Nga Eugjen Merlika
Të dashur miq, familjarë, kushurinj, dashamirë të familjes sonë, ju shpreh falënderimet tona më të përzemërta për praninë tuaj në këtë ceremoni të thjeshtë të rivarrimit të eshtrave të prindërve tonë e të xhaxhesës Anna Alberano. Duke e vlerësuar këtë prani si treguesin më të qartë të ndjenjave e respektit tuaj kundrejt kujtimit të tyre, dëshirojmë me gjithë zemër t’u a shpërblejmë gjithmonë për raste gëzimi për ju dhe familjet tuaja.
Ne sot jemi para jush, duke sjellë nga përtej deti tre kuti me eshtrat dhe hirin e tre njerëzve të dashur të familjes sonë, Petritit, Elenës dhe Ades. Po plotësojmë, në traditën më të mirë të mendësisë shqiptare një amanet: prehjen e përjetëshme të asaj që mbetet nga jeta lëndore e tyre në këtë varrezë të Krujës, vëndi ku lindën, jetuan e prehen të parët tanë. Ai amanet ishte shprehje dashurie për këtë qytet e njerëzit e tij, shprehje nderimi e respekti për traditën familjare të trashëguar e të bazuar mbi vlera të spikatura, që ishin shfaqur në kohë të ndryshme, të mira, por më shumë në furtunat që historia e bëmat e saj shpalosën për këtë fis që, nëpërmjet figurës së të parit të tij, Lalës, do t’i kalonte kufijtë e qytetit të lindjes, për të dhënë një ndihmesë themelore në historinë e Shqipërisë. Ato vlera vërtiteshin rreth një boshti të patundur, që ishte koncepti i ndershmërisë vetiake, familjare, farefisnore, qytetare, kombëtare.
Një ditë të largët, rreth më shumë se njëzet vite të shkuara, në shtëpinë tonë në Latina të Italisë, në prani të familjes sime, të dy xhaxhallarëve, Fatosit e Bashkimit e dy bashkëshorteve të tyre, duke mbajtur parasysh moshën e shtyrë pak a shumë të secilit, kushtet tona të jetesës larg Shqipërisë, ndjenjën e përgjegjësisë që rëndonte mbi mua dhe gruan time, Teutën, në vitet që do të vinin e ndodhitë e tyre të lidhura me dukuri të pashmangëshme për jetën njerëzore, mora guximin për të shtruar një pyetje para tyre: ku do të dëshironit të preheshin trupat tuaj, mbasi shpirtërat do të fluturonin drejt një tjetër jete? Përgjigjet qenë të njëzëshme edhe se secila kishte të veçantën e saj: në Krujë.
Ky ishte amaneti që un dhe bashkudhëtarja e jetës sime, Teuta, e përcollëm nëpër vite, duke plotësuar një nga një hallkat e zinxhirit të premtimit tonë para tyre e para vetvetes, duke arritur në çastet e sotme kur koha dhe rrethanat e bënë të mundur sendërtimin e tij. Me kënaqësinë që frymëzon sendërtimi i amanetit në vetvete, të cilin ne vazhdojmë t’a përftojmë si para-ardhësit tanë në shekuj e legjenda, si një gjë që “nuk e tret as dheu”, po ndajmë me ju këto çaste dhimbjeje në këtë qoshe të bekuar ku ruhen eshtrat e kujtimet e të parëve tanë. Sot këto kuti me eshtra e hi plotësojnë kuadrin familjar të familjes që, mbas jetësh të trazuara e larg njëra tjetrës, duket se kthehen idealisht në shtëpinë e përbashkët, me po atë frymë vëllazërie që rreth njëqindedhjetë vite më parë, në një mbrëmje të mrekullueshme, do të pajtoheshin familjet e Xhiut e të Metës, të zemruara me njana tjetrën për çështje pasurie, por të pajtuara me nismën e djalit që vinte nga shkolla e kryer në Stamboll, e që do të bëhej njeriu më përfaqësues e i rëndësishëm i këtij qyteti, Mustafa Kruja. Ja një fragment i shkurtër i asaj ngjarjeje që përcaktoi fatin e të parëve tanë e t’ardhmen e fisit tonë:
“Për buzë akshami im atë para, em’amë mbas tij, mandej un e rresht mbas meje Qazimi, Zaja me Asllanin për dore jemi ke dera e shtëpisë së tim ungji. Dikush na pa prej dritorje e gjithsa qenë mbrenda vrapuen me na dalë para. Qe nji skenë fort e mallëngjyeshme e ajo natë ka qenë për mue nji ndër gëzimet mâ t’âmbla të jetës. Kujtoj kështu edhe për gjithë të tjerët…..”
E solla këtë fragment nga libri “Kujtime vogjlije e rinije” të Mustafa Krujës,për të kujtuar rrënjët tona, sepse sot ato rrënjë na sjellin ndër mënd fytyrat e fizionomitë e të gjithë njerëzve tonë shumë të dashur, që prehen në këtë tokë të shtrenjtë, që nga më të moçmit e deri tek më të rinjtë. Janë pjestarë të kujtesës historike të familjes së ngushtë të stërgjyshërve tanë, të përmendur më sipër, e më vonë t’atyre të zgjeruara në rrjedhë të viteve deri në ditët tona. E fundit e brezit të hershëm qe e ndjera hallë Xhirja-Anxhela që arriti moshën më madhore në gjithë fisin e saj, atë të 102 viteve, e që ju e përcollët në varrin që ishte i babait të saj.
Respekti, dashuria e nderimi ynë i thellë i shkojnë të gjithë atyre emrave të nderuar që prehen në këtë tokë. Kanë shkuar në kohë e në mosha të ndryshme, në rrethana e Vënde të ndryshme, mbas përvojash të ndryshme, por kjo tokë i ka bashkuar në gjirin e saj, i ruan në ngrohtësinë e saj e, nëpërmjet pllakave e fotografive të tyre, na i bën të prekshëm e t’afërt për ne që, shpejt a vonë, do t’u bashkohemi në strehën e fundit të përjetëshme që do të jetë kjo tokë në këtë botë e drita e mirësia e Perëndisë në jetën e pasosur.
Në këtë kuadër të kujtesës sonë historike të fisit Merlika, një vënd të posaçëm nderi duhet të kenë emrat e Shitës, të Merës, të Sulës, të Sefës, të Talibit e të Hamitit, monumente që përbëjnë krenarinë e fisit tonë të cilët, në çastet më të vështira të historisë kombëtare, nuk nguruan të flijonin jetët e tyre të reja për të lartësuar mbiemrin Merlika në lëmin e nderuar të shqiptarizmit kundërkomunist.
Ne sot, krahas eshtrave të Petritit kemi sjellë dhe ato të Elenës e hirin e Ades, bashkëshorteve të atij e të Bashkimit. Ato këtu gjejnë dhe ato të Xhanës, bashkëshortes së paharruar të Asllanit, ndaj të cilit mendoj se secili prej nesh ruan ndjenjat më të thella të dashurisë e të mirënjohjes. Xhana, Elena e Adeja ishin “jabanxhijet”e familjes sonë. Kishin lindur në Itali. Fati deshi që të bashkoheshin përkatësisht me Asllanin, Petritin e Bashkimin që studjuan në atë Vend. Patën fate të ndryshëm, por patën të përbashkët besnikërinë ndaj burrave të tyre dhe respektin e dashurinë ndaj familjeve të tyre e atyre të fisit. Të treja qenë italiane, katolike, të shkolluara, që e mbajtën me një dinjitet të skajshëm mbiemrin Merlika, për të cilin Elena qe ajo që flijoi gjithshka në jetën e saj që mund të quhet pa ndrojtje një martire e vetëdijshme e atij mbiemri. Të treja për së gjalli lanë si amanet prehjen e tyre mbas vdekjes tokësore në këtë tokë pranë burrave të tyre. Besoj se sot Kruja do t’i presë me të gjithë forcën e bujarisë së saj atë që mbetet nga jeta e tyre tokësore. Dhe shpirtërat e tyre, që ndjekin nga pafundësia këtë ceremoni të thjeshtë, besoj se do të jenë të kënaqur nga bujaria mikpritëse e kësaj toke.
Do të kishim dëshiruar një pjesëmarrje më të gjërë të miqve e dashamirëve, veçanërisht të bashkëvuajtësve të një gjysëm shekulli të prindërve tonë, Petritit dhe Elenës. Shumica e tyre janë në botën e së vërtetës e ndonjeri jeton jashtë Shqipërisë. Më lejoni të nënvizoj para jush një fakt, tejet të rëndësishëm, që ka shoqëruar jetët tona në vitet e gjata të internimeve e burgjeve të diktaturës komuniste. Ai ka qënë solidariteti mes bashkëvuajtësve, dashamirësia ndërmjet tyre, respekti, mirëkuptimi e dëshira për t’i u gjindur pranë njëri tjetrit në fatkeqësinë e përbashkët e madje dhe në ndonjë thërrime gëzimi që mund të sillte jeta.
Janë këto shfaqje, jo shumë të zakonshme në botën në të cilën jetojmë, që e bënë nënën time të kërkonte rikthimin në Shqipëri mbas riatdhesimit në Vëndin e lindjes. Për domosdoshmëri të familjes ajo dëshirë nuk u sendërtua, por desha t’a bënja të ditur në këtë rast se sa shumë ishte e lidhur shpirtërisht Ajo me Shqipërinë e njerëzit e saj, sa vlera kishte zbuluar ajo tek ta në Kalvarin e gjatë të jetës së saj në këtë Vend.
Tani, në traditën tonë, ju ftoj të plotësojmë nderimin tonë për kujtimin e Petritit, të Elenës dhe Ades, duke marrë pjesë në drekën që do të hahet në restorantin Panorama të qytetit të Krujës.
Në emër të gjithë familjes u a shpërblefshim gjithmonë për të mira e gëzime në familjet tuaja, nderimin që na bëtë sot me praninë tuaj.
Ju faleminderit. (Fjala e Rivarrimit në Krujë, më 28 maj 2022)