Ekspert i ekonomisë dhe ish-zëvendësministër i Financave në qeverisjen e fundit të PD-së, Selami Xhepa, analizon programin ekonomik të kësaj partie, sipas të cilit, është shumë i mirë për të qenë i vërtetë. Sipas Xhepës për aq kohë sa PD nuk ka treguar rrugën se si do ta zbatojë do të ketë skpeticizëm ndaj tij.
Partia Demokratike prezantoi programin ekonomik. Cili ishte impakti i parë që patët nga ky program?
Vendi ka nevojë për politika të rëndësishme korrektuese, për të korrigjuar dështimet serioze të funksionimi të sistemit politik ekonomik dhe social të cilat po i kushtojnë vendit të ardhmen e tij.
Parimet themelore të ekonomisë së tregut janë dëmtuar rëndë: konkurrenca e lirë e tregut është zëvendësuar nga mbizotërimi monopoleve në shumë sektor, transparenca dhe eficienca e përdorimit të parave publike, po dominohet gjithnjë e më shumë nga prokurimet klienteliste, pa garë dhe që kanë cenuar rëndë eficiencën e shpenzimeve publike, pasuritë natyrore të vendit janë vënë në shërbim të vetëm disa përfituesve ndërsa shoqëria dhe komuniteti nuk kanë asnjë kontroll mbi këto pasuri, që janë të shoqërisë, praktikat korruptive janë përhapur edhe më shumë ndërsa kapja e shtetit në politikëbërje janë dëshmi se sistemi ekonomik e social po vihet gjithnjë e më shumë në funksion të një grupi përfituesish.
Shkurt, vendi ka nevojë për një “shkundje” të fortë të këtij “moçali” ku ka ngecur shoqëria jonë. Ajo që parashtrova më sipër, nënkupton se reformat e pritshme janë më shumë të natyrës së ekonomisë politike, të korrigjimit të funksionimit të sistemit. Politikat fiskale dhe buxhetore, të taksimit dhe shpenzimeve publike, janë thjesht instrumenti për të vënë në jetë ndryshimet e sistemit. Shtrimi në këtë mënyrë i problemit, do të bënte që programi të jetë më i besueshëm dhe të ngjallë diskutime serioze midis profesionistëve dhe politikëbërësve.
Për shembull, të gjithë jemi të bindur se vendi ka burime financiare të shumta që mund të çlirohen nga menaxhimi më i mirë i parave publike. Futja e garës në prokurimet publike dhe forcimi i kontrollit dhe monitorimit të veprave publike, mund të çlirojë të paktën 10% më shumë fonde të lira. Dhe kjo përkthehet me jo më pak se 120 milionë euro në vit. (Këtu po nisemi nga një kursim prej të paktën 10% që mund të sigurohet nga mbajtja nën kontroll e abuzimeve dhe praktikave korruptive në të gjithë hallkat e realizimit të veprave publike, që nga planifikimi, prokurimi dhe realizimi).
Por problemi është të tregohet se si do të arrihet drejt saj? Cilat janë ndryshimet e propozuara institucionale që do krijojnë këtë tepricë buxhetore? Si do të ndryshojë ligji i prokurimeve publike që të mundësojë arritjen e këtij objektivi?
Evazioni fiskal i kushton vendit të paktën 20% të të ardhurave buxhetore. Edhe në këtë fushë ka hapësira për të krijuar një të ardhur shtesë minimalisht edhe me 300-400 milionë euro.
Por sërish pyetja shtrohet se si do mundësohet ky objektiv? Si do arrihet që përmes administrimit tatimor apo mekanizmave të tjerë inovativë institucionalë do bëhet e mundur vendosja e disiplinës fiskale në vend? Duke eksploruar masat strukturore për adresimin e dy problemeve të mësipërme, indirekt marrin zgjidhje dhe disa kufizime të rëndësishme të zhvillimit të sektorit privat që lidhen me zgjerimin e konkurrencës, reduktimin e çmimeve për konsumatorët dhe krijimin e një dinamike të re për zhvillimin e sipërmarrjes private.
Kujtoj se në vitin 2005, PD kishte paraqitur një platformë të ngjashme me reduktime të ndjeshme të barrës tatimore dhe kjo ngjalli shumë skepticizëm. Por, në dialog me FMN u vendos parimi “reforma fiskale por sipas meritës”, çka nënkupton, përmes mirëmenaxhimit të financave publike të krijohen teprica buxhetore, dhe suficitin e të ardhurave ta përkthejmë ose në reduktime të barrës tatimore, ose në shtim investimesh publike. Mendoj se ky parim duhet të vendoset në preambulën e programit ekonomik të PD sërish.
Programi u shoqërua menjëherë me shumë kritika, ku pikaste kritika se “ku do të gjenden paratë për t’u realizuar”. Sipas jush, sa i zbatueshëm është ky program nga pikëpamja ekonomike?
Është normale të krijohet skeptizicëm, sa kohë që programi ka zbuluar deri tani vetëm “listën e dëshirave” dhe jo reformat, politikat, masat dhe instrumentet që do vihen në zbatim. Jam i sigurt se në vazhdimësi programi politik do të paraqitet më i plotë, me detajet e veta dhe atëherë do të kemi mundësi të gjykojmë më drejt mbi pasiguritë që kemi sot. Parësore mbetet ndryshimi i metodave të qeverisjes, përfshirë qeverisjen ekonomike.
Problemet madhore të ekonomisë politike të funksionimit të sistemit të sotëm kërkojnë reforma që duhet të prekin zemrën e vetë sistemit: si do të ndërtojmë një shoqëri më kohezive, që ndan me ndershmëri të ardhurën kombëtare të krijuar, si do përdoren paratë e qytetarëve dhe pasuritë publike në mënyrë transparente dhe eficiente, si do vendoset te publiku integriteti sistemit demokratik që po bjerret përditë e më shumë.
Këto janë sfidat e vërteta të shoqërisë dhe ato që mund të rikthejnë besimin se vendi do të ketë një të ardhme më të mirë. Programi ngjan si një mrekulli e pakapshme, “too nice to be true”. Në gjykimin tim është në kufijtë e të pamundurës sa kohë që nuk jemi njohur me mënyrën se si do të vihet ky program në zbatim, çfarë politikash të reja do të korrektojnë funksionimin e derisotëm të qeverisjes ekonomike të vendit. Kufizimet buxhetore do të jenë shumë të forta në vitet në vazhdim. Borxhi publik është një kërcënim eminent në nivelet e sotme dhe reduktimi tij është prioriteti absolut i çfarëdo qeverie që do vijë në pushtet.
Por, reduktimi i niveleve të borxhit, bashkë me një rritje të pritshme të barrës së shlyerjes së borxhit në vitet e ardhshme (normat e interesave patjetër që do rriten), do të reduktojnë shpenzimet publike me të paktën 100-150 milionë euro më shumë nga nivelet ekzistuese (aktualisht shpenzojmë mesatarisht 400 milionë euro për shpenzim borxhi).
Në qoftë se nuk gjenerohen të ardhura shtesë në ekonomi, qeveria do të tkurrte dhe më shumë buxhetin për shpenzimet qeveritare. Kjo do të thotë se ajo që mund të kursehet nga eficienca e shpenzimeve publike, do të humbiste nga reduktimi i borxhit publik.
Pra, me një efekt neto zero në rritjen e shpenzimeve qeveritare. Pa dashur ta zgjas më tej këtë analizë, mendoj se një propozim me rëndësi duhet të jetë ngritja e një trupe të pavarur ekspertësh, të themi Bordi i Përgjegjësisë Fiskale, me ekspertë profesionistë të fushës dhe jashtë ndikimeve politike, që të ngarkohet me prognozat e treguesve kyçë fiskalë: borxhit publik, të ardhurave dhe shpenzimeve, përfshirë dhe detyrimet fiskale që burojnë nga PPP e dhëna deri më sot, në mënyrë që të garantohet më së pari stabiliteti i financave publike dhe të krijohet siguri për politikat e ardhshme fiskale.
Ky do të ishte një hap që dëshmon përgjegjësinë e forcave politike në qeverisjen ekonomike të sigurt. Në një mandat politik do të duhej të ndërmerren masat strukturore të cilat pastaj do të çlirojnë energji dhe tepricat e duhura buxhetore për të nisur shkallë-shkallë që të shpërndahet dividenti i reformave. Vendet e punës, pagat e të ardhurat udhëhiqen nga sektori privat. Nëse sektori privat nuk fillon të ndiejë ndikimin pozitiv të reformave strukturore, atëherë do jetë e pamundur të shpërndahet diçka më shumë, qoftë për pensione, paga në sektorin publik etj.
Një nga shtyllat e këtij programi është “rimëkëmbja ekonomike” duke parashikuar shumë shpenzime nga buxheti i shtetit dhe një taksë të sheshtë 9%. Sa e mundur është kjo të realizohet rimëkëmbja e një ekonomie që është në krizë?
Debati mbi normat dhe sistemin e taksimit mendoj se duhet të hapet dhe është pozitive të diskutohen qëndrime alternative. Edhe pse personalisht mbështes një tatim disi më të ulët se ai që zbatohet aktualisht (15% mbi fitimet dhe 23% mbi pagat e larta), dhe sistemin e tatimit të sheshtë, gjetja e normës tatimore duhet të jetë një çështje kalkulimesh të të hyrave buxhetore dhe shpenzimeve publike, dhe jo thjesht një “garë për të kapur fundin” në konkurrencën rajonale, siç njihen në literaturë këto lloje politikash të reduktimeve tatimore në garën midis vendeve.
Tatimi i sheshtë, me një normë edhe më të lartë (të themi 13%), dhe me korrektimet e duhura për të mbrojtur popullatën me të ardhura të ulëta (zbatimi një pragu përjashtimor, të themi, 30 mijë lekë), mund të ishte një politikë edhe lehtësuese tatimore, dhe me një reduktim të barrës tatimore aktuale, por dhe nuk do të cenonte të ardhurat buxhetore. Siç e thashë më lart, kur të ardhurat buxhetore sot janë jo më shumë se 28% e PBB-së, aftësia e një qeverie për të kryer shpenzime publike është tepër e kufizuar, ndërkohë që nevojat janë shumë herë më të larta si për arsimin, shëndetësinë, bujqësinë, pensionet etj.
Vendosja e kësaj norme tatimore mbi çdo lloji të ardhure, përfshirë fitimet kapitale, dividentët etj., do të krijonte barazinë e kërkuar të politikave fiskale mbi të gjithë burimet e të ardhurave dhe jo diferencime preferenciale që realizon aktualisht sistemi ynë tatimor. Si një burim për të shtuar të ardhurat dhe si një instrument politik korrektues për proceset jo të ndershme të krijimit të pasurisë që është vërejtur në këto vite tranzicioni, mendoj se duhet vendosur tatimi mbi trashëgiminë.
Kjo është një taksë që duhet përkrahur nga të majtët dhe të djathtët, pasi krijon barazinë në oportunitete midis brezave dhe nuk ka ndikim të dukshëm negativ elektoral. Mendoj gjithashtu se qeveria aktuale ka kryer pandershmëri duke tatuar në mënyrë progresive rrogëtarët dhe ka ulur ndjeshëm barrën tatimore për të pasurit, të cilët si të ardhura të tyre nuk deklarojnë paga, por dividentët.