Aktualitet

Sepse shteti s’mund të sillet si bandë!





Na ndiqni në Facebook
               Publikuar në : 14:29 - 12/02/20 |
Armand Maho

Natyrisht fajin e ka tjetër kush. Rama nga foltorja e kuvendit sërish drejtoi gishtin nga drejtësia, kur u mundua të justifikojë ligjin për KÇK. U justifikua se “nuk kishte ku të dërgonte dosjet e krimit dhe korrupsionit”, pasi prokuroria nuk funksiononte. Në fakt kishte Arta Markun në krye të prokurorisë, që e zgjodhi në mënyrë të njëanshme dhe me shumë debate, por këtë harron ta thotë ose e fsheh qëllimisht.


Goditi dhe ata që janë kundër ligjit, politikanë apo gazetarë, që sipas tij paguhen “nga krimi”,  për të sulmuar këtë gjetje “gjeniale” të qeverisë shqiptare. Por ama, kur bie fjala për hetimin e politikanëve, lejeve të ndërtimit, apo PPP, këtë ia la në dorë drejtësisë. Asaj drejtësie që nuk lë armë propagandistike pa e sulmuar çdo ditë.



Rama tha që nuk jemi në vitin 1945, që të hetohen politikanët, ama nuk përdor të njëjtin standard me qytetarët. Por të ndalosh dhe kontrollosh 600 persona, me arsyetimin idjot “si e ke blerë makinën”, çfarë të kujton. Vetëm dje, u shkarkua një prokuror sepse nuk justifikoi dot 150 mijë lekë të reja në 20 e ca vite punë.


A nuk ishte Dvorani që nuk justifikonte dot 100 milion lekë dhe u ngjit në majat e institucionve të drejtësisë? Që kjo drejtësi të hetojë pasurinë e Edi Ramës, e të tjerëve është njësoj sikur qeni të kafshojë padronin që ka rritur dhe ushqyer?!

Gjeja e parë që duhet të dijë kryeministri është fakti që krimi nuk luftohet me aksione dhe me akte normative, por në vijimësi dhe me vullnet politik. Në rast se e ka seriozisht se do të luftojë pasuritë e krimit kjo nuk bëhet me dorëzim formularësh se  ustallarët e kësaj pune e mbajnë në ajër.

Ai më së pari duhet të marrë për veshi Kryetarin e Bashkisë së Tiranës, për ti kërkuar hesap, se me çfarë kriteresh po jep lejet e ndërtimit, dhe kompanitë që i fitojnë ato a janë kontrolluar më parë nga tatimet për mënyrën se si i kanë bërë paratë, ose të bëjë verifikimin e aksionerëve.

Të shkojë në bregdet, ku kryetarë bashkish të dënuar për trafik droge e vepra të tjera kanë lëshuar leje ndërtimi për veten. A u hetua Sajmir Tahiri ish-ministër i Brendshëm, për pjesëmarrje në strukturë të organizuar kriminale. Ka dëgjuar njeri që ti shkojë formulari i deklarimit të pasurisë. Po krerëve të policisë që janë në kërkim për trafik ndërkombëtar droge, i ka vajtur ndonjë formular i ngjashëm? Po  atyre që janë të shpallur non-grata nga Departamenti Shtetit, a do u shkojë OFL në derë?

Në kohë të diktaturës, nuk bëhej fjalë për krim të organizuar, por edhe krimi ordiner ishte në nivele minimale. Kjo për një arsye të thjeshtë. Vetë shteti ishte bandit. Por a jetonim të qetë në një shtet që  nëpërkëmbte çdo ditë të drejtat e njeriut? Atje ku hetues të sigurimit, apo operativë, përditë mbanin shpatën ngrehur dhe dhunonin, vrisnin e prisnin këdo që guxonte të kërkonte një të drejtë.

U përdhunonin gratë, motrat e u syrgjynosnin prindërit e fëmijët. Edhe ata në emër të ligjit e bënin. Dhe kjo është më e keqja që mund ti ndodhë një vendi. Shteti nuk mund të sillet si bandit, për të luftuar banditin… Viti zero nuk fillon me Edi Ramën, siç po mundohet ai të mbrojë veten.

Përkundrazi,  vitet e qeverisjes së tij kanë qenë më të errëtat në zhvillimin e fenomeneve antiligjore. Kanë qenë vitet e pasigurisë publike, të futjes së drejtësisë në një udhë pa krye nga vetë shteti, të grabitjes së pronës dhe parave publike me anë të PPP-ve dhe gjithfarëlloj sajesash të gatuara nga mjeshtrat e vjedhjes dhe pastrimit të parave që janë ulur këmbëkryq në çdo nivel të qeverisjes.

Ramës nuk po i kërkojmë të mos luftojë krimin. Ramës po i kërkohet të zbatojë ligjin, në luftën ndaj tij. Sepse nuk duam që qeveria me akte normative të na shndërrohet si  Komitetiti Qendror i dikurshëm, i cili kontrollonte deri në qelizë dhe jetët tona. Ramës i kërkohet që të respektojë institucionet, ndarjen e pushteteve dhe mos na kthejë në vitet e errëta të diktaturës, sepse nuk kemi asnjë mall për të.


Etiketa: , , ,

CLOSE
CLOSE
Pas