Ekonomi

Selami Xhepa: Kemi punësim varfërues, nën kufirin e mbijetesës









Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 17:11 - 25/02/19 |
ro ot

Tensioni politik shkakton hezitim dhe pasiguri tek investitorët e huaj, thotë Selami Xhepa, një nga njohësit e mirë të ekonomisë. Në një intervistë për gazetën, Mapo ai prek disa nga çështjet kryesore që nga situata politike, buxheti, pastrimi i parave të krimit dhe punësimi.  Sipas Xhepës problemi i punësimit në Shqipëri është çështja më serioze dhe shqetësuese, jo thjesht në kuptimin e papunësisë, e cila mbetet një lojë shifrash, por e cilësisë së punësimit. Sipas tij ka tendencë të një “punësimi varfërues” në biznese me paga shumë të ulëta.



-Zoti Xhepa, sa dhe si ndikon gjendja politike në ecurinë e ekonomisë?


Tensionimet e klimës politike padyshim që shkaktojnë hezitime dhe pasiguri midis investitorëve, veçanërisht në raport me investitorët e huaj, të cilët nuk janë mësuar të veprojnë në realitete politike si këto që përjetohen në vendin tonë. Në afat të shkurtër, mund të thuhet se planet e investimeve të reja apo për zgjerim veprimtarie nuk kryhen, ndërsa në afat të gjatë krijohet një imazh i një vendi me destabilitet politik permanent dhe që demtohet seriozisht perspektiva për të tërhequr investitorë serioz dhe projekte serioze investimesh. Oportunitetet vijnë dhe ngushtohen, krahu i punës emigron drejt vendeve të tjera, duke krijuar një spirale negative në afat të gjatë.




-Si e shpjegoni paradoksin e një ekonomie në rritje ndërkohë që kreditimi është në rënie?



Ekonomia jonë ka manifestuar mjaft paradokse, një prej të cilave është dhe kjo. Ka një punë kërkimore teorike mbi këtë temë, se a mund të ketë rritje ekonomike, kur rritja e kredisë bëhet negative. Arsyetimi se kjo mund të ndodhë është se rritja e mëhershme e kredisë është drejtuar në aktivitete ekonomike joproduktive, dhe për pasojë, procesi i “de-kredimit” eliminon kredinë e keqorientuar dhe që ka qenë negative për ekonominë. Në rastin e Shqipërisë mendoj se rritja pa kredi shpjegohet me kapacitetet e shfrytëzimit të instaluara më parë dhe që rritjet modeste të shitjeve (dhe të ekonomisë në tërësi) mund të realizohen brenda kapaciteteve ekonomike e industriale të krijuara tashmë. Por, sërish, në afat të gjatë, rritja nuk mund të vazhdojë, pasi ekonomia duhet të krijojë kapacitete të reja dhe të zgjerohet baza industriale, e ekonomike, si e vetmja mënyrë për të siguruar një rritje të përhershme dhe të shëndoshë.


-Sa rrezikohet ekonomia jonë nga pastrimi i parave të krimit, cilët janë sektorët më të ekspozuar?

Vendi ynë tashmë edhe zyrtarisht është klasifikuar nga agjensitë rregullatore, si një vend me rrezik të lartë të pastrimit të parasë së zezë në aktivitetet ekonomike. Edhe zhvillimet në kursin e këmbimit që janë shoqëruar me një rritje të fortë të vlerës së monedhës vendase në raport me euron, i janë atribuar në një masë të madhe këtyre prurjeve valutore të shtuara nga kanalet informale. Si gjithnjë, aktivitetet e pasurive të paluajtshme janë mënyra kryesore e përdorur nga mbajtësit e këtyre fondeve.

-Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë ka një tendencë në rënie të parasë në qarkullim, çfarë efekti sjell kjo për ekonominë?

Rënia e parasë në qarkullim mendoj se është pasojë dhe jo shkak në raport me sjelljen e ekonomisë. Duke mos u rritur të ardhurat në lekë, shitjet dhe qarkullimi ekonomik në tërësi, sasia e parave të kërkuara për të mundësuar këtë qarkullim efektiv ekonomik, bie. Nga ana tjetër, një pjesë e madhe e ofertës së brendshme monetare nuk është në lek, por në euro, duke bërë që vendi të ketë një “bollëk” në para, por vështirësi në ndërmjetësimin financiar. Këto disbalanca në kompozimin e ofertës monetare mendoj se krijojnë zhbalancime në vlerat relative të parasë dhe, në rastin konkret, sjellin efekte të dëmshme në disa sektor, si eksportet, kursimet e brendshme në euro, të ardhurat buxhetore, etj.

-Viti 2018 u mbyll me mosrealizim të të ardhurave tatimore, sa rrezikojmë në 2019 të njëjtën situatë?

Parashikimet makrekonomike janë gjithnjë të “fryra”, duke krijuar vështirësi për realizimin e buxhetit në pëpruthje me parashikimet ligjore. Po të shihen statistikat historike, gjithnjë kemi një mosrealizim me gati 10% të planit të të ardhurave, dhe kjo e dëmton edhe realizimin e shpenzimeve. Sidoqoftë, meqenëse kujdesi kryesor duhet të vihet në realizimin e deficitit, mendoj se ky tregues i fundit duhet të shihet më me prioritet dhe të shërbejë si indikatori kryesor për të gjykuar politikën. Një problem nga mosrealizimi krijohet dhe për kontratat koncensionare të PPP, pasi hapësira fiskale buxhetore që shërben për të përcaktuar volumin e tyre, është në varësi të planit të të ardhurave. Për pasojë, rreziqet nga kontratat e PPP shtohen dhe më shumë.

-Qeveria ka hartuar së fundmi një ligj për rishikimin e kontratave të Partneritetit Publik-Privat. A është hapi i duhur anullimi i këtyre projekteve?

Nuk mund të ketë anulime në bllok të kontratave, pasi kjo cënon parimin numër një në një veprimtari ekonomike: sigurinë juridike që jep një kontratë. Çdo lloj problemi që mund të ketë buruar nga keqeverisja e sektorit, duhet të zgjidhet brenda parashikimeve ligjore, rast për rast, dhe jo me ndalime, ngrirje apo terma dhe praktika joligjore. Veprime të tilla bëhen shumë më të dëmshme për klimën e investimeve edhe se klima e tensionuar politike për të cilën folëm në fillim.

-Çdo fushatë elektorale flitet vetëm për hapje vendesh të reja pune. Në fakt çfarë po ndodh me shifrat e punësimit në vend? A kemi më pak të papunë se janë hapur vende të reja pune apo ka më shumë emigracion të krahut të punës?

Problemi i punësimit në Shqipëri mendoj se është çështja më serioze dhe shqetësuese, jo thjesht në kuptimin e papunësisë, e cila mbetet një lojë shifrash, por e cilësisë së punësimit. Punësimi kryesor në sektorin privat i dedikohet aktiviteteve me vlerë të ulët të shtuar, si industritë fasone, bujqësia, ndërtimi, transporti e tregtia, të gjitha që sigurojnë paga në disa raste edhe nën kufirin e mbijetesës. Ky lloj punësimi varfërues është me pasoja serioze për krijimin e një ekonomie cilësore, moderne, të industrive novatore dhe të integruara në zinxhirin global të vlerës së shtuar. Duke vrarë incentivën për punë, efekti deformues i kësaj strukture të punësimit do të ketë pasoja afatgjata në zbrazjen e tregut të punës nga personeli kualifikuar, nga talentet dhe profesionistët, siç ka filluar tashmë të japë dhe shenjat e para serioze. Mendoj se qëndrimi ndaj investimeve dhe çdo favori fiskal apo favor tjetër që i jepet një investimi në vendin tonë, duhet shoqëruar, jo thjesht me numrin e të punësuarve, por me nivelet e pagave në ekonomi. Kjo do të shërbejë si shtysë për të realizuar një shpërndarje më të drejtë të të ardhurave që krijon ekonomia./Gazeta Mapo/

1


Etiketa: , , , ,

Pas