Mali i Zi dhe Serbia kishin vendosur të dëbonin ambasadorët respektivë, por diplomacia serbe bëri prapakthehu.
Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiç njoftoi për vendimin më 29 nëntor pas një takimi që zhvilloi me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç dhe pas konsultimeve me serbët e Malit të Zi.
“Ne kemi vendosur që Serbia në mënyrë të njëanshme të tërheqë vendimin për dëbimin e ambasadorit të Malit të Zi. Raportet e mira me Malin e Zi janë mbi të gjitha më të rëndësishmet për ne”, tha Bërnabiç.
Kryetarja e ekzekutivit serb beson se ky veprim do të merret nga ana e Podgoricës zyrtare si shenjë e vullnetit të mirë.
“Ne edhe njëherë po e shtrijmë dorën e bashkëpunimit dhe miqësisë”, tha ajo.
Presidenti Vuçiç tha se Serbia “ka bërë një veprim të mirë” duke shtuar se i takon asaj të tregojë se dëshiron “raporte të mira dhe vëllazërore” me Malin e Zi.
Në një mesazh në Twitter, Komisionari Evropian për Zgjerimin, Oliver Varhelyi mirëpriti vendimin e Serbisë dhe i bëri thirrje Malit të Zi të bëjë të njëjtën gjë.
“Respekti për marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë dhe bashkëpunimi rajonal janë themeli i zgjerimit të BE dhe procesit të stabilizimit dhe asociimit”, shkroi Varhelji.
Etiketa: ambasadorin malazez, Nuk do ta dëbojë, Serbia bën prapakthehu