Serbia u bë vendi i parë në Evropë që ka nisur fushatën e vaksinimit masiv kundër koronavirusit, duke përdorur dozën kineze të kompanisë Sinopharm.
Zyrtarë shëndetësorë dhe qindra ushtarë pa uniforma kanë pritur në radhë për të marrë dozën e parë të kësaj vaksine në Beograd.
“Kjo është mënyra e vetme për t’iu kthyer jetës normale”, – tha ministri serb i Shëndetësisë, Zllatibor Llonçar, më 19 janar, i pari person që ka marrë këtë vaksinë në një transmetim të drejtpërdrejtë televiziv. “Këto të gjitha janë vaksina shumë të sigurta”, tha Llonçar nga Instituti i Virologjisë në Beograd.
Ministri serb i Mbrojtjes, Nebojsha Stefanovic, u shpreh se ai dhe më shumë se 700 anëtarë të ushtrisë u vaksinuan me dozën kineze.
Serbia, e cila javën e kaluar pranoi 1 milion doza të vaksinës Sinopharm, ka lidhje të ngushta me Pekinin.
Vaksina e kompanisë Sinopharm është kthyer në burim polemikash në Perëndim, që nga momenti kur Kina e miratoi përdorimin e saj në fund të vitit të kaluar.
Ndonëse nuk janë publikuar të dhëna të detajuara rreth efikasitetit të vaksinës, kompania prodhuese pretendon për 79 % siguri. Kjo shifër është më e vogël se sa 95% i efikasitetit që garantojnë për vaksinat e tyre kompanitë Pfizer/BioNTech apo Moderna.
Etiketa: Koronavirusi, Serbia, vaksinimi