Orion Delaj, ndryshe nga shumica e shqiptarëve që kanë kërkuar azil në vendet e Europës, si Gjermani apo Francë, ka zgjedhur të kërkojë azil në Korenë e Jugut. Historinë e 26- vjeçarit nga Vlora e ka publikuar gazeta “Korean Times”. Sipas gazetës Panorama, i riu ka deklaruar për autoritet e vendit aziatik se në Shqipëri i rrezikohet jeta për shkak të gjakmarrjes. Delaj ka rrëfyer se në Shqipëri ka marrë disa herë kërcënime për jetën dhe për këtë arsye vendosi që të largohej. Sot ai jeton në Seul dhe merr mësime për gjuhën koreane.
Apartamenti i tij është vetëm një dhomë e vogël, ku ka një krevat dhe një tavolinë. “Nuk mund të bëj asgjë këto ditë, i kaloj i vetëm, duke bërë xhiro, duke u përpjekur të njoh njerëz të rinj”, shprehet Delaj, i cili ka shkuar në Kore në nëntor të vitit 2017. Ai është në pritje për të marrë një përgjigje pozitive, por ende nuk ka marrë asnjë letër apo thirrje nga qeveria e këtij vendi që prej atëherë.
Delaj, citon “Korean Times”, ka frikë të kthehet në Europë sepse ka marrë kërcënime nga mafia shqiptare. Ai nuk ka bërë asgjë personalisht. Por ai po vuan pasojat e një konflikti që familja e tij ka me një tjetër familje prej më shumë se 10 vitesh. Hakmarrja vazhdon dhe nuk ka të ndaluar. Për pasojë, deri tani janë vrarë disa anëtarë të familjes Delaj dhe disa nga familja tjetër. Kjo ka bërë që meshkujt e dy familjeve të largohen, pasi në të kundërt rrezikojnë jetën.
Mafia ka vrarë xhaxhain e tij, Elidon Delajn, në Barcelonë në shtator 2006. Policia spanjolle në atë kohë e lidhi ngjarjen me rivalitetin në trafikun e drogës. Elidon Delaj, i njohur dhe me emrin Niko, u vra në Barcelonë bashkë me Seljdi (Elvis) Zanaj më 26 shtator 2006. Si autor për këtë ngjarje u dyshua Sokol Rama dhe ngjarja, përveç konfliktit për pazaret e drogës, ka lidhje me ngjarje të ndodhura në Shqipëri. Vëllai i Zanajt dyshohet se ka vrarë nënën e autorit Sokol Rama në Vlorë. Bëhet fjalë për Leonora Ramën, e cila punonte si oficere marine, e ekzekutuar në sytë e vajzës së saj 15- vjeçare në Vlorë. Si bashkëpunëtorë të ngjarjes së ndodhur në Barcelonë, përveç Sokol Ramës u arrestua edhe Enton Kabashi, Elis Haxhiraj dhe Vasil Biracaj.
Ndërsa në shtator 2012, kushëriri i 26- vjeçarit, Amarildo Delaj, u vra para lokalit të tij në Vlorë. Ai u qëllua me më shumë se 10 plumba. Në këtë ngjarje mbetën të plagosur dhe dy persona të tjerë, të cilët ishin bashkë me 27- vjeçarin. Ai u qëllua me automatik nga jashtë lokalit. Në pjesën e jashtme të lokalit u gjetën 18 gëzhoja. Tre muaj pas ngjarjes u arrestua Bledar Jambelli, 32 vjeç, lindur e banues në fshatin Mbrostar, Fier. Sipas Policisë, ai dyshohet dhe për ngjarje të tjera kriminale të ndodhura në Vlorë dhe Tiranë.