Aktualitet

Selma Lagerlöf –  Modeli i artistes skandinave par excellence














Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 14:10 - 27/03/21 |
Gladiola Jorbus

Selma Lagerlöf mund të konsiderohet si gruaja më e shquar në botën suedeze. Ajo ishte mësuesja e ciklit fillor që u shndërrua në gruan e parë nobeliste në letërsi. Shkrimtarja  lindi më 20 nëntor 1858 në Mårbacka, në Värmland të Suedisë.





Värmlandi ka qenë i populluar kryesisht nga njerëz të thjeshtë, thellësisht fetarë, të prirur drejt misticizmit, bestytnive dhe legjendave që kishin protagonistë shpirtra apo heronj.


Janë pikërisht këto legjenda, që pikturuan fëmijërinë e Selmës, para zjarrit që ngrohte netët skandinave. Kështu, ajo krijoi një lidhje të veçantë me vendlindjen, historinë dhe kulturën e saj.




Në moshën dhjetëvjeçare, ajo lexoi Biblën. Kjo përvojë pati një impakt të rëndësishëm te vajza e vogël, veçanërisht stili poetik dhe tejet solemn biblik, plot analogji të vazhdueshme.


Me kalimin e viteve, Selma u zhvendos në Stokholm për të studiuar mësuesi, kurse në 1885 u transferua në Landskrona për të ndjekur karrierën si mësuese e ciklit fillor dhe shfaqi interes për çështjen e votës së grave.


Në vitin 1891, ajo botoi librin e saj të parë, ‘Saga e Gösta Berling’. Heroi eponim i romanit, një pastor vendas, me një varësi të fortë ndaj alkoolit dhe tejet indiferent i jep fund karrierës së tij. Romani përshkruan aventurat e 12 kalorësve endacakë suedezë, të udhëhequr nga i parezistueshmi Gösta Berling, pastori protestant, i cili përfshihet në një luftë për pushtet me gruan më të pasur të provincës.

Libri ka një temë faustiane që vërtitet rreth një marrëveshjeje të mundshme me Djallin, por gjithashtu trajton dhe çështje sociale si varfëria apo depresioni. Në vitin 1893, shkrimtarja suedeze shënoi një sukses të madh, jo vetëm në Suedi, por në mbarë botën.

Romani i solli asaj një çmim letrar, që konsistonte në një shumë të madhe parash. Kështu që Lagerlöf vendosi të mos punonte më në fushën e mësimdhënies dhe nisi të udhëtojë rreth Evropës.

Ajo përzgjodhi Italinë si destinacionin e saj të parë, në veçanti ishulli i Sicilisë i dha asaj frymëzimin për (Antikrists mirakler) ‘Mrekullitë e Antikrishtit’, roman i botuar në vitin 1897.

Ndërsa qëndronte atje, Selma Lagerlöf dëgjoi një legjendë siciliane: ‘Kur Antikrishti të vijë, ai do të shëmbëllejë si Krishti. Do të ketë një skamje të madhe në botë dhe Antikrishti do të shkojë nga toka në tokë e do t’u japë bukë të varfërve. Dhe kështu ai do të ketë shumë pasues’.

‘Mrekullitë e Antikrishtit ‘ është një roman filozofik, me ngjarje të vendosura në Sicili, një romancë dashurie midis një të riu socialist e ateist Gaetanos dhe Donna Mikaelës besimtare e krishterë. Ky roman përfaqëson kritikën e autores ndaj socializmit.

Pas Italisë mahnitëse, ajo lëvizi drejt Egjiptit, udhëtim që shërbeu për të krijuar romanin tjetër ‘Jeruzalem’ që u botua midis viteve 1901 – 1902 në dy pjesë. Rrëfimi përfshin disa breza që jetuan në shekullin e 19-të dhe përqendrohet në një sërë familjesh nga Dalarna e Suedisë, që përbënin komunitetin e emigrantëve suedezë në Jeruzalem.

Romani bazohet në një emigracion të vërtetë që ndodhi nga famullia e Nåsit në vitin 1896. Një predikues Amerikan u kishte thënë këtyre njerëzve të varfër se Zoti dëshironte që ata të udhëtonin drejt Jeruzalemit. Në këtë roman, në sajë të përshkrimit të autores mund të ndjesh aromën e djersës, dhembjen e tyre, urinë dhe pasionin.

‘Jeruzalem’ u vlerësua gjerësisht nga kritika të cilët nisën ta krahasonin Lagerlöf me Homerin dhe Shekspirin. Kësisoj ajo u bë një figurë e mirënjohur si në Suedi, ashtu edhe jashtë saj.

Disa vite më vonë, krijimtaria e saj vijoi me ‘Aventurat e Nils Holgerssonit’ (1906-1907), një ndër veprat më të famshme të letërsisë botërore. Selma Lagerlöfit iu kërkua nga Shoqata Kombëtare e Mësuesve në vitin 1902 që të shkruante një libër gjeografie për fëmijë. Në këtë mënyrë, ajo kombinoi fakte dhe informacione nga gjeografia e Suedisë, me aventurat e një djali çapkën, të gjatë sa një gisht që ngacmonte kafshët, Nils Holgerssonin.

Ky libër, i konceptuar si një tekst gjeografik arsimor që do të përdorej në shkolla, arriti të shndërrohej në një sukses të tillë që i dhuroi Selma Lagerlöf reputacionin më të madh në të gjithë vendin.

Ky roman shënjoi për autoren suedeze kulmin e karrierës së saj, aq sa Universiteti i Uppsalës – institucioni më i vjetër i arsimit të lartë në Skandinavi – e vlerësoi me një diplomë nderi në Filozofi në 1907; kurse në vitin 1909, Akademia Mbretërore e Suedisë i akordoi Çmimin Nobel në Letërsi.  Madje në vitin 1914, Akademia e përfshiu në mesin e 18 anëtarëve që përbënin jurinë e saj.

Me kalimin e viteve, ajo vazhdoi të shkruante, duke u endur me përkushtim nga romanet për të rritur tek tregimet për fëmijë.

Veprat e Selma  Lagerlöf karakterizohen nga idealizmi i lartë, imagjinata e gjallë dhe perceptimi shpirtëror.  Autorja dëshironte të rizbulonte e të lartësonte trashëgiminë letrare e kulturore dhe patosin tradicional të trillimeve popullore suedeze.

Duke përqafuar legjendat e traditës skandinave dhe duke i mbushur ato me elemente magjike të mbinatyrshme, Selma Lagerlöf maskoi rrëfimin e pastër pagano-fantastik dhe e veshi me konotacione të krishtera. E lidhur thellë me traditën folklorike dhe legjendat värmlandese të përcjella në fëmijëri nga gjyshja e saj, Selma Lagerlöf mishëroi magjepsjen epike të përrallës skandinave, duke sendërtuar kështu modelin e artistes nordike par excellence.

 

 

1


Etiketa:

Share
Mbyll
CLOSE
CLOSE
Pas