Policia e Shtetit bëri të ditur se ka arrestuar një person, që dyshohet se ka grabitur banesën e prindërve të Elton Çiços, i vrarë më 1 maj të vitit 2016 në Tiranë. Burime të gazetës Mapo thonë se i arrestuari është Erigels Miasi dhe është arrestuar në Yrshek.
“Operacioni i zhvilluar nga Drejtoria Vendore e Policisë Gjirokastër në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Gjirokastër dhe Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, me qëllim kapjen e një personi të dyshuar si bashkëpunëtor në një vjedhje me armë në vitin 2015 në Tepelenë. Si rezultat i këtij operacioni, kapet në Yrshek Tiranë, 30 vjeçari E.M, për të cilin Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Gjirokastër kishte urdhëruar ndalimin e tij pasi ka dyshime të arsyeshme se ky shtetas ka marrë pjesë në vjedhjen me armë të banesës së shtetasit N. C. në qytetin e Tepelenës më datë 31.03.2015. Ndalimi i tij u bë për veprat penale “Vjedhja me armë, kryer në bashkëpunim”, “Plagosja e rëndë me dashje” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit”,” thuhet në njoftim.
Mendohet se grabitja ishte më shumë se një akt vjedhjeje, por një sinjal. Më 30 mars 2015 tre persona grabisin dhe dhunojnë në Tepelenë prindërit e Elton Çiços duke marrë një shumë të vogël parash. Grabitja kishte ndodhur pas disa punimeve duralumini që prindërit e Çiços kishin bërë në shtëpi. Çiço këtë e mori si një mesazh për të dhe jo si një grabitje të thjeshtë prandaj u betua për hakmarrje.
Pas identifikimit të 3 autorëve Çiço u vu në ndjekje të tyre.
Më 10 qershor 2015 në zonën e njohur si “Ish-këneta” në Durrës u ekzekutua Robert Rama, autor i grabitjes në Tepelenë, i shpallur në kërkim nga policia. Por fajësia e Çiços nuk u provua nga policia.
Më 4 maj 2015, autorit të dytë të grabitjes, ai që dyshohej të kishte bërë transportin deri në shtëpinë e prindërve të Çiços, Elvis Imerit i vihet një sasi eksplozivi në makinën e marrë me qira.
Eksplozivi u vu re nga Imeri para se të ndizte makinën duke i shpëtuar kështu atentatit. Por atentatet ndaj tij vazhduan dhe në 9 dhjetor të 2015 i vihet eksploziv vëllait të tij Elton Imerit, ish-ushtarak, i cili për shkak të shpërthimit humbi njërën këmbë, por fatmirësisht i shpëtoi vdekjes.