik.
Në këtë periudhë stafi i dy televizioneve është përpjekur t’i qëndrojë besnik të vërtetës duke e sjellë lajmin ashtu si është dhe pa lejuar ndërhyrje.
Njoftimi i SPAK
“Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë, ka përfunduar verifikimet në lidhje me proçedimin pasuror nr.10, datë 21.07.2020, në ngarkim të shtetasit Ylli Ndroqi (alias Xhemail Pasmaçiu), lindur dhe banues në Tiranë.
Nga verifikimet e kryera u evidentuan fillimisht pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme në pronësi të shtetasit Ylli Ndroqi (alias Xhemail Pasmaçiu) dhe familjarëve të tij, për të cilat Gjykata me vendimin Nr.16, datë 01.08.2020, vendosi sekuestrimin e tyre.
Në vijim u kryen verifikime të thelluara dhe rezultoi se u evidentuan dhe gjashtë (6) pasuri të tjera të paluajtshme, (truall dhe objekte) me sipërfaqe totale 9232.8 m2 dhe vlerë 186 737 511 lekë, (rreth 1.6 milion euro) të ndodhura në Tiranë.
Bazuar në kërkesën e paraqitur nga Prokuroria e Posaçme, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me vendimin Nr. 15, datë 03.06.2021, vendosi sekuestrimin e tyre. Në përfundim të hetimeve pasurore u konkludua se :
Raporti midis të Ardhurave dhe Shpenzimeve të shtetasit Ylli Ndroqi (Xhemail Pasmaçiu) dhe familjarëve të tij, në çdo vit, si dhe gjendja e Bilancit përfundimtar të tyre është:
Gjithsej për gjithë periudhën së bashku janë:
Të Ardhurat Gjithsej: 1 048 667 240 leke.
Shpenzimet Gjithsej: 1 418 522 446 leke.
Shpenzimet e pambuluara me të ardhura janë: – 369 855 206 leke.
Ose rreth 3 milion euro.