Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, tha në Universitetin Europian të Tiranës se serbët kërkojnë të marrin Leshakun në Kosovë, për shkak të pozicionit dhe mineraleve.
“Një shumë e caktuar parash është derdhur që të na bindim të japim Leshakun,” tha Haradinaj.
Por ai tha se nuk e kupton se përse ky debat bëhet tani, kur nuk ka asnjë shqetësim në rajon ose botë.
“Veriun e Kosovës e qeveris në mënyrë bindëse,” insistoi Haradinaj.
“Ka 20 vjet që Serbia ka investuar që ne të diskutojmë në këtë teorinë e rishikimit të kufijve”.
Haradinaj tha se Kosova i ka mirë punët me Uashingtonin dhe i ka rregulluar mjaft mirë edhe me Berlinin.
Megjithatë ai e pranoi se serbët kanë avancuar me axhendën e tyre, pasi tashmë disa njerëz në Uashington kanë nisur të ndjejnë keqardhje që kanë sulmuar Serbinë me bombardime.
I irrituar, Haradinaj tha se do merrte rrobat e 20 mijë grave të dhunuara në Kosovë nga Serbët “dhe t’ua çoj e tu them a u mjaftojnë këto”.
“Pse duhet të kënaqim dhunuesin? Ata duhet të gjejnë zgjidhje, jo ne. Ata duan të pastrojnë imazhin e tyre”.
I pyetur se mos kjo që po bën Haradinaj është një romanticizëm politik, Haradinaj u përgjigj: “Ekziston një mes midis romanticizmit politik dhe zhveshjes. Ne nuk do të kalojmë në zhveshje”.