Aktualitet

Serbia mban zgjedhjet parlamentare dhe lokale, 90 qendra votimi edhe në Kosovë





Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 08:43 - 21/06/20 |
mapo.al

Në Serbi votohet sot për zgjedhjet e përgjithshme. Vendvotimet janë hapur në orën 7:00 dhe pritet të mbyllen në orën 20:00 dhe mbi 6,5 milionë banorë kanë të drejtë vote.


Qytetarët serbë po votojnë për të zgjedhur parlamentin e ri prej 250 deputetësh, për përbërjen e re prej 120 anëtarësh të Kuvendit të krahinës autonome të Vojvodinës si dhe për udhëheqjen lokale.


Në tri komunat jugore të Serbisë, në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc, për herë të parë, partitë shqiptare garojnë në një listë të përbashkët.


Partitë politike shqiptare, Partia për Veprim Demokratik, Alternativa për Ndryshime, Lëvizja për Progresin Demokratik, Lëvizja për Reforma e Partisë Demokratike Shqiptare dhe Partia Demokratike, arritën marrëveshje për të shkuar me një listë zgjedhore në fillim të këtij viti. Përfaqësuesit politikë shqiptarë kanë deklaruar se synojnë të fitojnë tri ulëse në Parlamentin e Serbisë.


Për zgjedhjet parlamentare serbe votohet edhe në Kosovë, në 90 qendra të votimit, apo 20 qendra të grumbullimit të votave.

Këtë proces po e zbaton misioni i OSBE-së me lejen e autoriteteve kosovare. Votat do të transportohen dhe numërohen në Vranjë e Rashkë – praktikë të cilën Gjykata Kushtetuese e Serbisë e ka vlerësuar jokushtetuese.

Zgjedhjet në Serbi fillimisht u caktuan që të mbaheshin më 26 prill, por për shkak të pandemisë së koronavirusit dhe shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme, ato u anuluan dhe më pas u shtynë për 21 qershor.

Prej disa ditësh Serbia ka regjistruar mbi 90 raste ditore me koronavirus. Komisioni Zgjedhor në Serbi ka rekomanduar qytetarët që në qendrat e votimit të shkojnë me maska mbrojtëse, të mbajnë distancën fizike dhe të dezinfektojnë duart para dhe pas votimit.


Etiketa: , ,

Pas