Aktualitet

Selami Xhepa: Politika e ka marrë peng ekonominë






               Publikuar në : 09:52 - 13/07/19 |
mapo.al

Kriza politike e ka përkeqësuar ciklin ekonomik në vend. Kështu u shpreh në një intervistë për Gazetën Mapo, eksperti Selami Xhepa. Sa i përket zgjidhjes, ai shprehet se “Kriza ofron dhe një shans të madh. Nëse zgjidhja politike do të ofronte një sistem shumë më funksional politik, atëherë ekonomia do të rimerrte veten dhe shpresa do të rikthehej”.


Ekonomia shqiptare duket se po kalon momente jo të mira. Kë do të rendisni ju si shkaqet kryesore për këtë situatë?

Selami Xhepa: Në fakt brishtësitë e ekonomisë në raport me një rritje të qëndrueshme të saj janë evidentuar prej kohësh. Por këta muajt e fundit po shohim se si po materializohen risqet e nënvizuara më herët. Ndër faktorët fondamental mendoj se më së pari, ka qenë paaftësia e vendit për të tërhequr investime serioze në sektorët e industrive të vlerës së lartë të shtuar. Fakti se përse investitorët e huaj që kanë zgjedhur të investojnë në Ballkan kanë preferuar më shumë vendet e tjera se Shqipërinë, gjykoj se lidhet me qeverisjen e dobët: institucione të dobëta, korrupsion i lartë, konkurrencë e pandershme etj.

Agjenda e brendshme vazhdon të dominohet nga debate politike shterpë dhe retorika boshe dhe angazhimi i forcës politike qeverisëse në këto debate, jo vetëm që ka shteruar energjitë e saj për reforma, por ka bërë që të humbasë vëmendjen ndaj shqetësimeve reale të qytetarëve. Ky lloji konfliktualiteti politik kulmoi me vendimet drastike të opozitës, duke prodhuar një situatë të papërballueshme për ekonominë dhe qytetarët. E thënë përmbledhtas, klima e biznesit dhe klima politike në vend janë shkaktarët kryesorë që po mbajnë peng zhvillimin dhe modernizimin e ekonomisë kombëtare.Rritja ekonomike e tremujorit të parë të këtij viti ishte poshtë parashikimeve. Nuk është çudi që kjo të ndodhë edhe në tremujorin e dytë.

Ç’do të thotë kjo për një ekonomi si e jona?

Selami Xhepa: Mendoj se viti 2019 do të rezultojë shumë më poshtë nga parashikimet e vjeshtës së shkuar. Nuk ka dyshim që tremujori i dytë dhe i tretë do të shënojnë mosrealizime dhe kjo jo më thjesht për faktor stinor apo sezonal, por arsye më të qenësishme. Kjo është periudha kur turizmi duhet të shndërrohet në promotor të rritjes dhe gjenerimit të ardhurave buxhetore, të punësimit dhe të të ardhurave. Por gjasat janë se realizimet do të jenë shumë më poshtë pritshmërive.

Tensionet politike dhe votimet lokale që fatmirësisht nuk prodhuan destabilitetin që pritej, kishin frikësuar qoftë operatorët turistikë apo investitorët, duke bërë anulimet e planeve të tyre të shpenzimit. Një realizim më i ulët i rritjes ekonomike përkthehet në më pak të ardhura për buxhetin dhe familjet, në një rritje relative të borxhit publik, dhe në finale, në një ngadalësim të zhvillimit ekonomik.Pak ditë më parë qeveria shkarkoi vetëm 3 muaj pas emërimit drejtorin e Tatimeve.

Duket se situata në të ardhurat buxhetore është e vështirë, e për pasojë edhe në shpenzime e investime. Sa ndikim ka kjo në ekonomi?Është fakt se buxhetit të vendit për pesë muajt e parë i mungojnë më shumë se 20 milionë euro.

Rënia e shitjeve, forcimi i euros, dobësitë administrative, veçanërisht në administrimin e skemës së TVSH-së, mund të konsiderohen si faktorët kryesorë të kësaj gjendjeje të të ardhurave buxhetore. Nëse mosrealizimet do të vazhdojnë dhe në muajt e ardhshëm, mendoj se Parlamenti do të jetë i detyruar të rishikojë ligjin e buxhetit të shtetit, duke ulur parashikimet si për të ardhurat dhe për shpenzimet publike.

Raporti më i fundit i DASH e vlerëson vendin tonë si jomiqësor me investimet e huaja. Dhe shkak kryesor për këtë është korrupsioni.

A po e përkeqëson më tej situatën qeverisja jo e mirë? A kanë fuqi ta kompensojnë mungesën e investimeve të huaja të ardhurat nga turizmi dhe emigracioni?

Selami Xhepa: Korrupsioni, veçanërisht me prokurimet publike jotransparente dhe pa rregullat e një gare të ndershme, janë edhe kritika më serioze dhe e theksuar shumë drejtpërdrejt në raport. Jo vetëm kontratat e PPP-ve të cilat tashmë janë demaskuar publikisht, por edhe prokurimi i fondeve buxhetore, janë kryer larg standardeve të transparencës dhe të qeverisjes së mirë. Mendoj se është kjo situatë që ka mbajtur larg investitorët dhe zvogëluar shanset për një rritje ekonomike më të shëndetshme.

Turizmi dhe emigracioni nuk mund të kompensojnë rolin e investimeve të huaja.Përveç problemeve të vetë qeverisjes edhe kriza politike është një kosto shtesë.

Si e parashikoni të ardhmen afatshkurtër të zhvillimit të ekonomisë?

Selami Xhepa: Kriza politike e ka përkeqësuar ciklin ekonomik në vend. Në afatin e shkurtër, nëse kriza nuk do të shkojë drejt një zgjidhjeje dhe situata e brendshme politike do të jetë e tensionuar, nuk ka dyshim që efekti do të jetë edhe më i fortë. Por, kriza ofron dhe një shans të madh. Nëse zgjidhja politike do të ofronte një sistem shumë më funksional politik, një sistem më kompetitiv dhe me institucione funksionuese – pra, një ekuilibër politik më cilësor se ky që kemi – atëherë në afatin e gjatë ekonomia do të rimerrte veten dhe shpresa do të rikthehej në vend. Politikanët, veçanërisht forca politike qeverisëse, e kanë në dorë që t’i japin shpresë ekonomisë dhe shoqërisë.

/Mapo.al


Etiketa: , , ,

Pas